Analisti dhe gazetari Genc Burimi në një komunikim të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka komentuar rihapjen e çështjes së 21 Janarit në SPAK.
Burimi u shpreh se familja e viktimës Aleks Nika ka të drejtën për të kërkuar vendosjen e drejtësisë për rastin e tyre, por theksoi se kjo e fundit është kthyer në politike.
Sipas tij dihet se përveç çështjes për drejtësinë e viktimës në fjalë, pas kësaj cenohet Sali Berisha, kryeministri në fuqi gjatë protestës së 21 Janarit 2011, i cili kërkohet të implikohet “me çdo kusht”.
“Nga 4 viktimat e 21 janarit, për 3 është bërë gjykimi, është hetuar dhe gjykuar dhe janë dënuar njerëz. Për Aleks Nikën çështja nuk është gjykuar kurrë sepse hetimi nuk ka shkuar deri në fund, ndaj unë e quaj hapje, jo rihapje. Familja ka gjithë të drejtën të kërkojë drejtësi për rastin e tyre.
Atyre 3 të tjerëve, mirë apo keq u është bërë një gjykim. Drejtësia sot në vend është kthyer në politike. Të gjithë e dinë se përveç çështjes për drejtësinë e viktimës në fjalë, e dinë që pas kësaj cenohet një person, Sali Berisha. Sot kërkohet me çdo kusht të implikohet Berisha. Për mendimin tim kjo do shkaktojë një gjullurdi në sistemin e jurisprudencës shqiptare. Një drejtësi në botë bazohet në jurisprudencë. Kur një avokat njihet me një dosje futet në sistem dhe sheh të shkuarën e një çështje, ndërsa në Shqipëri ky sistem është i çorientuar.
Po të kërkosh fajin te Berisha, kryeministri i asaj kohe, ai mund të thotë si Rama, nuk e kam fajin unë. Nuk gjykohet kryetari i qeverisë për këto vrasje. Në Francë apo në Amerikë kurrë nuk ka shkuar çështja te Biden apo Macron për vrasjet shtetërore në protesta apo në rastin e Capitolit.
Provat janë zhdukur dhe është bërë një katrahurë në dosje. SPAK prandaj nuk donte ta merrte këtë çështje. Rama thotë se gabimi është personal. Nëse vidhet me inceneratorët apo fondet evropiane ai thotë nuk është faji im”, u shpreh ai mes të tjerash.