“Modeli i Shqipërisë nuk është një model për Europën. Kjo sepse thjesht nuk është e ligjshme. Të paktën nuk është sipas standardeve evropiane“. Kështu është shprehur një zëdhënës i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke sqaruar deklaratën e kësaj të fundit një ditë më parë ku në media u raportua se komisionerja nxiste marrëveshje të ngjashme të vendeve të BE, si ajo mes Italisë dhe Shqipërisë.

Sot mbërriti në Shëngjin anija e parë me refugjatë të cilët u kapën në det të hapur dhe kishin për destinacion brigjet italiane. “BE njoftoi zyrtarisht se kjo metodë nuk është në përputhje me rregullat e komunitetit europian”, shkruan La Repubblica duke iu referuar deklaratës së zëdhënësit të von der Leyen.

Mëngjesin e kësaj të mërkure (16 tetor) zbarkoi në portin e Shëngjinit anija “Libra” e marinës italiane me 16 refugjatë në bord, nga Egjipti dhe Bangladeshi. Ata u trajtuan fillimisht në qendrën e pritjes në Shëngjin ku sipas procedurave duhet të qëndrojnë rreth 8 orë.

Ata vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta. Refugjatët e mbërritur në tokën shqiptarë janë kapur në det të hapur nga anijet patrulluese italiane. Anija Libra monitoron ujërat dhe imbarkon emigrantët e paligjshëm, të cilët sipas marrëveshjes së arritur mes Shqipërisë dhe Italisë, sillen në Shëngjin dhe më pas dërgohen në qendrat e Gjadrit, për të pritur më pas përgjigjen për kërkesat e tyre për azil.

Gjithashtu, në qendrën e Gjadrit është ngritur edhe një paraburgim dhe është caktuar kontigjent oficerësh dhe policësh italianë për ruajtjen, kujdesin dhe procedurat për çdo rast.

Ky i sotmi ështe operacioni i parë dhe pritet të vijojë me grupet e tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb