VLORE- Pothuajse i gjithë qyteti i Vlorës ka qenë nën pushtetin e ujit sot. Reshjet intensive të shiut të rëna përgjatë gjithë ditës kanë shkaktuar përmbytje të disa prej segmenteve rrugore, duke krijuar probleme me qarkullimin e automjeteve.

Aktualisht, disa segmente të bulevardit kryesor Vlorë-Skelë, zona e Skelës, ajo përreth Universitetit “Ismail Qemali”, hapësira mes blloqeve të banimit, etj, janë nën ujë.

Gjithashtu, probleme janë krijuar edhe në lagje periferike. Situata është më e rënduar në segmentin që bashkon bulevardin Vlorë-Skelë me “Transballkaniken”, ku niveli i ujërave është i lartë. Kjo ka bërë që, qarkullimi në këtë segment rrugor pothuajse të ndërpritet për autoveturat. Drejtues të Bashkisë dhe të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike po punojnë për të normalizuar gjendjen, ndërkohë që mësohet se nuk ka dëme.

Gjithashtu mësohet se, për të parandaluar ndonjë situatë problematike në shkallë më të gjerë, si pasojë e reshjeve intensive të shiut që po vazhdojnë ende, Institucioni i Prefektit po koordinon punën me njësitë e qeverisjes vendore, bashkitë dhe komunat.

Ende nuk ka informacione të detajuara për gjendjen në shkallë qarku, por, paraprakisht mësohet se qarkullimi vazhdon në të gjitha akset rrugore. Nga specialistë lokalë të meteorologjisë saktësohet se, reshje intensive të shiut si ato të ditës së sotme, krijojnë situata të përkohshme problematike. Moti i keq, shoqëruar me reshje intensive shiu dhe erë të fortë, ka krijuar probleme edhe në portin e Vlorës. Mësohet se, trageti i linjës Brindisi-Vlorë nuk është nisur nga porti i vendit fqinj, për shkak të dallgëve të forta, që, në hapësirën detare brenda gjirit, kanë arritur deri në 7 ballë. (fotot, Enrik Mehmeti)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: