Qendra historike e Vlorës prej disa muajsh i është nënshtruar restaurimit të objekteve të saj. Kjo qendër është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20. Financues për projektin janë fondi amerikan i zhvillimit, qeveria shqiptare dhe autoritetet lokale dhe investimi shkon në 13 milionë euro.

Qendra historike e Vlorës ndodhet pranë sheshit e flamurit. Ajo ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundshekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Janë 68 objekte që i janë nënshtruar restaurimit. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga.

Një prej godinave është ajo e Bezhanajve, e cila kohe më parë shërbente si banke. Drejtori i Muzeut Historik i Vlorës, Skënder Spahiu tregon historinë e godinës së vjetër. Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga “Justin Godard”, më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart. Rruga “Justin Godard” ka qenë kryesorja e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Në këtë zone historike ndodhet banesa e Marigo Posio, atdhetarja e shquar, e cila me dorën e saj qëndisi flamurin dhe shqiponjën e Flamurit që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 Nëntor, 1912.

E gjithë zona do të përshtatet me elementët e dikurshëm, që nga ndriçimi e deri tek kanatat e dritareve, ndërkohë që është ndërtuar nga e para sistemi i kanalizimeve. Punimet e zonës historike të Vlorës pritet të përfundojnë në vjeshtë, dhe banorët shpresojnë që kjo qendër të kthehet në një atraksion turistik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb