TIRANE-Akuza dhe reagime pati sot mes akademikut Rexhep Qosja dhe kryeministrit të ri në detyrë Isa Mustafa.
Deklaratat janë bërë në rrjetin social Facebook të secilit, ku i pari që ka shigjetuar ka qenë akademiku, që e ka cilësuar Mustafën si vrasës. Por nuk ka vonuar përgjigja e kryeministrit që e këshillon Qosjen të shkojë në psikiatri.

QOSJA: THAÇI IA DORËZOI POSTIN E KRYEMINISTRIT, VRASËSIT
Akademiku Rexhep Qosja ka reaguar ndaj ceremonisë së organizuar nga Hashim Thaçi për t’ia dorëzuar pozitën e Kryeministrit Isa Mustafës. Qosja e ka quajtur vrasës Kryeministrin e ri të Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se Isa Mustafa është njeriu i cili udhëhoqi Prishtinën në kohën e Millosheviçit, shtypi dhe vrau protestuesit shqiptarë vetëm pse kërkon Republikë për Kosovën.
Madje, Qosja është marrë edhe me pozicionin e Ministrit të Forcës së Sigurisë, duke thënë se ky portofol iu dha
LDK-së, e cila sipas tij, ka kompromentuar moralin dhe politikën mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovë.
Lexojeni të plotë reagimin:
U tmerrova të premten më 12 dhjetor, kur ish­kryeministrin e Kosovës në detyrë, Hashim Thaçin, e pashë duke ia
dorëzuar kryeministrinë, në tapetin e kuq, kryetarit të LDK­së, Isa Mustafës.
A e dinte Hashim Thaçi se kujt po ia dorëzonte kryeministrinë e Kosovës?
A e dinte Hashim Thaçi se Isa Mustafa ishte kryetar i Qeverisë së Prishtinës në kohën e kasapit të Ballkanit,
Sllobodan Millosheviçit!
A e dinte Hashim Thaçi se Isa Mustafa ishte Ministër i Qeverisë së Kosovës e cila në dhjetor të vitit 1989 e urdhëroi
milicinë që të shuante tubimet protestuese të studentëve dhe të rinisë shqiptare, me ç’rast u vranë 32 protestues dhe
u plagosën 70?
A e dinte Hashim Thaçi se kryeministrinë e Kosovës po ia dorëzonte njërit prej vrasësve të protestuesve shqiptarë, që
po kërkonin Kosovën republikë?
A e dinte Hashim Thaçi se asnjë shtet i dinjitetshëm evropian nuk i bën kryeministra vrasësit e atyre që mbrojnë
popullin prej dhunës së pushtuesit?
U tmerrova kur në Kuvendin e Kosovës u dëgjua se Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës iu dorëzua Isa
Mustafës, partia e të cilit s’ka lënë mjet propagandistik pa përdorur me qëllim të komprometimit politik, moral e
kombëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë Luftës e pas Luftës!
U tmerrova kur mendova se, paraardhësja e FSK­së, UÇK­ja, që u çua në luftë kundër pushtimit serb, kundër regjimit
gjakatar të Sllobodan Millosheviçit, dhe shqiptarëve që ishin vënë në shërbim të tij, ndër të cilët ishte rreshtuar edhe
zyrtari i lartë, Isa Mustafa, u tmerrova pra kur UÇK­ja e lavdishme iu dorëzua armikut të vet të dikurshëm, Isa
Mustafës.
U tmerrova kur mendova se ish përfaqësuesi politik i UÇK­së, Hashim Thaçi, harroi se në këtë mënyrë po fyente
rëndë UÇK­në e Luftës dhe po fyente rëndë Forcën e sotme të Sigurisë së Kosovës!
U tmerrova kur kryeministrin e porsazgjedhur të Kosovës, ish­ zyrtarin e Millosheviçit, Isa Mustafën, e dëgjova të thotë
se detyra e parë e Kuvendit të Kosovës dhe e Qeverisë së tij është miratimi i ligjit për gjykatën e veçantë të Kosovës!
U tmerrova kur mendova se Hashim Thaçi duarhapur ia dorëzoi fatin e komandantëve të UÇK­së, në të vërtetë të
krejt UÇK­së ish­zyrtarit të Sllobodan Millosheviçit, kryeministrit të tanishëm të Kosovës, Isa Mustafës,
U tmerrova kur e dëgjova fjalimin programatik, mashtrues, të Isa Mustafës, në Kuvendin e Kosovës, në të cilin
asnjëherë nuk e përmendi fjalën Shqipëri! Dhe si ta përmendte? Shqipërinë e futi shumë lehtë ai në thesin e tij politik
me Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Greqinë, Bullgarinë – si vende të rajonit!
U tmerrova kur disa zyrtarë e jo zyrtarë i dëgjova duke thënë se Isa Mustafa s’duhet të jetë viktimë politike e
jetëshkrimit të vet antikombëtar në kohën e terrorit më të madh të Millosheviçit!
U tmerrova se si të gjithë këta gojëtarë u pajtuan me viktimizimin politik të Fadil Hoxhës, të Veli Devës, të Xhavit
Nimanit, të Ismail Bajrës, të Azem Vllasit e të shumë udhëheqësve të tjerë shqiptarë, që Milloshëviçi i nxori edhe prej
Lidhjes së Komunistëve, sepse po trajtoheshin si nacionalistë shqiptarë, por s’po u pajtuakan me viktimizimin politik
të zyrtarit të përkushtuar në regjimin e Rrahman Morinës, domethënë të Millosheviçit, Isa Mustafës!
A ka parimësi në gjykimet e këtyre njerëzve dhe a ka drejtësi në gjykimet e këtyre njerëzve?
Dhe, a mbrohet dinjiteti politik e shtetëror i Kosovës me gjykime të tilla? Jo, natyrisht.
U tmerrova kur mendova se asnjë anëtar i udhëheqjes së PDK­së dhe, sa më duket, asnjë anëtar i PDK­së, nuk e
ngriti zërin kundër kësaj dhurate politike, fyese për Kosovën, që Hashim Thaçi ia fali Isa Mustafës!
Do të pajtohesha që çdo anëtar i LDK­së të bëhej kryeministër i Kosovës, por dinjiteti politik dhe shtetëror i Kosovës
më bën të vendosur të mos pajtohem që kryeministër të jetë ish zyrtari i Rrahman Morinës, në të vërtetë i Sllobodan
Millosheviçit, Isa Mustafa.
Ky njeri ia ka kthyer shpinën Kosovës në ditët më të rënda të popullit të saj shqiptar; ia ktheu shpinën Bllokut politik
me të cilin gjatë gjashtë muajve shqiptoi aq fjalë komprometuese për PDK­në, kryetarin e saj dhe ish kryeministrin e
Kosovës, Hashim Thaçin.
A mos mendon Hashim Thaçi se ky njeri që ia ktheu shpinën Kosovës në ditët e saj më tragjike, që ia ktheu shpinën
Bllokut me të cilin bëri betejë gjashtëmujore politike kundër tij, mos mendon, pra, Hashim Thaçi se ky njeri zëvendës i
të cilit ka pranuar të bëhet, pas të cilit do ta shohim tani e tutje, s’do t’ia kthejë shpinën edhe atij.
Hashim Thaçi kishte zgjidhjen e dinjitetshme: kishte Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Jakup Krasniqin dhe Albin
Kurtin, por Hashim Thaçi, sigurisht i këshilluar e i ç’këshilluar qysh s’duhet, u deklarua për zgjidhjen fatale!
Ai e harroi një të vërtetë që s’do të dëshiroja kurrë ta harronte: rënia e mjerë e zhvlerëson ngritjen e lavdishme!
Jam i tmerruar sot kur po i shoh të heshtur ish të burgosurit politikë, veteranët e Luftës, invalidët e Luftës, studentët e
Universitetit Publik të Prishtinës – pasardhësit e studentëve të lavdishëm të vitit 1981 – të gjithë ata që Kosovës, me
luftën e tyre çlirimtare, ia kthyen nderin e dinjitetin e humbur. Mos këta të merituar mendojnë se misioni i tyre ka marrë
fund në vitin 1999?
Mos këta të merituar pajtohen me identitetin e tyre të sotëm – të ndryshuar!
Kam drojë, kam shumë drojë se këtë tmerrim do ta marr me vete përgjithnjë!

MUSTAFA, QOSJES: KATËRMBËDHJETË HERË TMERROHU, E TË PESËMBËDHJETËN SHKO NË PSIKIATRI!
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur Rexhep Qosjes, duke e akuzuar se është genjeshtar dhe se duhet të shkojë në Psikiatri. Postimin e Mustafës, në profilin e tij në Facebook, mund ta lexoni më poshtë.
“Rexhep Qosja qenka tmerruar katërmbëdhjetë herë që unë jam zgjedhur Kryeministër dhe që z. Thaçi ma ka dorëzuar detyrën. Herën e pesëmbëdhjetë Qosja le të shkojë te psikiatri.

Regjimi i Milloshevicit më ka ndjekur me padi penale dhe fletëarrest për cenim të integritetit territorial të ish Jugosllavisë dhe jam detyruar të dal e të jetoj nëntë vite në ekzil, e Qosjen nuk e ka prekur askush në Prishtinë.

Një rrenc i madh, si Rexhep Qosja dhe vetëm një mendje e degjeneruar si e tij, mund të prodhoj vrasës, armiq, ashtu siç kanë prodhuar njerëzit e UDB-as jugosllave, e sigurimit shqiptar. Me këtë logjikë Qosja kallte Shqipërinë në vitin 1997, dhe vazhdoi të sulmojë Ibrahim Rugovën e çdo bashkëpunëtor të tij.

Kur shoh se sa i tmerruar është Qosja, mburrem dy herë më shumë që unë jam Kryeministër i Republikës së Kosovës, sepse nuk kam asgjë të përbashkët me te”, ka shkruar Mustafa.
(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb