Policia e Shtetit, pas një punë të mirfilltë hetimore, ka arritur të arrestojë një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se në pranga ka rënë Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja.

Xhelal Rraja ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.

“Policia e Shtetit

Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xhelal Rraja

Xh. Rr. ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja sipas SPAK ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit e Endrit Dokles që tentuan vrasjen e ish ligjvënësit tjetër socialist Arben Ndoka. Prokuroria thotë se Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashkëpunim me Xhelal Rrajën, vëllain e ish deputetit socialist dhe Marklen Hakën, thurën planin për të vrarë Ndokën.

Ai përmendet në përgjimet e dosjes Metamorfoza si përdorues i një telefoni SKY me pseudonimin H2. Kujtojmë se një vit më parë, Xhelal Rraja u përfshi në rrahjen masive që ndodhi në Thumanë ndaj dy kushërinjve, Jashar dhe Bilbil Maja, ngjarje pas së cilës vëllai i tij deputet dha dorëheqjen. Në atë kohë, Xhelal Rraja u shpall në kërkim nga policia.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: