TIRANË- Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytje të rrugëve në disa qytete dhe vështirësi në qarkullim në disa qarqe për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Kështu, raportohen probleme të shumta në rrugët e qytetit të Vlorës si pasojë e përmbytjeve, çka ka sjellë vështirësi për qarkullimin e kalimtarëve dhe automjeteve. Rrugët më problematike janë ato në lagjen “Pavarësia”, Uji i Ftohtë dhe “Kushtrimi” ku problematika e përmbytjeve është e përsëritur. (foto: Enrik Mehmeti)

Ndërkohë për shkak të rrëshqitjeve Autoriteti Rrugor këshillon drejtuesit e mjeteve të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit. Vështirësi më të mëdha paraqiten në rrethin Librazhdin, ku ka rënie gurësh dhe dherash.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor  janë duke ndjekur me kujdes të veçantë situatën e akseve rrugore pas reshjeve të dëborës që kanë rënë gjatë ditëve të fundit dhe ngricat e formuara për shkak të temperaturave të ulëta. Situata paraqitet e vështirësuar në disa akse të vendit për arsye të reshjeve të dendura dhe rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Bëhet me dije se deri në orën 09:00 situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:

Qarku Elbasan
Aksi Librazhd-Steblevë është i hapur. Ka rënie gurësh të herëpashershme gjatë gjithë aksit Qafë Thanë-Murrash, por pastrohet vazhdimisht, gatishmëri maksimale. Qarkullimi është normal në aksin Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë. Ka patur rënie gurësh gjatë natës në aksin Elbasan–Peqin, por aktualisht është e pastruar. Rënie dherash në rrugë ka patur edhe në segmentin Banjë-Drizë, po punohet për pastrimin e tyre. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Fushë Studë–Steblevë. Qarkullimi bëhet me vështirësi në Shelcan, pjesë e aksit Elbasan-Gjinar, ku ka ndodhur rrëshqitja e rrugës. Të behet kujdes nga ana e mjeteve sidomos kur kalojnë në segmente ku ka rrëshqitje të rrugës.
Qarku Tiranë
Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset e këtij qarku dhe pa zinxhirë.
Qarku Durrës
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik prej reshjeve të dendura.
Qarku Berat
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes ne segmentet rrugore ku punohet dhe kujdes me shpejtësinë. Rekomandohet të qarkullohet me kujdes, për shkak të ngricave nga temperaturat e ulëta të natës dhe orëve të para të mëngjesit.
Qarku Vlorë
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset.
Qarku Gjirokastër
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Rekomandohet ecja e kujdesshme, sepse nga shirat mund të ketë rënie dherash e gurësh në rrugë.
Qarku Korçë
Ka reshje të dendura shiu. Gatishmëria është e plotë. Kalueshmëria pa probleme.
Qarkullimi kryhet pjesërisht me zinxhirë vetëm në aksin Korçë-Dardhë. Në të gjithë akset e tjera qarkullimi kryhet normalisht. Të bëhet kujdes nga mjetet të respektojnë shpejtësinë, sepse si rezultat i shirave mund të ketë rënie gurësh e dherash, të cilat sjellin vështirësi në qarkullim.
Qarku Kukës
Ka reshje të vazhdueshme shiu në të gjithë qarkun. Kjo ka sjellë që në shumë akse të ketë rënie dherash dhe gurë në rruge. Është punuar gjatë natës dhe mëngjesit të hershëm për pastrimin e tyre dhe tani qarkullimi kryhet normalisht. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e këtij qarku.
Qarku Dibër
Si rezultat i shirave, në disa akse ka patur rënie dherash në rrugë. Janë marre masa për pastrimin e akseve. Në të gjithë qarkun qarkullohet normalisht dhe pa zinxhirë.
Qarku Shkodër
Ka reshje të vazhdueshme shiu dhe si rezultat në disa akse të Pukës ka patur rënie dherash dhe gurësh në rruge. Janë marrë masat për pastrimin. Qarkullimi kryhet normalisht dhe pa zinxhirë në të gjitha akset e këtij qarku.
Qarku Fier
Nuk ka probleme për qarkullimin. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të fluksit të madh të makinave në superstradën Fier–Lushnjë, dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
Qarku Lezhë
Ka reshje shiu të vazhdueshme. Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb