Teksa kanë kaluar tri vite nga rrëzimi i avionit të pilotuar nga Guido Guidi, në pistën e improvizuar të Ishmit, prej nga dyshohet se kryhej trafik droge, autoritetet italiane i janë përgjigjur interesimit të Prokurorisë për Krime të Rënda.


Burime të besuara pranë këtij institucioni, pohuan për gazetaren Klodiana Lala se kanë riaktivizuar hetimet, pas disa provave të reja që iu kanë mbërritur përmes letërporosisë. Në dokumentin e firmosur nga autoritetet e drejtësisë italiane, në dispozicion të prokurorisë shqiptare thuhet se janë renditur emrat e bashkëpunëtorëve të pilotit Italian në trafikun e drogës, të cilët rezultojnë të jenë kryesisht nga zona e Fushë Krujës.


Disa nga të dyshuarit janë të arrestuar në Itali, gjatë tentativave për të trafikuar sasi të mëdha hashashi, ndërsa të tjerë besohet se ndodhen në territorin shqiptar. Nga hetimet e deritanishme ka dyshime të forta se një grup kriminal me bazë në Fushë Krujë financoi ndërtimin e pistës për ta përdorur më pas për uljen e avionëve të vegjël që do të trasportonin drogën.


Burime thonë se ka dyshime të forta se avionët ia kanë dalë të ngrihen disa here nga pista e Ishmit, kjo referuar të dhënëva të ardhura nga autoritetet e shtetit fqinj. Ndërsa për rastin kur avioni u rrëzua në pistë, burimet thonë se ka gjasa të jetë ngarkuar më shumë sesa mund të transportonte, ndaj gjatë tentativës për tu larguar pësoi defekt dhe ngeci në grykëderdhjen e lumit të Ishmit. Italiani Guido Guidi, u mbajt për muaj të tërë në Shqipëri, në një bazë të fshehtë, c’ka ngre dyshime se ai mund të jetë rrëfyer për autoritetet shqiptare dhe të ketë nxjerrë emrat e atyre që e pajtuan të trasportonte drogë me avion.

Ai u largua nga Shqipëria, pasi gjykata për Krime të Rënda pranoi garancinë pasurore që u dha prej tij. Tashmë  me daljen e provave të reja në dritë, prokurorisë mund t’i duhet të ripyesë pilotin Guidi, i cili me gjasë mund të gëzojë dhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, fakt që s’u pranua asnjëherë zyrtarisht. Por a do të rikthehet ai sërish në Tiranë për t’u përballur me trafikantët, të cilët e pajtuan të bënte trasportin e drogës me avion?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb