Nga: ILIR KALEMAJ*

Transformimi global i medias po pëson një revolucion si në lloj, ashtu edhe në strukturë. Veçanërisht domethënëse është metamorfoza që po pëson shtypi i shkruar përkundër konkurrencës gjithnjë në rritje të botës televizive dhe mbi të gjitha internetit dhe aftësisë së tij divulgative nëpërmjet burimeve të shumëfishta në kohë reale që ofron. Revolucioni me risitë e tij në teknologji, infrastrukturë ka ndikuar jo pak në llojin dhe shpërhapjen e informacionit duke i rritur autonominë dhe vendosur në plan të parë lexuesin, i cili tashmë është i lirë të zgjedhë kur dhe si të dojë të lexojë diçka. Madje jo vetëm kaq, por nëse dikur të duhej të shkoje te faqja e gazetës apo revistës së preferuar, sot vijnë ato te ti, mundësuar natyrisht nëpërmjet rrjeteve sociale, ku ti u bashkëngjitësh atyre që të pëlqejnë dhe link-et përkatëse të vijnë sipas preferencave, gjë e cila rregullohet tashmë kollaj falë algoritmeve të fuqishme dhe përherë dhe më të sofistikuara.

Nga ana tjetër, kjo e demokratizon shpërhapjen e informacionit, duke qenë se gjithkush mund të jetë në të njëjtën kohë jo vetëm lexues apo ndjekës pasiv i lajmit, por mund të jetë në të njëjtën kohë edhe krijues apo raportues i lajmit. Gjithkush i pajisur me kamera mund të fiksojë diçka në kohë reale, ta komentojë, të sintetizojë një lajm dhe ta hedhë me shpejtësi në rrjet. Madje, së fundmi, edhe në Shqipëri, tendenca ka filluar të shihet përherë e më qartë e një ndikimi në rritje të rrjeteve sociale te media mainstream, ku kjo e fundit shpesh ndan materialet e hedhura kuturu në faqet personale të blogerëve të spikatur.

Ashtu sikundër Silicon Valley në Kaliforni ka qenë laboratori ku u prodhua industria e dot com-eve dhe revolucioni teknologjik, edhe New York-u po kthehet me shpejtësi në një tokë pjellore në revolucionin e masmedias online nga faqet e njohura ndërkombëtarisht “Huffington Post” apo “Bussines Insider”, deri tek ato më specifike për tregun amerikan si “The Daily Beast”, “The Intercepter”, “ProPublica”, “Talking Points Memo” apo e shumë-diskutuara “BuzzFeed”. Ky model po përhapet me shpejtësi anembanë globit, ku përherë e më tepër individë të spikatur, apo skuadra të vogla të përbëra nga gazetarë dhe reporterë kanë krijuar media alternative, qofshin të karakterit investigues, sintetizues apo analitikë, apo edhe një përzierje të këtyre kategorive. Në Shqipëri sajte të tillë si BIRN apo deri diku “Respublica” deri pak kohë më parë i përgjigjen këtij profilizimi. Ndërkohë që edhe gazetaria print njëkohësisht po mundohet të sjellë një qasje krejtësisht ndryshe në formatin online për të tërhequr gjithnjë e më tepër lexues, mundësisht të ndryshëm nga tipologjia e lexuesit tradicional, që nxiton për të blerë gazetën e mëngjesit. Shembulli kryesor këtu është “BalkanWeb” si faqja shqiptare me më shumë klikime sipas alexa.com, por edhe gazeta “Tema” dhe të tjerë.

Transformimi i medias nga printi në median online ka cekur jo vetëm atë tradicionale me gazetat e njohura që lexohen shumëfish sot më tepër në rrjet se të printuara, por disa madje kanë guxuar qysh herët për të vendosur abonime me pagesë për artikujt si “Wall Street Journal” apo “Financial Times” dhe të tjerat e kanë ndjekur me shpejtësi, ku faqet e “New York Times”, “The Economist” etj., të lejojnë të lexosh vetëm një numër të kufizuar artikujsh falas, ndërsa pjesa tjetër vjen e ofruar kundrejt abonimeve me afate të caktuara. Por kjo nuk do të thotë që roli i gazetës apo revistës në print ka përfunduar dhe po kalojmë automatikisht në epokën dixhitale me një kapërcim të vetëm pindarik. Madje, edhe pionierët më avantguardë të dixhitalizimit dhe stinës së re të erës virtuale, nuk kanë guxuar të mendojnë një Rubikon të tillë që do të mundësonte kalimin sakaq nga bota e Gutenbergut në atë të Steve Jobsit dhe Gates në gazetari me një të rënë të lapsit. Më tepër duken si komplimentare dhe të detyruara të bashkëjetojnë në një martesë jokonvencionale, e cila për ata që kanë ditur ta kuptojnë dhe parashikojnë trendet në avancë, ka sjellë më të mirën e të dyja botëve. Madje, kjo i ka fuqizuar gazetat e fuqishme tradicionale si ato të përmendura më sipër, duke u sjellë lexues të dyfishtë: ata të cilët nuk heqin dorë kurrsesi nga aroma e letrës që shfletohet tok me kafenë e mëngjesit dhe ata të cilët preferojnë të marrin përgjatë gjithë ditës lajmin në smartphon-et e tyre nga burime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Përsa i përket thelbit të gazetarisë, që është hulumtimi i pavarur i fakteve dhe investigimi i së vërtetës në lidhje me një ngjarje, duhet thënë që prej kohësh ka ndryshuar qoftë në formë, ashtu edhe në strukturë. Umberto Eko në librin e tij të fundit “Numri Zero”, por edhe në një intervistë dhënë “Corriere dela Sera” fill më pas, i mëshon për shembull faktit që gazetaria investigative në Itali mori goditje të fortë dhe të parikuperueshme me skandalin “Tangentopoli”, për shkak se nëse deri atëherë gazetarët e ndiqnin një çështje në vijë paralele me sistemin gjyqësor, pikërisht për shkak të një mosbesimi të fortë ndaj këtij të fundit, pas vënies pas hekurave të një pjese të mirë të funksionarëve të korruptuar të drejtësisë, zunë të flinin mbi dafina. Që do të thotë se nisën t’i merrnin të gatshme raportimet dhe dosjet nga vetë funksionarët e rinj (sikundër marrin gazetarët kasetat gati të montuara nga politikanët këtej nga ne) dhe kjo punë u erdhi për mbarë dhe ranë në kurthet e rehatisë pa marrë mundimin e verifikimit të lajmit, konfirmimit të tij nga tri burime e të tjera kanone të gazetarisë, të cilat përfshihen në deontologjinë e zanatit. E njëjta gjë mund të thuhet për gazetarinë amerikane pas skandalit të “Watergate”, apo për atë britanike ku një pjesë e mirë e shtypit të shkruar që shitet më tepër është kthyer edhe në tabloide, natyrisht me përjashtime të rëndësishme si “The Indipendent” dhe “The Guardian”, të cilat janë etalon i gazetarisë serioze.

Natyrisht, kësaj nuk i ka shpëtuar as shtypi shqiptar, ku ndonjëherë në përpjekje për të “peshkuar” lexues, edhe gazeta dhe revista serioze flirtojnë me elementin rozë, duke u kthyer në gjysmëtabloide dhe duke tentuar simbioza që synojnë të zgjerojnë maksimalisht gamën e të interesuarve duke iu përshtatur kategori të ndryshme lexuesish. Në mënyrë të veçantë i kushtohet vëmendje kategorisë së të rinjve, të cilët për hir të së vërtetës lexojnë përherë e më pak apo preferojnë ta marrin lajmin në forma dhe mënyra sensacionale, shpesh larg formave tradicionale, si lajmeve të trajtuara me thellësi apo komente që kërkojnë një background kulturor të caktuar. Gjithsesi, media e shkruar në Shqipëri ka dhënë prova përshtatjeje dhe mbijetese, duke iu përshtatur modeleve simotra gjetkë, edhe në kushtet e një rivaliteti përherë dhe më dinamik me rrjetet sociale, median alternative, blogjet e ndryshme etj., natyrisht pa harruar këtu aspak botën televizive dhe sfidat e saj përherë prezente, veçanërisht në një vend me kaq shumë pluralitet shtypi të shkruar dhe viziv, që herë-herë merr forma inflacioniste, ndonëse personazhet janë po ata.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: