TIRANE – Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka kritikuar ashpër restaurimin e Kullës së Sahatit, që gjendet pranë Bashkisë në Tiranë. Përmes një reagimi në profilin zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Forumi ka deklaruar se restaurimi i sapobërë është i dëmshëm. Sipas Forumit, (një grupim vullnetar intelektualësh dhe aktivistësh publikë të bashkuar përtej bindjeve politike për të mbrojtur trashëgiminë kulturore) ndërhyrja është e dëmshme për shkak të bojës plastike që është përdorur, gjë që bën që humbasë pesha e shekullit tek objekti i trashëgimisë kulturore.
“Përsëriten restaurimet skandaloze me plastikë të improvizuar, duke zhdukur çdo gjurmë të kohës. Pjesa e ‘restauruar’ e kullës është pjesa që u ngrit më 1928, domethënë gati 90-vjeçare”, shkruan Forumi. Në të njëjtën deklaratë thuhet se “pas ndërhyrjes profesionale të bërë 6 vite më parë me financimin e ambasadës amerikane, pa pasur asnjë nevojë, kulla bojatiset me bojë të bardhë plastike duke humbur peshën e shekullit që mban mbi supe dhe duke u ripropozuar si e bërë sot”.
Denoncimi për rastin e Kullës së Sahatit është i disati për këtë periudhë kohe. Forumi ka vënë në dukje disa ndërhyrje restauruese, që sipas tij, nuk janë bërë si duhet. Specialistët e Forumit kanë kritikuar disa herë punën e Institutit të Monumenteve të Kulturës, dukë vënë në dyshim institucionin ‘rojë’ që garanton cilësinë e punimeve që mirëmbajnë monumentet e kulturës dhe ka arritur derisa aty sa të propozojë të mos bëhen më restaurime, për aq kohë sa ato nuk bëhen si duhen.
Në vijim të deklaratës për Kullën e Sahatit, Forumi i Trashëgimisë thotë: “Instituti i Monumenteve e ka humbur tashmë krejtësisht besueshmërinë që mund të jetë në gjendje të ekspertojë restaurimet. Gafa është e njëjtë me atë që u bë para disa muajsh kur përfundoi ‘restaurimi’ i varrit të Kolë Idromenos, por atëherë opinioni shkencor dhe ai publik reagoi duke e detyruar Ministrinë e Kulturës të deklarojë sa për sy e faqe se ka edhe një fazë tjetër restaurimi – fazë që në fakt nuk u krye kurrë. Tani një kullë plastike, me makiazh provincial si të vilave të milionerëve të Golemit dhe Gjirit të Lalëzit, u serviret shqiptarëve si ‘ri-restaurim’.
Para të shpërdoruara për të bërë një restaurim jo vetëm të panevojshëm, pasi kulla ishte tashmë e restauruar sipas kritereve, por edhe të dëmshëm duke i dhënë asaj një imazh që nuk e ka pasur kurrë. Dikush duhet të përgjigjet… INSTITUTI ose MINISTRIA”- me këto fjalë mbyllet reagimi i Forumit. Ndërkaq, “GSH” ka kërkuar dje reagimin e Ministrisë së Kulturës për këtë çështje dhe reagimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, reagim i cili pritet të jepet sot. Kulla e Sahatit e Tiranës është ndërtuar në shekullin e XIX midis viteve 1822-1840. Kulla e Sahatit të Tiranës është monument kulture i kategorisë së I, shpallur me Ligjin nr. 609, datë 24 maj 1948[1]. Ka 90 shkallë në formë spiraleje. Është 35 metra e lartë dhe deri në vitin 1970 ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit.
Fillimisht kishte një kambanë të sjellë nga Venecia e cila binte për çdo orë. Kupola e vendosur në majë i jep asaj një arkitekturë të tipit San Marko. Në vitin 1928 Bashkia e Tiranës bleu një orë nga Gjermania. Kjo orë u shkatërrua gjatë luftës së Dytë Botërore dhe u zëvendësua në vitin 1946 me orën e sjellë nga kisha e Shkodrës, e cila kishte shifra romake. Ora e sotme është vendosur në vitin 1970. Kulla e Sahatit është e hapur për turistët që prej vitit 1996. Ajo është gjithashtu simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)