Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri (SAPC) në një deklaratë në përfundim të mbledhjes dyditore të mbajtur në Tiranë, shprehet keqardhje për atmosferën e polarizimit politik, përhapjen e rasteve të retorikës nxitëse dhe veprimeve të mëvonshme që kërcënojnë të përhapen përtej arenës politike në të gjithë shoqërinë.

Në deklaratën zyrtare u bëhet thirrje të gjithë aktorëve të angazhohen me respekt ndaj konkurrentëve politikë pavarësisht nga dallimet në pozicionet e tyre, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve legjislative të vitit 2025.

Gjithashtu theksohet rëndësia e ruajtjes së një konsensusi ndërpartiak për axhendën e integrimit në BE, si dhe përfshirjen e rëndësishme të shoqërisë civile.

Në deklaratë theksohet rëndësia e përfshirjes së të gjitha zërave nga opozita për të siguruar një qasje vërtet përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse dhe për të forcuar kulturën demokratike parlamentare të Shqipërisë.

Rezoluta e plotë

Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri (SAPC) mbajti mbledhjen e tij të tetëmbëdhjetë më 29-30 Tetor 2024, në Tiranë, bashkë-kryesuar nga Z. Toni GOGU në emër të Delegacionit të Parlamentit Shqiptar dhe Z. Marco TARQUINIO në emër të Delegacionit të Parlamentit Evropian.

Ai shkëmbeu pikëpamje mbi:

1. Shteti i së drejtës; lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
2. Liritë e medias dhe zgjedhjet.
3. Zhvillimi ekonomik dhe turizmi.
4. Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal.

Në përputhje me Rregullin 3 të Rregullores së Brendshme dhe Nenin 122 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit adreson këto Rekomandime për Këshillin e Stabilizim Asociimit dhe për institucionet e Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian:

1. Përshëndet angazhimin politik të Shqipërisë ndaj anëtarësimit në BE, që është çelësi për progresin e vendit dhe reflekton mbështetjen e fortë të qytetarëve dhe konsensusin e gjerë mes partive politike; mirëpret ambicien e autoriteteve shqiptare për të avancuar negociatat e anëtarësimit, të drejtuara nga reformat në vazhdim që mbeten prioriteti kryesor i vendit.

2. Mirëpret miratimin e Pozicionit të Përbashkët të BE-së nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper II) dhe Konferencën e Dytë Ndërqeveritare të mbajtur më 15 Tetor 2024, e cila shënoi hapjen e negociatave për Klasterin 1, “Themelore,” me Shqipërinë; përgëzon këtë hap të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe e njeh Shqipërinë si vendin e parë ndër vendet kandidate që fillon negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit.

3. Përgëzon Shqipërinë për përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, veçanërisht në përgjigjen ndaj sfidave globale, përfshirë vendosjen e sanksioneve dhe mbështetjen për përpjekjet ndërkombëtare; lavdëron pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, duke forcuar më tej rolin e saj si një partner i besueshëm në mbrojtjen e vlerave të BE-së dhe në kontributin për nismat e sigurisë kolektive; i bën thirrje qeverisë shqiptare të respektojë dhe mbrojë të drejtat pronësore të komuniteteve minoritare, duke siguruar që të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, të gëzojnë mbrojtje të barabartë përpara ligjit. Kërkon që autoritetet shqiptare të ndërmarrin hapa domethënës për adresimin e padrejtësive historike të lidhura me pretendimet për pronë, duke forcuar besimin mes minoriteteve dhe përafruar politikat kombëtare me parimet e mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë, të cilat janë thelbësore për vlerat e BE-së.

4. Thekson ndikimin pozitiv të Shqipërisë në stabilitetin rajonal dhe angazhimin e saj për të promovuar marrëdhënie të mira fqinjësore në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor; përgëzon angazhimin proaktiv të Shqipërisë në nismat e bashkëpunimit rajonal, të tilla si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Procesi i Berlinit, të cilat shërbejnë si hapa thelbësorë drejt integrimit në BE; inkurajon Shqipërinë të vazhdojë të zbatojë reforma që forcojnë kapacitetin e saj për të përthithur fondet e BE-së dhe të rrisë rolin e saj në promovimin e stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit ekonomik përmes dialogut dhe gjithëpërfshirjes.

5. Merr në konsideratë rezultatet e arritura nga Struktura e Specializuar për Antikorrupsion dhe Krim të Organizuar (SPAK) dhe nxit përparimin e mëtejshëm në çështjet me profil të lartë, për të çmontuar kulturën e pandëshkueshmërisë që minon besimin publik dhe qeverisjen. Mirëpret nivelin e lartë të bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet Anëtare të BE-së dhe agjencitë e BE-së në luftën kundër krimit të organizuar; kërkon vazhdimin e përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e numrit të ndjekjeve penale me vendime përfundimtare, veçanërisht në çështjet me profil të lartë.

6. Përgëzon zbatimin e vazhdueshëm të reformes në drejtësi në Shqipëri, e cila ka forcuar pavarësinë, transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit; kërkon adresimin në kohë të vakancave në gjyqësor, reduktimin e numrit të çështjeve të papërfunduara dhe shmangien e ndërhyrjeve politike në emërimet dhe promovimet gjyqësore, si dhe forcimin e pavarësisë së gjyqtarëve dhe të sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale, konsolidimin e llogaridhënies dhe integritetit në të gjitha nivelet, qasjen dhe cilësinë e drejtësisë, si dhe ofrimin efikas të drejtësisë; thekson rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare për të siguruar një gjyqësor plotësisht të pavarur dhe efikas.

7. Përgëzon krijimin, në përputhje me dokumentin Screenig te BE-së dhe rekomandimet e Progres Raportit, të Komitetit Ad hoc Parlamentar “Për Forcimin e Reformave në Qeverisjen e Mirë, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në BE”; nënvizon angazhimin e Shqipërisë për të përputhur reformat me standardet e BE-së, duke siguruar qeverisje efektive dhe masa kundër korrupsionit; thekson rëndësinë e transparencës së plotë dhe gjithëpërfshirjes në punën e komitetit, duke garantuar llogaridhënien publike dhe përfshirjen e palëve të interesuara për të forcuar qeverisjen demokratike; kërkon përpjekje të vazhdueshme për mbrojtjen e të drejtave themelore, promovimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të personave që i përkasin minoriteteve kombëtare.

8. Përgëzon miratimin e Strategjisë Kombëtare për Rininë të zhvilluar për të adresuar sfidat me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë dhe për të promovuar zhvillimin e tyre ekonomik, social, arsimor dhe kulturor. Thekson se investimet në zhvillimin njerëzor janë thelbësore për luftën kundër pabarazive dhe për edukimin, përfshirë pjesëmarrjen aktive në proceset demokratike, dhe kontribuojnë në masë të madhe për të çliruar potencialin kapital njerëzor dhe për të rritur zhvillimin njerëzor, rritjen ekonomike dhe punësimin.
9. Mirëpret konsensusin e arritur nga partitë kryesore politike të Shqipërisë për ndryshimet e kodit zgjedhor, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt një procesi zgjedhor më gjithëpërfshirës dhe përfaqësues; përgëzon vendimin historik për t’u mundësuar qytetarëve shqiptarë që banojnë jashtë vendit të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke forcuar kështu pjesëmarrjen demokratike të diasporës dhe duke forcuar angazhimin e vendit për reforma demokratike; kërkon nga autoritetet që të garantojnë lirinë e shoqërimit, përfshirë në partitë politike, dhe lirinë për të kandiduar në zgjedhje.

10. Shpreh shqetësim për situatën e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, përfshirë si rezultat i përqendrimit të tregut dhe audiencës dhe mungesën e transparencës në financimin e mediave; thekson se çdo rishikim i ligjeve të medias duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe të zhvillohet në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, në konsultim me organizatat e medias, me qëllim përmirësimin e lirisë së medias dhe vetë-rregullimit; u kërkon autoriteteve të marrin masa kundër ndërhyrjeve politike dhe ekonomike në media dhe të ndalojnë intimidimin e gazetarëve, veçanërisht atyre që raportojnë mbi çështjet e sundimit të ligjit, pasi kjo minon aftësinë e gazetarëve për të mbuluar tema me interes publik; u bën thirrje autoriteteve të sigurojnë një mjedis të sigurt për gazetarët, duke mbështetur një peizazh mediatik të lirë dhe të drejtë që është thelbësor për forcimin e demokracisë në Shqipëri.

11. Shpreh shqetësim të thellë për rritjen e kërcënimeve nga ndërhyrjet e huaja, dezinformimi dhe sulmet kibernetike që synojnë infrastrukturën kritike të Shqipërisë; përgëzon krijimin, në përputhje me rekomandimet e institucioneve të BE-së, të Komitetit Ad hoc Parlamentar “Për të Koordinuar dhe Mbikëqyrur të Gjitha Veprimet Institucionale për të Luftuar Dezinformimin dhe Format e Tjera të Ndërhyrjes së Huaj në Proceset Demokratike”; nënvizon angazhimin e Shqipërisë për të adresuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja përmes një qasje gjithëpërfshirëse, duke siguruar mbrojtjen e proceseve demokratike dhe thekson nevojën për të zbatuar dhe forcuar në mënyrë efektive strategjinë kombëtare të sigurisë kibernetike.

12. Thekson qëndrueshmërinë ekonomike të Shqipërisë, me rritje të fortë të PBB-së dhe përparim të dukshëm në përgatitjen për të përballuar presionet konkurruese dhe dinamikat e tregut brenda BE-së; vë në dukje përparimin e vendit në reformat strukturore, veçanërisht në tregun e energjisë, infrastrukturën e transportit dhe dixhitalizimin.

13. Lavdëron rritjen e sektorit të turizmit në Shqipëri si një motor kyç të zhvillimit ekonomik; nënvizon rëndësinë e zhvillimit që balancon rritjen ekonomike përfshirëse dhe të drejtë me zhvillimin e qëndrueshëm; përgëzon përpjekjet për të promovuar trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore të vendit, për të mbrojtur biodiversitetin, për të ruajtur dhe mirëmbajtur zonat e mbrojtura, ndërkohë që inkurajon vazhdimin e investimeve në infrastrukturën e qëndrueshme të turizmit; thekson rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit për të ruajtur burimet dhe për të siguruar përafrimin me standardet e BE-së.

14. Kërkon, në këtë drejtim, përafrimin e mëtejshëm të politikave dhe legjislacionit me acquis të BE-së në fusha të tilla si menaxhimi i ujërave, kimikatet, mbrojtja e mjedisit, mirëqenia e kafshëve dhe politika klimatike; kërkon rishikimin dhe përmirësimin e cilësisë së vlerësimeve të ndikimit mjedisor dhe strategjik të projekteve, dhe sigurimin e konsultimeve të gjera publike, në përputhje të plotë me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar.

15. Mirëpret Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve prej 30 miliardë eurosh që i ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor një mundësi unike për të përshpejtuar integrimin e tyre në Tregun e Përbashkët të BE-së, duke sjellë rritje dhe vende pune në një mënyrë të përshpejtuar dhe të qëndrueshme përpara integrimit në BE, paralelisht me nevojën e rajonit për të përfunduar Tregun e Përbashkët Rajonal.

16. Mirëpret Agjendën e Reformave të propozuar nga Shqipëria si pjesë e Planit të Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor; thekson se Agjenda e Reformave duhet të përdoret si një mjet i rëndësishëm për të trajtuar pabarazitë socio-ekonomike, përmirësuar infrastrukturën, lidhjet rajonale, avancuar në tranzicionin e gjelbër dhe dixhital dhe për të kapërcyer sfidat për të siguruar respektimin e qartë të të drejtave themelore, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në përputhje me standardet dhe kërkesat e BE-së.

17. Shpreh keqardhje për atmosferën e polarizimit politik, përhapjen e rasteve të retorikës nxitëse dhe veprimeve të mëvonshme që kërcënojnë të përhapen përtej arenës politike në të gjithë shoqërinë; u bën thirrje të gjithë aktorëve të angazhohen me respekt ndaj konkurrentëve politikë pavarësisht nga dallimet në pozicionet e tyre, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve legjislative të vitit 2025; thekson rëndësinë e ruajtjes së një konsensusi ndërpartiak për axhendën e integrimit në BE, si dhe përfshirjen e rëndësishme të shoqërisë civile; thekson rëndësinë e përfshirjes së të gjitha zërave nga opozita për të siguruar një qasje vërtet përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse dhe për të forcuar kulturën demokratike parlamentare të Shqipërisë.

18. Kërkon nga Shqipëria të sigurojë përputhjen e plotë të kornizës së saj legjislative me standardet evropiane dhe të zbatojë rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe vendimet e GJEDNJ-së në lidhje me të drejtat pronësore; dhe në përputhje me Roadmap për kapitujt e sundimit të ligjit, të paraqitur nga Shqipëria, të sigurojë një sistem të regjistrimit dhe menaxhimit të integruar të pronës që të jetë efikas dhe transparent, i cili do të ofrojë tituj të qartë dhe të sigurt pronësie në Shqipëri, duke përfshirë një shërbim plotësisht të dixhitalizuar që duhet të jetë funksional jo më vonë se viti 2030.

19. Mirëpret gatishmërinë e Shqipërisë dhe kërkon të miratojë para fundit të vitit 2024 dhe të zbatojë aktet nënligjore të mbetura në lidhje me ligjin kornizë të vitit 2017 për mbrojtjen e personave që i përkasin minoriteteve kombëtare në përputhje me standardet evropiane dhe me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara përkatëse.

20. Përgëzon Shqipërinë për përpjekjet serioze të bëra për të adresuar korrupsionin dhe kërkon më shumë dhe përpjekje të vazhdueshme për të forcuar një kornizë parandalimi dhe për të siguruar efikasitetin e saj, veçanërisht në sektorët e rrezikut të tillë si prona, prokurimi publik dhe financat publike; Shqipëria duhet të adresojë në mënyrë sistematike dhe efektive rekomandimet e Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit të Këshillit të Evropës (GRECO).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb