TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përshëndetur sot rezolutën e Partisë Popullore Evropiane. Në një deklaratë për mediat Basha theksoi se kjo rezolutë shpreh shqetësimin për situatën politike në Shqipëri, për dhunën në parlament, largimet nga administrata si dhe vjedhjen e votave në Korçë. Basha theksoi se sa i përket reformës në Drejtësi në rezolutën e PPE kërkohet gjithëpërfshirje.


“Në emër të Partisë Demokratike dhe gjithë demokratëve të vendit, kam kënaqësinë t’i shpreh sot falenderimet dhe mirënjohjen e thellë Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane për miratimin e një rezolute shumë të rëndësishme për gjendjen e rëndë të demokracisë për shkak të agresionit dhe revanshit të pandërprerë të dyshes Rama-Meta kundër vlerave dhe standardeve të saj, si dhe për domosdoshmërinë e rikthimit të normalitetit nëpërmjet zgjidhjeve të sugjeruara.


Rezoluta e miratuar nga Asambleja Politike shpreh pikë për pikë jo vetëm shqetësimet e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, por mbarë qytetarëve të vendit, të cilët shohin me shqetësim që një qeveri dhe një shumicë që ka dalë nga binarët e demokracisë, të llogaridhënies transparente përmess mekaniznave kushtetuese, po e thellon çdo ditë e më shumë zullumin e saj, jo vetëm në planin politik, por edhe aty ku dhemb më shumë, në planin e vendimarrjeve të papërgjegjshme që kanë efekt të drejtpërdrejtë në ekonominë kombëtare, ekonominë familjare, varfërinë, papunësinë, rritjen e çmimeve, rritjen e taksave dhe përkeqësimin e gjendjes së vend.


Rezulota është e qartë dhe më lejoni të citoj thelbin e saj; “Duke përshëndetur vendimin e Bashkimit Europian marrë në qershor të 2014 për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë, duke marrë në konsideratë ambiciet e Shqipërisë për të ecur përpara në procesin e Integrimit Evropian, pas përmbushjes së kritereve të Kopenhagen-it dhe përmes fokusimit në prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Europian, duke risjellë në vëmendje se dialogu dhe bashkëpunimi politik mbetet parakusht kyç për të kualifikuar Shqipërinë për hapjen e negociatave për anëtarësim;

Partia Popullore Europiane shpreh shqetësimin e saj të madh mbi përkeqësimin e situatës politike që ka çuar në polarizim, mungesë dialogu dhe bashkëpunimi në Shqipëri; Dënon dhunimet e përsëritura dhe serioze të shtetit ligjor nga ana e shumicës në pushtet; kërcënimet nga përfaqësuesit e shumicës kundrejt opozitës shqiptare, veçanërisht në parlament; shpreh brengosjen për sulmet fizike dhe kërcënimet me jetë ndaj deputetëve të opozitës në parlament nga deputetë të shumicës me precedentë penalë.

Shpreh keqardhje se për një kohë të gjatë është mohuar e drejta kushtetuese e opozitës për të ngritur komisione hetimore parlamentare nga mazhoranca, në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim të ligjeve dhe vendimeve konkrete të Gjykatës Kushtetuese.

Shpreh shqetësim për praktikat e blerjes së votës nga Partia Socialiste (duke iu referuar rastit të Korçës) ; refuzon amnistimin nga maxhoranca të një krimi të tillë, dhe bën thirrje për një hetim të shpejtë, të plotë dhe gjithëpërfshirës të çështjes nga ana e Prokurorisë duke vënë në pah se OSBE-ja ka rekomanduar hetimin dhe ndjekjen penale për blerjen e votave edhe për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Shpreh shqetësim për dorëheqjen e detyrueshme të grave të zgjedhura deputete në rradhët e mazhorancës për t’i hapur rrugën deputetëve meshkuj, shpesh me të kaluar kriminale.

Shpreh keqardhjen për faktin se Reforma Administrative Territoriale u implementua në mënyrë të njëanshme, pavarësisht traditës së gjatë të konsensusit mbi çështjen në fjalë, dhe është e shqetësuar për manipulimin elektoral të hartës lokale.

Ripërsërit alarmin nga përshkallëzimi i largimeve masive të paligjshme të zyrtarëve të administratës publike dhe nëpunësve civilë, veçanërisht në Policinë e Shtetit, duke dëmtuar investimet e bëra nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij për trainimin e një administrate publike profesionale dhe meritokrate në Shqipëri, gjëqë kontribuon në përkeqësimin e përgjithshëm të gjendjes në veçanti përsa i përket rendit dhe sigurisë.

I kërkon koalicionit qeverisës që në respekt të ndarjes së pushteteve të tërhiqet nga kapja e institucioneve të pavarura, të zbatojë me përpikmëri të gjitha vendimet detyruese të gjyqësorit dhe të respektojë parimet kushtetuese të kontrollit dhe balancës dhe sundimit të ligjit në vend; Dënon largimin e paligjshëm dhe me forcë nga puna të zyrtarëve kryesorë të institucioneve të pavarura, duke përfshirë këtu ILDKP, INSTAT, AMA, KLD, përkundër garancive dhënë Parlamentit Europian nga mazhoranca vitin e kaluar”- u shpreh Basha.

Basha fajësoi kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta për situatën politike të krijuar në vend. Ai thekoi se në Evropë nuk mund të shkohet duke qenë kundër saj. “Shpreh shqetësim serioz mbi veprimet e mazhorancës në kurriz të konsensusit politik, siç është trafikimi i mandateve të deputetëve të opozitës në radhët e shumicës, duke përdorur këtë shumicë të krijuar në mënyrë jo etike për të ndryshuar njëanshmërisht ligjet që tradicionalisht kanë qenë të bazuara në konsensus bipartizan; kjo minon përpjekjet serioze të bëra nga Bashkimi Europian për të vendosur një dialog politik cilësor, të qëndrueshëm, dhe gjithpërfshirës, si një parakusht kyç për integrimin europian të Shqipërisë.

Sa për reformën në drejtësi, PPE bën thirrje thirrje për një reformë të bazuar në konsultime dhe konsensus duke përfshirë qeverinë, opozitën dhe aktorët e tjerë relevantë, nën kujdesin e Komisionit të Venecias dhe të organizmave të tjera Europiane, në mënyrë që t’i shërbejë pavarësisë, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit.

Mbështet plotësisht Partinë Demokratike të Shqipërisë, si dhe përpjekjet e saj të përkushtuara për një dialog dhe veprim politik afirmativ. I bën thirrje Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian për të monitoruar nga afër dhe për të marrë masat e duhura, ashtu si në të kaluarën, për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike në Shqipëri. Pra të nderuar qytetarë shqiptarë, rezoluta e Partisë Popullore Europiane konfirmon pa asnjë mëdyshje drejtësinë e betejave dhe qëndrimeve tona politike përgjatë më shumë se një viti në Kuvend dhe jashtë Kuvendit.

Zhbërja e konsensusit dhe miratimi i njënashëm i ligjeve me shumicë të cilësuar përmes trafikimit të deputetëve nga qeveria Rama-Meta nuk është kulturë politike europiane. Miratimi pa konsensus me opozitën nga kjo qeveri i hartës së ndarjes territoriale-administrative dhe manipulimi elektoral i saj nuk është një standard i politikës europiane. Kapja e institucioneve të pavarura dhe përpjekjet e pareshtuara të kësaj shumice për të vënë nën kontroll politik sistemin e drejtësisë nga nuk janë në kodin e demokracisë perendimore.

Shkelja e Kushtetutës dhe shpërfillja e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga kjo shumicë janë një sfidë e hapur ndaj parimeve themelore të demokracisë dhe shtetit ligjor. Kriminalizmi dhe krijimi i repartit të dhunës në Kuvendin e Shqipërisë nga Edi Rama për t’i mbyllur gojën opozitës është damka më e madhe dhe shpërdorimi më i madh që i është bërë parlamentit dhe parlamentarizmit, një gjë e paimagjinueshme dhe e papranueshme për Europën. Jemi shumë të inkurajuar në betejën tonë për këto vlera dhe më optimistë se kurrë për ta fituar atë.

Sot, dy ditë para protestës të madhe për të drejtat ekonomike dhe sociale të shqiptarëve vlen dhe njëherë të thuhet se përgjegjësi kryesor për gjendjen e përkeqësuar në vend dhe për perspektivën e përkeqësimit të kësaj gjendje edhe më tej, është qeveria Rama-Meta me masat e saj të rritjes së taksave, rritjes së çmimit të energjisë, arbitraritetit dhe dhunës me të cilat ka krijuar një pasiguri judirike të pashembullt, ka shkelmuar të drejtat e qytetarëve, ka frikësuar biznesin dhe kapitalin vendas dhe të huaj, ka tkurrur ekonominë, nuk ka hapur por ka mbyllur me mijëra vende pune, dhe është në rrugën e recesionit dhe krizës të plotë ekonomike.

Ndaj duke i bërë thirrje dyshes Rama-Meta, të reflektojnë dhe veprojnë pa u vonuar për të bërë të tyren, për t’u zbrapsur nga ky kurs i gabuar dhe me kosto të lartë për vendin dhe qytetarët shqiptarë, dua të informoj sot zyrtarisht shqiptarët nga kjo foltore, se rezoluta e Partisë Popullore Europiane është rezoluta e një partie e cila ka shumicën në Parlamentin Eueropian, ka presidentin e Këshillit dhe të Komisionit, se Partia Popullore dhe anëtarët e saj qeverisin shumicën e shteteve të Bashkimit Europian. Qëndrimet e Partisë Popullore reflektohen në politikat dhe qëndrimet e qeverive në fjalë.

Shqipëria në Europë nuk mund të ketë asnjë shans, pa Europën, e aq më më keq kundër Europës. Kjo shenjë inkurajimi e madhe për Partinë Demokratike, për aksionin tonë opozitar, le të jetë po kështu dhe një thirrje për të gjithë shqiptarët për t’u bashkuar, për të ngritur zërin tonë kundër shpërfilljes, kundër braktisjes solemne të premtimeve të dyshes Rama-Meta. Kundër mendësisë se qeveria mund të ekzistojë jashtë realitetit të shqiptarëve e të vepruarit kundër interesave të tyre pa dhënë askund përgjegjësi. Le të shërbejë kjo thirrje nga Brukseli për të sinkronizuar aksionin tonë qytetar, jo vetëm opozitar, dhe si një thirrje e shtuar për të zbritur në Sheshin Skënderbej të shtunën në orën 12.00 për ta bërë zërin e çdo shqiptari të degjohet, për t’i thënë jo shpërfilljes, për ti thënë jo braktisjes së qytetarëve dhe interesave të tyre, për ti thënë qeverisë se populli, qytetarët, interesat e tyre janë të përhershëm dhe qeveritë ose i degjojnë dhe i zbatojnë këto interesa, ose bien. ”- u shpreh Basha.

Pyetje: z. Basha, 22 nëntori është dita e protestës. A do të zbardhni diçka në lidhje me këtë protestë?

22 nëntori është dita e një proteste të madhe kombëtare, e cila shërben si një paralajmërim i fortë. Eshtë shumë e rëndësishme që shqiptarët ta kuptojnë se oligarkët stepen e ndalen në rrugën e tyre të zullumit, të padrejtësive, të shkeljes së ligjit të të drejtave të tyre, vetëm kur shohin bashkimin më të madh të mundshëm të njerëzve, për interesat e tyre. Interesa ekonomike, interesa shoqërore, interesa që prekin qytetarët, familjarët, shoqërinë si të tërë. Opozita është të shtunën në krah dhe në drejtim të një proteste popullore kombëtare me axhendë ekonomike dhe shoqërore. Por opozita do të bëjë të sajën derisa kjo qeveri të detyrohet të sprapset nga rritja e çmimit të energjisë, nga rritja e taksave, nga përdorimi abuziv i kamatvonesave për të goditur shtresat më në nevojë, nga rritja e taksave për aktorët kryesorë të ekonomisë, për punëdhënësit e mëdhenj, të mesëm, të vegjël, të cilët detyrohen ose të kalojnë në informalitet ose të mbyllin vende pune. Kauza jonë është kauza e çdo qytetari. E shtuna është dita e çdo shqiptari që ndihet i prekur në të drejtën e tij apo të saj, që ndihet i prekur në garancitë e Kushtetutës dhe ligjeve, që i ofron çdo qytetari për të thënë të tijën apo të sajën. Për të ngritur zërin para qeverisë, për t’u dëgjuar, dhe natyrisht opozita do ta vazhdojë këtë aksion deri në përfundimin me sukses të kësaj kauze qytetare.

(a.n/BalkanWeb)