Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë shkaktuar problematikat e para në qytetin e Vlorës, ku disa prej rrugëve kryesore janë mbuluar nga uji, pavarësisht se shiu zgjati për një kohë të shkurtër.
Prezencë e konsiderueshme uji është konstatuar në bulevardin “Ismail Qemali”, Bulevardin e Palmave, si dhe në disa rrugë të brendshme të lagjeve të qytetit.
Sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur ta përballojë në kohë prurjen e ujit, duke sjellë vështirësi në qarkullim.
Sipas Bashkisë së Vlorës, Hidrovori është vënë në punë, por aktualisht nuk funksionon me kapacitet të plotë për shkak të mungesës së dy pompave.
Nga ana tjetër, autoritetet bëjnë me dije se uji pritet të tërhiqet brenda një kohe të shkurtër, ndërsa situata është shkaktuar nga mbingarkesa e sistemit të kanalizimeve pas reshjeve intensive.
