Senatorët republikanë kanë shprehur kundërshtime të thella ndaj kërcënimeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për tarifa në importet e Meksikës në SHBA.

Në një takim të mbyllur me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, senatorët kanë thënë se ata janë duke konsideruar disa masa për bllokim të tarifave. Presidenti ka thënë se ai planifikon të vendosë 5 për qind tarifa në mallrat meksikane nga java e ardhshme.

Trump, që aktualisht është në një vizitë shtetërore në Britani të Madhe, ka thënë se republikanët do tregoheshin budallenj nëse do të tentonin ta ndalonin atë.
Sipas propozimit të presidentit, tarifat do të rriten për 5 për qind çdo muaj, duke arritur në 25 për qind në tetor, nëse Meksika nuk vepron për të ndalur migrantët që nisen drejt kufirit jugor të SHBA-së.

“Nuk ka shumë përkrahje për tarifat, kjo është e sigurt”, ka thënë lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell. Megjithatë, ai nuk ka konfirmuar nëse partia e tij do të hartojë ndonjë masë për të bllokuar Trumpin që të marrë këtë hap.

Gjatë kohës sa është president, Trump ka kërkuar fonde për të ndërtuar një mur në kufirin SHBA-Meksikë. Ai ka akuzuar Meksikën se nuk ka bërë mjaftushëm për të ndalur migrantët që të kalojnë kufirin me SHBA-në.

Në muajin shkurt, ai ka shpallur emergjencë kombëtare për kufirin. Kritikët kanë thënë se agjentët kufitarë janë duke keqtrajtuar migrantët. Presidenti i Meksikës, Andrés Manuel López Obrador, ka thënë se ai nuk kërkon “përballje”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb