TIRANË- Pas qarkullimit në disa media online por edhe në TV, të lajmit se Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit, i arrestuar për trafik kokaine, zotëronte një pasuri prej miliona dollarësh në Gjermani, Ermal Hoxha, pronari i vërtetë i kësaj pasurie vendosë të reagojë. I kthyer në vendlindje prej disa ditësh për shkak të probleme shëndetësore të babait të tij, Ermal Hoxha, por jo ai i arrestuari për trafik kokaine, shprehet i indinjuar ndaj mediave që kanë abuzuar me emrin dhe bizneset në pronësi të tij ndërsa përgënjeshtron në një prononcim ekskluziv për “BalkanWeb” lidhjen mes emrit dhe bizneseve të tij me trafikun e kokainës.

“Unë jam Ermal Xhavit Hoxha, 38 vjeç. Kam lindur në Tiranë, më parë kam banuar në Krujë dhe aktualisht banoj prej 17 vitesh në Gjermani. Kam qenë në spital sot gjatë gjithë ditës me tim atë, kur më kanë telefonuar dhjetëra miq të mi duke më thënë se isha në çdo faqe interneti të mundshme dhe po ashtu edhe bizneset e mia. U shokova! Duke qenë se jetoj prej vitesh jashtë nuk e di si funksionojnë gjërat këtu dhe nuk dija si të reagoja. Nuk e di ça janë këta gazetarë që nuk verifikojnë informacionet. Më kanë shkaktuar një dëm shumë të madh”, thotë 38-vjeçari.

Ai shton se tek dy prej bizneseve të përmendura është pronar ose bashkëpronar prej vitesh, ndërsa me biznesin në Norvegji nuk ka asnjë lidhje.
“Unë nuk jam ai për të cilin flitet në lajmet e disa mediave online, unë banoj vërtetë në qytetin gjerman të përmendur Neustad ku kam dy biznese. Bëhet fjalë për restorantin “Zur Bruecke” Betriebs, të cilin e kam hapur që prej 8 majit të vitit 2008 me një gjerman dhe në 2014 i kam blerë krejt aksionet. Po kështu zotëroj edhe kompaninë “Pizza Falcone” së bashku me një shqiptar tjetër e kemi blerë që në vitin 2012, si dhe picerinë “Pizza Paradaies”, ku jam bashkëpronar me zonjën Vojsava Taga, që është bashkëshortja e një e shoku. Jam shumë i indinjuar në lidhje me publikimin e këtyre lajmeve”, thotë Ermal Hoxha, emri i të cilit korrespondon me emrin e nipit të ish-diktatorit Enver Hoxha, të arrestuar pak ditë më parë për trafik kokaine, por që nuk ka asnjë lidhje me trafikun e kokainës.

“Ndërsa nuk zotëroj asnjë biznes në Norvegji”, këmbëngul 38-vjeçari, që për fatin e tij të keq ka të njëjtin emër me një prej personave më të përfolur momentalisht në Shqipëri.

Ai u bën thirrje mediave të cilat kanë përdorur emrat e bizneseve të tij të fshijnë çdo informacion pasi nuk ka asnjë lidhje me trafikun e drogës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb