TIRANE- Rritja me disa gradë e temperaturave ka sjellë përmirësim të situatës në akset rrugore në gjithë vendin, ndërsa të izoluar mbeten vetëm disa fshatra të thellë malore. Më poshtë ju paraqesin situatën sipas qarqeve.

Shkodër
Në qarkun e Shkodrës rruga Tamare-Selce është e hapur, qarkullohet me zinxhirë, ndërsa vijon mirëmbajtja. Pritet hapja e rrugës mali Shoshit-Theth. Përveç mjeteve te bashkisë për ndërhyrjen ndihmojnë edhe mjete te emergjencave civile. Për zonën e dukagjinin shpërndahen ndihma për banorët

Pukë
Temperaturat në rrethin e Pukës shënojnë 0°C. Vijon puna për zhbllokimin e rrugëve që lidhen me zonat rurale. Ka ende fshatra të izoluar në bashkitë Puke e Fushe-Arrëz. Ndërhyrja po përqendrohet në fshatrat me popullsi më të madhe.

Dibër
Në qarkun e Dibrës, situata është drejt normalizimit. Pavarësisht kësaj qarkullimi në rrugët rurale kryhet vetëm më zinxhirë dhe me vështirësi. Disa fshatra të thella mbeten të izoluar, në Lurë, Kala e Dodës, Trebisht, Ostren dhe në njësinë Selixë në Klos. Uji i pijshëm është rikthyer pas disa ditësh mungesë.

Kukës
Në qarkun e Kukësit temperaturat janë rritur deri në 3.4 gradë celsius. Të gjitha akset nacionale qarkullohen pa zinxhirë, përveç rrugës Ura e Zapodit-Shishtavec ku qarkullimi vijon me zinxhirë. Në rrethin e Tropojës qarkullohet pa zinxhirë në të gjitha akset. E bllokuar mbetet vetëm njësia administrative Arrën. Ndërkohë si pasojë e ngricave janë dëmtuar më shumë se 80 % e matësve të ujit të pijshëm në rrethin e Kukësit. Për shkak të problemeve financiare ndërmarrja e ujësjellësit deklaron se e ka të pamundur zëvendësimin e tyre. Bashkia e Kukësit apelon ministrinë e Transporteve të rimbursojë konsumatorët për riparimin e dëmeve.

Mirditë
Ne dy ditët e fundit ne Mirditë nuk ka patur reshje bore. Megjithatë ende janë disa fshatra te bllokuar ne njësinë administrative Fan, fshatrat Gjugj, Shengjin dhe Hebe. Disa rrugë rurale janë te bllokuara edhe ne Orosh, Nenshejte, Reps, Gur, Spac, ndërsa akset kryesore janë te hapura. Një familje në një zonë të thellë të Oroshit apelon për ndihma ushqimore

Korçë
Në qarkun e Korçës, situata është drejt përmirësimit. Më zinxhirë kryhet qarkullimi vetëm në akset Korçë-Dardhe, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë dhe Ersekë-Leskovik.

Elbasan
Është normalizuar situata në qarkun e Elbasanit. Në rrethin e Librazhdit mbetet i izoluar për shkak të ngricës dhe borës vetëm fshati Qarrishtë. Segmenti rrugor që e lidh këtë zonë me qytetin e Librazhdit është i pakalueshëm deri në fshatin Togëz të Njësisë Administrative Qendër.

Gjirokastër
Në qarkun e Gjirokastrës reshjet e borës ia kanë lënë vendin reshjeve të herëpashershme të shiut, duke përmirësuar situatën. Të gjitha akset të kalueshme pa zinxhirë. Gjithsesi kërkohet kujdes për qarkullimin në rrugë për shkak të prezencës në disa segmente të akullit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb