MORINE- Hapet pika e kalimit kufitar, e revitalizuar, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në Morinë. Revitalizimi i pikë kalimit përfshin kabina të reja kontrolluese, sistem elektronik dhe ndërtesën administrative të cilat do të mundësojnë zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit.

Pikë kalimi kufitar në Morinë e mbulon pjesën më të madhe të qarkullimit të mallrave përmes Kosovës, si dhe pothuajse të gjithë trafikun turistik që hyn në Shqipëri nga Kosova.

Projekti prej një milion euro, i financuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, ofron infrastrukturë për kontrolle efikase të kufirit, në përputhje me kërkesat e BE-së duke pasur parasysh standardet e Schengenit.

Pikë kalimi i rindërtuar kufitar mbështet punën e policisë kufitare dhe të migracionit, duke kontribuar në arritjen e efikasitetit më të lartë dhe performancën më të mirë.

Në ceremoni morën pjesë shefat e BE-së në Kosovë dhe Shqipëri, Nataliya Apostolova, dhe Romana Vlahutin, zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, dhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi.

Ambasadorja Vlahutin, tha se “kjo pikë mundëson bashkëpunim më të mirë dhe efikas. Sot nuk po hapim një ambient të ri me 12 korsi, por po i lidhim dy vendet për t’i dërguar në BE me standarde. Nga ky projekt do të përfitojnë jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset. Integrimi i suksesshëm ekonomik kërkon bashkëpunim në mes dy institucioneve”.

Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi theksoi se ky inaugurim vjen në një kohë kur Kosova dhe Shqipëria kanë marrë dy lajme të mira, liberalizimi i vizave për Kosovën dhe data për hapjen e negociatave për Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb