Kreu demokrat Sali Berisha iu bashkua protestuesve të PD-së që janë mbledhur në rrugën e Elbasanit.
“Është një revoltë e qytetarëve kundër narko-diktatorit. Është një dimër i vështirë si për argatin e Tiranës ashtu edhe padronin e Beogradit.
Në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin, edhe në Tiranë, argati nuk ka të ardhme”, tha Berisha.
Ai përshëndeti qytetarët e Tiranës dhe i siguroi se kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë.
“Nuk do të ndalojmë deri sa të realizojmë objektivat tona: Qeveri teknike dhe zgjedhje të lira”, tha Berisha.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Edi Rama nuk pranon kërkesat e opozitës, Berisha tha se ai do të rrëzohet.
“Do të rrëzohet me mosbindjen civile. Kemi aplikuar 15 forma të mosbindjes civile. Këta do të përfundojnë shumë keq”, tha Berisha.
Ai u shpreh se opozita ka sakrifikuar, ka bërë beteja, dhe është shpërblyer.