NGA SENAD NIKSHIQI

SHKODËR- Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka përzgjedhur vendosjen e një monumenti në Shkodër në përkujtim të revolucionit hungarez antikomunist për të thënë se Shqipëria është ende në komunizëm dhe se nuk është e lirë. Sipas kryebashkiakes, në fjalën e saj përpara ambasadorit hungarez, strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit janë ende prezente jo vetëm në Shqipëri.

“Dua t’ju them zoti ambasador se Shqipëria sot është ende në komunizëm. Strukturat e ish-Sigurimit të sistemit të mëparshëm monist janë përsëri prezente në Shqipëri. Shqipëria nuk është e lirë zoti ambasador. Qytetarët janë mes një terrori fizik dhe politik dhe nuk ndjehen të lirë. Historia sot po na përsëritet dhe shqiptarët po jetojnë mes frikës. Është shumë e rëndësishme për të kujtuar të shkuarën, sepse na vlen edhe në ditët e sotme në mënyrë që të mos përsëritet siç po ndodh”, – deklaroi Ademi.

Kryebashkiakja e Shkodrës bëri edhe një apel për qytetarët, duke i bërë thirrje që të ndjehen të lirë. “Shqipëria vuajti shumë në vitet e komunizmit. Unë kam një apel sot për të gjithë. Ne erdhëm nga vendet e tjera në Shqipëri me shpresën se do të jetojmë në një shtet me demokraci dhe për të dhënë kontributin tonë për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Apeli im ndaj të gjithë qytetarëve është që të largojnë çdo lloj frike dhe të ndjehen të lirë. Nuk duhet ta harrojmë të shkuarën dhe ditë si kjo na shërbejnë shumë mirë për të kujtuar vuajtjet, por edhe për të mos lejuar atë që sot po ndodh. Hungaria dhe Shqipëria janë dy shtete që revolucioni hungarez antikomunist i bashkon”, tha Ademi.

Këto deklarata vijnë në një moment kur situata mes kryebashkiakes Ademi dhe kryeministrit Rama janë të tensionuara dhe në një kohë kur në Shkodër qeveria ka ndërmarrë disa aksione si nga doganat apo krimi ekonomik, duke bërë që Voltana Ademi ta cilësojë si një terror politik, ndërsa PD dega Shkodër dhe FRPD të organizojnë dy protesta njëra pas tjetrës.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb