Rishfaqen problemet në pallatin 5 katesh në lagjen ‘Punëtori’ në Gjirokastër. Në këtë pallat ka pasur më herët rrëshqitje dheu, ndërsa sot janë shfaqur çarje toke, për shkak të reshjeve të dendura të shiut.
Gazetarja Brikena Metaj raporton për ‘BalkanWeb’ se prefekti i Gjirokastrës, Odise Kote, strukturat dhe kryetari i bashkisë, Flamur Golemi, janë aktualisht në terren për të parë nga afër situatën në fjalë.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në Gjirokastër, ku si pasojë e tyre është dëmtuar rrugën e Zhulatit për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Kjo rrugë është bërë e pakalueshme për mjetet e mëdha.
Ndërkohë që në disa fshatra si Luftinjë dhe në Sukë ka probleme me energjinë elektrike. Liqeni i Viroit është shumë pranë pikës kritike, ndërsa dalja e tij nga shtrati rrezikon bllokimin e rrugës nacionale Gjirokastër-Tepelenë.
Prej ditësh, në vend kanë nisur reshje të dendura të shiut, ndërsa IGJEUM ka paralajmëruar përmbytje. Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave (6 -11 Janar 2021) priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
(BalkanWeb)