Protesta e sotme e opozitës bëri jehonë në mediat ndërkombëtare, ndërsa në listë shtohet edhe prestigjiozja Reuters që e nis shkrimin me gazin lotsjellës e ujin me presion të hedhur ndaj protestuesve, duke vijuar me deklaratat e Bashës, thirrjet e ndërkombëtarëve, për ta mbyllur më pas me vendndodhjen e kryeministrit Rama.


SHKRIMI I PLOTE NE REUTERS
Policia shqiptare përdori gazin lotsjellës dhe ujin me presion të shtunën, për të shpërndarë protestuesit që u përpoqën të hynin në parlament, pasi marshuan dy herë rreth një ndërtesës së qeverisëduke kërkuar zgjedhje të parakohshme.
 
Protesta fillimisht paqësore u bë e dhunshme kur një numër i vogël nga turma filluan të shtyjnë dhe hedhin gurë mbi policinë që mbronte parlamentin. Disa protestues dhe policë pësuan lëndime të lehta.


Protesta është e pesta që nga mesi i shkurtit, ndërsa opozita kërkon zgjedhje të reja pas akuzave për korrupsion dhe mashtrim elektoral. Ligjbërësit e opozitës, Partisë Demokratike, hoqën dorë nga vendet e tyre parlamentare në shkurt, por një duzinë ligjvënësish zëvendësues i morën ato.


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se Shqipëria nuk do të kishte paqe derisa kryeministri Edi Rama të largohej për të lejuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Diplomatët perëndimorë bënë thirrje për qetësi dhe dialog.
 
‘Shqipëria nuk destabilizohet nga protestat për vlerat evropiane. Ajo është destabilizuar nga krimi dhe përqafimi i qeverisë për të. Kjo duhet të marrë fund’,- tha Basha.

Më parë Bashkimi Europian, me të cilin Shqipëria shpreson të fillojë bisedimet e pranimit në fund të qershorit, dhe Shtetet e Bashkuara i kërkuan të gjitha palëve të përmbahen nga dhuna.

Pasi thirrjet perëndimore ndaj opozitës që të mos heqin dorë nga vendet e tyre në parlament u kundërshtuan, BE tha se mbështet të gjithë ata në parlament që po punonin për të çuar përpara përpjekjet e Shqipërisë për t’u bashkuar me BE.

‘Nuk mund të ketë stabilitet pa demokraci dhe pa drejtësi’, tha Basha, duke u zotuar të vazhdojë të protestojë.

Duke folur në një projekt të rinovimit urban në qytetin e Beratit, Rama nuk bëri asnjë referim të drejtpërdrejtë ndaj protestave, por tha se qeveria e tij ishte këtu për të qëndruar të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme kombëtare që duhej të mbaheshin në qershor 2021.

Duke njohur përparimin në rindërtimin e gjyqësorit për të çrrënjosur gjykatësit e korruptuar dhe për të luftuar krimin e organizuar, BE tha se më shumë duhet të bëhet para zgjedhjeve vendore në qershor.

‘Tani është shumë urgjente të kapërcejmë situatën aktuale politike duke krijuar një platformë kombëtare të dialogut midis të gjitha palëve të interesuara, gjithashtu duke pasur parasysh zgjedhjet komunale të ardhshme të qershorit’, shtoi BE.

(BalkanWeb)