Megjithë arritjet e njohura e të pamohueshme, ëndrra emblematike dhjetoriane 1990 « Ta bëjmë Shqipërinë si Europa » ka mbetur e pa realizuar. Ndonëse është folur shumë, janë hartuar strategji dhe programe dhe janë krijuar komisione gjithfarësh, në praktikë është arritur pak krahasuar me pritshmëritë e publikut dhe objektivat e përcaktuara. Ja pse nuk duhet të habitemi për shkallën e ulët të besimit lidhur me këtë proces historik dhe objektivin e lartpërmendur.
Ndaj, me të drejtë, muajt e fundit janë intensifikuar diskutimet, demarshet dhe përpjekjet për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. Me objektiv përfundimin e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030 mbas procedurave përkatëse të ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Europian. Objektiv tejet i guximshëm, i vështirë për t’u arritur, por gjithsesi pozitiv, mbasi i shërben mobilizimit të strukturave qeveritare, aktorëve dhe faktorëve të tjerë, si opozita, shoqëria civile, grupet e interesit, etj.
Krahas të tjerash, për të njohur më mirë këtë « majë » të lartë e të thepisur » ku po ngjitemi ndihmon dhe një retrospektivë diplomatike e marrëdhënieve BE- Shqipëri në gati 70 vitet e fundit.
Në mbi 4 dekadat e fundit këtë proces e kam ndjekur si dëshmimtar, ekspert, dhe diplomat sidomos në Bruksel gjatë viteve 1997 – 2001 dhe 2011 – 2017 dhe tani në vazhdim si « i shtëpisë » atje. Po ashtu, Në librin më të ri « Negociatat – sfida e fundit e integrimit« tregoj me fakte, argumenta dhe dokumenta historikun e gjatë dhe të mundimshëm plot ecejake, të tatëpjeta dhe të përpjeta të demarsheve gjatë 10 viteve të fundit. Kjo retrospektivë mund të ndihmojë dhe për të kuptuar realisht “ Psetë” për vonesën e pafalshme historike dhe gjatë 35 viteve të fundit me BE-në dhe domosdoshmërinë e kapërcimit të tyre me vullnet politik, reforma konkrete dhe gjithëpërfshirje.
Le ta fillojmë këtë udhëtim politiko- diplomatik në kohë.
Tirana kundër Romës (1947 – 1957)
Nënshkrimi i Traktatit të Romës për krijimin e Komunitetit Ekonomik Europian më 25 Mars 1957 dhe që hyri në fuqi më 1 Janar 1958 ishte akti dhe alternativa më e mirë afat-gjatë e gjashtë vendeve themeluese dhe të tjerave që u bashkuan më vonë për të shmangur përfundimisht përsëritjen e luftrave gjakatare, për begati ekonomike dhe demokraci liberale, në themel të të cilave qëndronin respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ndër 6 vendete para themeleuse ishin tre të mëdha ( Gjermania, Italia dhe Franca) dhe tri të vogla ( Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu) të cilët ishin dhe tre fituese/humbëse të Luftës së II Botërore dhe fqinje me njera tjetrën. Me mesazhin se BE-ja do t’u përkiste të gjithëve, pa dallim dhe me vullnet të lirë. Në fakt, ajo u krijua pa asnjë krismë.
Gjithsesi, BE-ja nuk u krijua spontanisht dhe në boshllëk, por pas disa mesazheve emblematikë dhe hapave madhore institucionale. Ajo u parapri më 1948 nga krijimi i Këshillit të Evropës me Konventën dhe Gjykatën e famshme Europiane për të Drejtat e Njeriut, krijimi i sistemit shumëpalësh ndërkombëtar me në krye OKB-në dhe i Aleancës Atlantike NATO në vitin 1949 si mburoja e saj e sigurisë.
Po në Tiranën tonë çpo ndodhte? Aty pas prishjes më SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Ish-Jugosllavinë po përshkallëzohej lufta e brendshme në Parti, ishte dënuar grupi i deputeteve liberalë që donin zgjedhje të lira dhe pluraliste, kishte ndodhur incidenti i Korfuzit më 1946 dhe ishte sajuar bomba në ish-ambasadën sovjetike më 1951; Shqipëria kishte aderuar te KNERI ( Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke) dhe në Traktatin e Varshavës, si duy kundraversionet lindore të BE-së dhe NATO-s.
Shkurt, Tirana gjatë kësaj dekade të pasluftës po lëvizte në një kahje diametrialisht të kundërt me rrymat moderne Euro-Atlantike, drejt totalitarizmit të kuq. Më 1956 ishte mbajtur Konferenca famëkeqe e PKSH-së, ku ishin shtypur me dhunë zërat liberalë të asaj kohe. Pë pasojë, Shqipëria mbeti vendi i fundit stalinist në botë.
Në Bruksel reformim, në Tiranë revolucionarizim (1957 – 1967)
10 vjet më vonë, kur BE-ja po konsolidohej dhe zgjerohej, kur sapo kishte vendosur lidhje dhe marrëdhënie preferenciale me « simotrat » tona lindore, sidomos në fushën ekonomisë dhe tregtisë, Shqipëria vijonte kursin e kokëfortë të largimit prej saj. Më 6 Shkurt 1967, Enver Hoxha mbajti fjalimin » Pë revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës së partisë dhe pushtetit » vendimet e të cilit shkonin tërësisht në drejtim të kundërt me ato të BE-së. Kur BE-ja po kërkonte dhe kishte disa arritje spektakolare në përpjekjet e saj për begati ekonomike dhe demokraci, te ne u nxorr jashtë ligjit Leku, i cili siç pat thënë Dritëro Agolli i ndjerë u bë i “burgosuri i parë politik” i rregjimit; u dënua penalisht edhe privatizimi më i vogël, filloi shtetëzimi total, u ndalua me dhunë besimi fetar dhe u shkatërruan me mijra objekte kulti për të përmendur vetëm disa prej bëmave famëkeqe të atij dhjetëvjeçari.
Kushtetuta Anti – Evropiane ( 1967 – 1977)
Dekada që pasoi e largoi në ekstremis vendin tonë nga BE-ja, falë ashpërsimit tej mase të ” Luftës së Klasave” që mori trajta të theksuara biologjike dhe ” vigjilencës revolucionare”. Gjatë kësaj periudhe u shtri dhe më tej në formë zinxhiri dënimi dhe asgjënsimi i ” grupeve armiqësore” në letërsi, arte, kulturë, muzikë, në mbrojtje, ekonomi, tregti të jashtme etj. Kjo vetëm e vetëm se drejtuesit e tyre më të lartë guxuan të përmendnin dhe bënin demarshe për futjen e disa elementëve liberalë perendimorë në këto fusha, për të qenë sa më pranë zhvillimeve moderne të kohës. Më 1973, Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që refuzoi antarësimin në OSBE, porta e parë e madhe e hyrjes sonë në Evropë. Pas afrimit të Kinës me SHBA-në dhe vizitës historike të Niksonit në Pekin më 1972 filloi edhe ftohja me Kinën deri në ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve me të në vitin 1978.
Ndërkohë, rregjimi vazhdonte të qëndronte akoma më larg afrimit dhe vendosjes së marrëdhënieve me BE-në dhe SHBA-në, sipas parimit « bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim » Për t’i vënë kapakun juridik këtyre prirjeve antievropiane, pas një « diskutimi të gjerë popullor » më 1976 u miratua Kushtetuta e re ” socialiste” e cila e shpalli Shqipërinë « Republikë Popullore Socialiste » dhe vendin e vetëm ateist në botë, pa pronë private, duke ” tufëzuar” gjithçka deri te derrat dhe pulat në fshat! Kushtetuta sanksionoi si tradhëti të lartë ndihmat/kreditë nga vendet perendimore dhe revizioniste dhe bashkëpunimin ekonomik me to. Ndërsa BE-ja, NATO, SHBA-të krahas ish Bashkimit Sovjetik u shpallën ligjërisht si armiqtë më të mëdhenj të socializmit dhe vendit tonë!
As lindje, as perëndim! ( 1977 – 1987)
Ky dhjetëvjeçar e gjeti BE-në të zgjeruar në numër me Britaninë e Madhe ( 1971) ndërsa mbas viteve 80 Greqinë, Spanjën, Portugalinë dhe Danimarkën. Gjatë kësaj periudhe u krijua tregu i njehsuar, bashkimi doganor etj. Edhe vendet e tjera lindore kishin avancuar në marrëdhëniet me BE-në, ndërsa disa shtete të tjera dhe asnjanjëse, si Austria, Finlanda dhe Suedia ishin në proces të antarësimit të tyre në BE-në dhe u nënë pjesë e saj në vitin 1992.
Kurse në Shqipëri, edhe pas vitit 1985, shpresat për një afrim drejt BE-së u venitën sërish, megjithë ndonjë shenjë fare të vakët propagandistike dhe për një njoftim për afrim milimetrik në Kongresin e 9-të të « vazhdimësisë » në Nëntor 1986. Në vend të afrimit të vërtetë pati disa demarshe dhe tentativa me RFGJ-në, por gjithnjë sipas parimit « as hapemi as mbyllemi, as lindje as perëndim, as kështu dhe as ashtu”, ose ”as mish as peshk» Tre vizitat historike të Shtrausit, këtij gjigandi të politikës gjermane midis viteve 1984 -1987 treguan qartë dëmin e pallogaritshëm të Kushtetutës se vitit 1976 bashkë me mungesën e përgjegjësisë dhe fleksibilitetit të regjimit për të lëvizur qoftë dhe brenda limiteve të sistemit.
Kur ” prishnim ” atmosferën festive të BE-së ( 1987 – 1997)
Më në fund, erdhi demokracia me shpresa tejet të mëdha, këtë radhë jo vetëm për afrimin e vërtetë dhe të shpejtë por dhe antarësimin në BE. Po, u bënë disa hapa institucionalë drejt afrimit me BE-në, NATO, FMN e BB, SHBA dhe Rusinë, etj.
Në Prill 1992 u nënshkrua Marrëveshja e parë e Bashkëpunimit Ekonomik me BE-në dhe synimi ishte që në vitin 1996 apo pak më vonë, të nënshkruhej Marrëveshja e Asocimit. Madje, në vitin 1996 erdhi në Shqipëri Komisioneri i Jashtëm i BE-së, Van den Broeck dhe po bëhej gati gjithçka. Të them të drejtën nuk e di se si do të realizohej një gjë e tillë kur në atë kohë lideri i opozitës socialiste Fatos Nano ishte në burg politik me akuza të sajuara, kur po shkeleshin të drejtat e njeriut, po burgoseshin gazetarët, etj dhe kur ekonomia ishte non-ekzistente. Siç e kam përmendur në disa shkrime të atyre viteve, në vend të ”ekonomisë së tregut” kishte vetëm ”një treg pa ekonomi” ose një ”Pazar” të madh kaotik.
Por, mesa duket, në atë periudhë, vetëm pesë vjet pas shembjes së komunizmit, BE-ja ishte e interesuar t’i përfshinte vendet lindore në gjirin e vet dhe Shqipëria e vogël dukej si ndër vendet më të përshtatshme për këtë eksperiment integrues. Gjithsesi, prapë nuk qe e thënë. Politikanët qeveritarë të asaj kohe mesa duket e donin integrimin evropian thjesht si dekoracion politik dhe për të marrë sa më shumë vota në zgjedhjet e radhës dhe aq. Afrimit me BE-në iu dha një goditje dhe më e rëndë pas farsës elektorale të vitit 1996 dhe sidomos pas krizës famëkeqe të piramidave në Mars 1997.
Më 25 Mars 1997, Ministrat e Jashtëm të BE-së ishin mbledhur për të festuar 40 vjetorin e Traktatit të saj themelues pikërisht në sallën historike të nënshkrimit në Romë. Por, kriza në Shqipëri e prishi atmosferën e festës. Isha i pranishëm si përkthyes me delegacionin qeveritar të kryesuar nga ish-Kryeministri i ndjerë Bashkim Fino në atë sallë historike, ku shqetësimi dhe trishtimi dukej sheshit. Pas fjalës së Finos atë e takuan të gjithë kryediplomatët perendimorë të tronditur pamasë, të zënë dhe si në faj, me fjalë inkurajuese e duke na dhënë kurajo. Po atë ditë, qeverinë tone e bekoi në audiencën e posaçme Papa Gjon Pali i II-të.
Por, prapë 18 muaj më vonë ndodhi rebelimi i armatosur i 14 Shtatorit 1998që na largoi sërish për një afat të pacaktuar nga BE-ja. Një ditë më vonë, duke qenë si Nr. 2 në Misionin tonë diplomatik pranë BE-së në Bruksel kisha lënë një takim në Komisionin Evropian me Shefen e Njësisë për Ballkanin, Tereza Sobieski; mirëpo, sapo hyra në zyrën e saj, ajo e shtangur më tha: ”Ç’po ndodh kështu në vendin tuaj, ne sapo kishin bërë gati programet e rimëkëmbjes ekonomike në vijim të Konferencës së donatorëve për krizën e 1997”?!!!!
Po integrimi ku është? ( 1997 – 2007)
Gjatë periudhës 2000 – 2002 u krijua një bilanc pozitiv me shumë hapa afrimi cilësor, por që pastaj vetë koalicioni qeverisës i asaj kohe e zhbëri pa pikë përgjegjësie. Tamam kur pritej hapja e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, për të cilën përse të mos e them se Kryeministri i atëhershëm Ilir Meta ishte angazhuar seriozisht, filloi ”lufta e bërrylave“ brenda partisë më të madhe e të shumicës parlamentare, duke çuar në rënien e qeverisë, kur ajo sapo kishte fituar bindshëm dhe zëvendësimin e saj me një qeveri të re po të majtë. Mirëpo korrupsioni dhe të këqiat e tjera për të cilin u bë gjithë ajo fushatë, u nxit dhe më shumë nga qeverisja e mëvonshme; për pasojë, ndonëse nga ana teknike gjithçka ishte gati, nënshkrimi i Marrëveshjes se Stabilizim- Asociimit u shty pas zgjedhjeve të vitit 2005 dhe u realizua në Qershor 2006, gjatë mandatit të shumicës së re të djathtë, me bindjen se ajo do të bënte diçka më shumë drejt riafrimit më BE-në.
Sërish afër dhe larg ( 2007 – 2017)
Në pjesën e parë të kësaj dekade pati disa hapa dhe lëvizje pozitive; u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit më 2006, më 2009 u paraqit zyrtarisht kërkesa për hapjen e negociatave dhe statusin kandidat, dhe në dhjetor 2010 u u bë liberalizimi i vizave me BE-në Mirëpo, politika dhe kryesisht mazhoranca e asaj kohe rishfaqi problemet dhe mentalitetet autoritariste dhe u përfshi në një seri ”gërvëresh » politike me opozitën të cilat më vonë u bënë shqetësime serioze për komunitetin ndërkombëtar. Dihen tashmë debatet e ashpra, dështimet e misioneve të BE-së për shkak të kreyeneçësisë së qeveritarëve tanë, vrasja e qytetarëve të pafajshëm nga ana e Gardës gjatë mitingut të madh të ish-opozitës më 21 Janar 2011 dhe më në fund Marrëveshja në Restaurant “ Au Crocodile” në Strasburg.
Dhe, sikur të mos mjaftonin tensionimi në kulm i marrëdhënieve me opozitën, festimi i 100 vjetorit të Pavarësisë gjatë vitit 2012 u shoqërua me disa deklarata nacionaliste dhe anti-europiane nga krerët e qeverisë së asaj kohe, duke prerë sërish shpresat për marrjen e statusit kandidat, edhe pse kishin kaluar 4 vjet nga paraqitja e kërkesës zyrtare. Ngjarjet e mëvonshme e vërtetuam më së miri një gjë të tillë. Vërtet që e djathta e asaj kohe më 2009 siguroi mandatin e dytë, por jo statusin kandidat, për shkak dhe të bllokimit tre vite rresht nga opozita e atëhershme; kjo jo pa arsye, por që gjithsesi mund e duhej të ishte ishte shmangur.
Pas ardhjes së ”Rilindjes” në pushtet, në Qershor 2014, Shqipëria më në fund e fitoi statusin kandidat, një hap i madh drejt afrimit të mëtejshëm, por ishte ende larg çeljes së negociatave, le më pastaj aderimin e plotë në BE.
2017 – 2027 : Çelja dhe përfundimi i negociatave!
Ca më tepër se ”katalogu” i 9, 12 dhe pastaj 15 kushteve, kërkesave dhe kritereve për çeljen e negociatave gjatë u zgjerua së tepërmi me tema problematike dhe ulëritëse – dekriminalizimi, reformimi i gjyqësorit, vettingu, lufta kundër kanabizimit të vendit, korrupsionit, etj duke e vështirësuar edhe më shumë caktimin e një date apo periudhe për hapjen e negociatave me BE-në. Të huajt na e thonin troç: “ Punoni, na thoni kur jeni gati dhe fillojmë bisedimet menjëherë”. Fajtorja kryesore për këtë ultravonesë historike është politika shqiptare, e cila nuk është në gjendje të bashkojë premtimin me zbatimin e ligjeve, sëmundja e saj e kahhershme; krahas ”sëmundjes” kronike të konsensusit me opozitën dhe rishfaqjen e disa parrullave dhe qëndrimeve nacionaliste dhe euroskeptike.
Ndërsa diplomacia jonë zyrtare, duke filluar nga Ministria e Jashtme e deri te përfaqësitë, kanë krijuar përvojë të gjatë dhe pozitive dhe i kanë kryer relativisht mirë detyrat e tyre. Këtu vlen të përmendet Misioni ynë pranë BE-së në Bruksel i cili ka mbajtur dhe përballuar vërtet një peshë të madhe në këtë fushë.
Mirëpo, përvoja e deritanishme e vendit dhe ajo ndërkombëtare dëshmon qartë se sado e aftë dhe kompetente të jetë diplomacia në të gjitha nivelet dhe dimensionet, ajo nuk mund të kapërcejë kornizat e përcaktuara nga politika dhe ca ma pak të kompensojë problemet dhe mungesat e saj të shumta e të vazhdueshme.
Ndërkohë dhe vetë Evropa gjatë kësaj periudhe është ndeshur me kriza të papara brenda saj, sidomos ajo e borxheve, terrorizmi, azili i paligjshëm, COVID – 19, etj. Këto faktorë, telashe dhe sfida të jashtëzakonshme, si dhe « lodhja nga zgjerimi » megjithë deklarimet, demarshet dhe përpjekjet qetësuese të eksponentëve europianë e lanë disi në hije në vitet 2018 – 2022 zgjerimin drejt Ballkanit Perendimor, duke na stopuar në vitin 2019 dhe 2020.
Por aAgresioni rus ndaj Ukrainës e nxorri atë sërish si përparësi gjeopolitike, çka çoi më fund në vendimin përfundimtar për çeljen e negociatave më 22 Korrik 2022 në Bruksel dhe çeljen e tyre praktike në Luksemburg më 15 tetor 2024 me grup kapituj e parë. Tani pritet që brenda vitit të përfundojë çelja e 4 grup kapitujve të tjerë dhe pastaj të vijojë me intensitet puna për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027. Vetëm kujdes, se ky objektiv nuk do trajtuar si i mirëqenë, ndryshe do të zhgënjehemi sërish. Çdo politikan ka të drejtë ta përdorë këtë proces historik dhe kartë, karamele apo dhe fishekzjarr zgjedhor, por pa abuzuar dhe duke marrë të gjitha masat për zbatimin e reformave madhore dhe të vështira, në frymë dhe në gërmë. Këtë e tha qartë në vizitën e saj më 8 prill në Tiranë edhe Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Vetëm kështu viti 2027 mund të kthehet në realitet, që gjithesesi nuk është i tëri në dorën tonë ; ajo çka ne kemi në dorë është të bëjmë më të mirën.