Ka rinisur në Gjykatën e Elbasanit seanca ndaj ish-kreut të ARRSH Dashamir Xhika dhe 9 të pandehurve të tjerë të arrestuar për vjedhje e shpërdorim detyre. Gazetari Fatmir Popja raportoi për “BalkanWeb” se media është nxjerrë jashtë sallës me kërkesë të prokurores dhe gjykatës. Prokurorja Armanda Xhaferri kërkoi largimin e medias nga salla e gjyqit pasi do paraqiten dokumente që janë sekret hetimor.

Pjesa e parë e seancës u shoqërua me tension dhe debate pas kërkesës së avokatit Neshat Fana, avokat mbrojtës i Andi Tomës, i cili kërkoi përjashtimin e gjyqtares Idush Maliqi.

Gjyqtare e çështjes me gjithë kërkesën e avokatëve mbetet Idush Maliqi pasi u rrëzua kërkesa e tyre për dorëheqjen e saj pas shqyrtimit që iu bë kësaj kërkese.
Dashamir Xhika dhe Andi Toma u arrestuan dy ditë më parë, pasi akuzohen për shpërdorim fondesh për rrugën e Gjinarit.

Avokatët kontestuan faktin që vendimi i gjykatës për miratimin e masës së sigurimit të propozuar nga prokuroria ishte kopje me kërkesën e Prokurorisë. Gjë që është shkelje ligjore. Dhe u pranua nga prokurorja që ishte komunikuar me e-mail.

Avokatët kontestuan mënyrën e kontrollit të banesës, jashtë orareve ligjore dhe duke ushtruar terror sipas tyre në familjet e të akuzuarve.
Po kështu mbrojtësit kontestuan faktin që gjykata kishte pranuar pretendimin Prokurorisë se vlera e dëmit nga kontrata ishte sa gjithë vlera e kontratës, ndërkohë që rruga është përfunduar në 90 përqind të saj.

“Prokuroria pretendon se është shkaktuar dëm ekonomik ndërkohë që kontrata nuk ka përfunduar dhe garancia e punimeve në zotërim nga ARRSH është më e madhe se dëmi i pretenduar nga Prokuroria. Gjyqtarja u tërhoq sepse 4 avokatë u shprehën se ajo kish shkelur procedurat ligjore. Kishte pranuar kërkesat absurde te prokurorisë, nuk kishte vlerësuar provat, nuk kishte asnjë provë në vendimin e Gjykatës për pranimin e masës së sigurimit të kërkuar nga Prokuroria dhe ishte e paragjykuar për çështjen. U kontestua fakti që ka mbi dy vje) që hetohet çështja dhe të akuzuarit janë paraqitur rregullisht. Pse tani futen në burg? U kontestua gjithashtu dhe masa e sigurisë me burg, sepse ata nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore”, deklaruan avokatët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb