TIRANË-Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta përshëndet rezolutën e Parlamentit Evropian mbi krizën humanitare të Mesdheut votuar dje me shumicë dërrmuese.

“Kuvendi i Shqipërisë inkurajon koordinimin e një aksioni më të integruar dhe më të fortë mes vendeve anëtare, kandidate dhe partnere të Bashkimit Evropian për marrjen e masave të menjëhershme dhe efikase, me qëllim parandalimin e kësaj plage të dhimbshme të Mesdheut, e cila kërcënon të marrë me qindra mijëra jetë të tjera njerëzish të pafajshëm në nevojë dhe viktima të rrjeteve të rrezikshme trafikantësh në hapësirën tonë Evropiane.

Shqipëria si vend Mesdhetar dhe Evropian, qëndron përkrah partnerëve tanë të Bashkimit Evropian dhe është e gatshme të rrisë përpjekjet dhe kontributin e saj kundër trafikantëve të qenieve njerëzore, dhe njëkohësisht shpreh solidaritetin e shoqërisë shqiptare me viktimat e luftërave që rrezikojnë jetët e tyre në ujërat e Mesdheut, në kërkim të një strehe shpëtimi në vendet evropiane.”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, i bindur se hapësira mesdhetare duhet të jetë një zonë zhvillimi social e bashkëpunimi ekonomik, dhe jo një vijë kufitare vdekjeprurëse, mbështet përpjekjet e Parlamentit Evropian dhe të strukturave ekzekutive të BE-së, për koordinimin e një aksioni të përbashkët evropian dhe për gjetjen e mekanizmave solidarë që reflektojnë vlerat humaniste evropiane duke mbrojtur e shpëtuar jetët e njerëzve të pafajshëm dhe të dëshpëruar.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: