Nga: BUJAR VANI*
Ngjan se ditët e nxehta të kësaj vere të tejzgjatur deri në mesin e shtatorit nuk e kanë stepur pushtetin e ri vendor në Tiranë të prodhojë ide të reja, të promovojë nisma të pareshtura e të shpalosë energji të pashtershme për t’i ndryshuar faqe kryeqytetit tonë të zhuritur nga asfalti e tymi i makinave, të lodhur nga ndotja e pluhuri i pamatë, e që zhurmon nga tramvaji ropatës i kryebashkiakut që shkoi! E pikërisht duke ndjerë entuziazmin dhe shpirtin e iniciativës të bashkiakëve të rinj, para do kohësh patëm marrë guximin të ngremë shqetësimin tonë për mungesën dhe varfërinë në vepra monumentale të mjediseve urbane të kryeqytetit, po në këtë gazetë. Dhe vumë re me kënaqësi se sensibiliteti i këtij pushteti është tejet i lartë, reagimi mjaft i shpejtë, ndërsa zgjidhjet të papritura e origjinale. Aq sa pa ndrojtje mund të thuhet se edhe në këtë drejtim shihen shenjat e një revolucioni, po po të një revolucioni artistik, me ide kreative e befasuese.
Më befasuese në këtë rast duket edhe solidarizimi dhe suporti material i miqve të huaj të Bashkisë së Tiranës, që me bujarinë që i karakterizon vrapuan të vijnë në ndihmë duke sjellë objekte artistike “monumentale” e njëkohësisht funksionale. Pas kioskave të WC-ve publike që u vendosën dy e nga dy nëpër mjedise qendrore publike, ku hallexhinjtë tashmë ndjehen të lehtësuar, nëpër pika “strategjike” të kryeqytetit “mbinë” edhe burimet freskuese të dhuruara nga Kuvajti, në formën e portave të hamameve (?) apo të qyteteve arabe në mesin e shkretëtirës, apo të ibrikëve të salepit, me nga dy rubineta moderne në to.
Vërtet Tiranës iu hoqën shatërvanët demode të kohëve të vjetra të saj, vërtet nuk u ruajt tradita e çezmave të lagjeve, të trumave publike, të krojeve të gurta që buronin ujin me lug, por tashmë kemi vepra arti publike të reja, plot atraktivitet për turistët, plot befasi për vetë tiranasit, plot freski rubineti për të vaposurit! Vërtet që të kujton diçka nga Orienti arab, vërtet që pas tyre pret të të dalë në horizont shkretëtira e famshme, vërtet që nuk sheh kund beduinë, por ama ibrikët madhështorë krijojnë mjaft ekzotikë në kryeqytetin shqiptar, në kontrast me emrat modernë e perëndimorë të rrugëve e shesheve!
Për më tepër, ajo që duhet vlerësuar është edhe mendjemprehtësia e atyre që kanë caktuar vendet për këta ibrikë salepi, dhuratë nga Kuvajti, pasi kanë krijuar harmoninë e duhur funksionale me mjedisin përreth apo me objektet e tjera të artit që gjenden në to. Meqë duket se revolucioni artistik me ibrik vijon, pasi shihen ende të krijohen bazamente të reja për t’i instaluar, kemi komoditetin në hapësirën e këtij shkrimi, të themi edhe dy fjalë për asociacionin që krijojnë me mjedisin dhe për domethënien që shprehin ato ende pak që janë vendosur tashmë dhe ku qytetarët më tepër se freskohen, shuajnë kërshërinë dhe sodisin të mahnitur këtë risi befasuese në qytetin e tyre. Pas portave (të hamameve?) në krye të Parkut Rinia e në krye të lulishtes pas Pallatit të Kulturës, erdhën menjëherë edhe ibrikët. (Por në parantezë, si për të plotësuar tablonë dhe për të nxjerrë në pah më tepër kreativitetin e bashkiakëve të rinj, duhet të përmendim edhe nismën për të mbuluar Monumentin e Pavarësisë dhe për t’i vënë në krah dy kioska WC publike. U tha për restaurim, por ne na shkon mendja se një veprim i tillë kishte një qëllim më të mprehtë dhe më vizionar: Të edukonte dhe të ndërgjegjësonte qytetarët e Tiranës se ajo binaja e madhe që e kujtonin për WC publike dhe ku urinonin rregullisht, nuk kishte atë funksion edhe pse ngjante si e tillë, por ishte një monument dhe madje vetë Monumenti i Pavarësisë, pavarësisht se vetë Ismail Qemali kishte dalë “për kismet” njëherë andej nga Rogneri?).
Po le të kthehemi te ibrikët. I pari që u vendos me gjasë në sheshin “Ataturk”, apo siç njihet rëndom “21-shi”, duket se kërkon t’i bëjë karshillëk vetë Ataturkut që ndërmori reformat e famshme për modernizimin e Turqisë. Tjetri, pas kurrizit të “Avni Rustemit” qëndron me lëfytin përballë Qendrës Stefan, po për këtë po i kursejmë komentet. Por i treti, ai “i vërteti”, meriton një përshkrim më të hollësishëm. Përballë dy kioskave WC-je që mbajnë mbi vete një tabelë rruge “Xhorxh Bush”, ai qëndron madhështor përpara një shatërvani të vjetër si për t’i bërë konkurrencë ujërash. Duke e vështruar në kuadër të një ansambli monumental, pikërisht në lulishten krah Parlamentit dhe Akademisë së Shkencave, ai ibrik është renditur dhe harmonizuar me bustet e personaliteteve të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare. Në mes Jeronim de Radës dhe Fan Nolit, me Aleks Budën e Sabri Godon pas vetes, ai nuk ka sesi të mos pretendojë të përjetësohet dhe të emërtohet si personalitetet e tjera, me emrin “Ibrik Salepi, lindi në Kuvajt në epokën e lavdishme të udhëheqjes bashkiake të Erionit, u vendos krahas personaliteteve të tjera shqiptare, e një zot e di kur do t’i vijë skadenca”. Padyshim që ka qenë një mendje inteligjente e plot vizion ajo që ka caktuar atë vend, pasi i kujton edhe vendlindjen Nolit, Ibrik Tepenë…
Pra bashkia e re e Tiranës edhe në sferën e pasurimit me monumente të mjediseve publike të kryeqytetit, po bën revolucion artistik, jo vetëm në plotësimin e vendeve vakante, por edhe në idetë e parrokshme për t’i ndryshuar fizionominë. E kjo në fakt pritej, se edhe kur ishte ministër u vërejt prirja e tij për objektet artistike ekzotike, kur në oborrin e një ministrie shqiptare, vuri simbolin e një populli tjetër nomad, rrotën e romëve. Një rrotë tjetër është edhe në krah të Rognerit, por për atë nuk po flasim se duket se është vendosur para epokës së tij. Ndonjë gojëlig edhe mund ta përgojojë e të thotë se këto nuk i shkojnë profilit të qytetit tonë, por kjo bie ndesh me vizionin universal dhe me identitetin global! Dikush tjetër mund të thotë se s’ka ndonjë meritë se ishin dhuratë nga Kuvajti, e jo çdo dhuratë duhet pranuar pasi pas dhuratës përherë ka një hile, e kjo në fakt na fut në mendim se mos ndoshta ndonjë miku tjetër të huaj i lind dëshira të na dhurojë objekte “artistike” për të plotësuar deficitin monumental të kryeqytetit, e kushedi se çfarë na sjell. Kemi parë kohë më parë një prezervativ gjigand të valëvitej mbi Korpusin qendror të Universitetit, por ishte i përkohshëm si reklamë, edhe pse domethënës për asociacionin që krijonte me vetë prodhimin e universitetit shqiptar. Mirë po të kujtohej dikush nga Danimarka e të sillte ndonjë simbol rrote djathi, por ruajna zot (ende nuk heqim dorë prej mendësisë tradicionale e mospërshtatjes me idetë revolucionare të bashkiakëve të rinj të Tiranës) sikur të kujtohej dikush nga Spanja të sillte si simbol të betejave toreadore imazhin e topeve të demave, apo ndonjë sipërmarrës i huaj prodhimesh sanitare të sillte me shumicë oturakë të mëdhenj të përshtatshëm për mjedis publik, pasi nisma artistike atëherë nga revolucion ibriku do të kthehej në revolucion oturaku….

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: