Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për kryerjen e një riekspertimi pjesor për kostot e dëmit ekonomiko-financiar të demontimit në fabrikën e Poliçanit.

Gazetari Igli Çelmeta raporton se gjyqtarja Irena Gjoka argumentoi se edhe kjo do të bashkohet me provat e tjera dhe se gjykata do të dalë në një konkluzion. Sipas gjyqtares së çështjes, asnjë provë nuk ka fuqi apo vlerë paracaktuese të provuar.

Mbrojtja ligjore e Mediut paraqiti kundërshtimet në lidhje me përgjigjet e pesë ekspertëve në dy seancat e kaluara. Mbrojtja pretendoi në seancën e kaluar se akti i ekspertimit është me të meta në përmbajtjen e tij dhe pretendoi se procesi i demontimit dhe cmilitarizimit është bërë mbi llogaritje jo të vërteta, jo të sakta. Shifrat sipas avokatëve të Mediut, kanë përmbajtje të rremë.

Avokatët kërkuan në seancën e kësaj të mërkure që të merret si provë një ekspertizë private, e përgatitur nga ana e tyre dhe të bëhet pjesë e fashikullit një memo me kundërshtimet e tyre.

Seanca ka përfunduar rreth  orës 12:30 minuta teksa seanca e radhës u la më 17 tetor, ora 13:00.

Në seancë është i pranishëm edhe Fatmir Mediu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb