NGA: FATMIRA NIKOLLI
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të shkojë në Kino studio gjatë kohës që godina në qendër do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Burime të “GSH” bëjnë me dije se teatri dhe artistët do të vendosen përkohësisht në godinën e “Albafilm”, ndërsa nuk dihet se ku do të zhvendoset kjo e fundit. Pritet që gjatë këtij muaji, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e TKOB, Zana Çela të dalin në një konferencë për mediat për të dhënë sqarime mbi zhvendosjen. Konferenca do të mbahet pas kthimit të një pjese të artistëve nga Kuvajti, ku shkojnë për një koncert. Ndërkaq, Teatri i Operës tha dje për “GSH” se informacionet do të jepen zyrtarisht në një moment të dytë. Ndërkaq, punimet për të përshtatur “Albafilmin” në një godinë për Operën, kanë nisur prej kohës. Mësohet se atje po bëhen gati dy salla moderne dhe ambiente, që “GSH” nuk mundi dje të lidhej me drejtorin e “Albafilm” për të mësuar se ku do shkojë ky i fundit, çfarë do të bëhet me magazinat e tij, apo me stafin që në 27 vite ka pësuar jo vetëm rrudhje e tkurrje, por edhe lënien në ‘hije’. Godina ka nevojë për punime të shumta, pasi në një vëzhgim të “GSH” muaj më parë, viheshin re, që muret e godinës ku gjendet drejtoria e “Albafilm” si shoqëri “trashëgimtare” e ish-Kinostudios qenë të lagështa dhe me myk, shkallët e varfra që të ngjisin në katin e dytë u ngjanin godinave të braktisura, ndërsa korridoret e zyrat nuk të thoshin gjë për filmin.

RIKONSTRUKSIONI I OPERËS
Opera ka bërë me dije se “sipas një skede të detajuar, provat vazhdojnë. Konsultimet në lidhje me planin e punës dhe detajet artistike janë pjesë e pandarë e çdo dite. Sot, duke diskutuar planet e detajuara të zhvendosjes, shfaqjeve në vazhdimësi dhe problematikave të ndryshme. Që zbatimi i kalendarit artistik të vazhdojë me ritme të sigurta, çdo detaj është i rëndësishëm”. Ndërsa, në një intervistë të këtij muaji, Zana Çela ka lajmëruar se në ndryshim nga institucionet e tjera kombëtare të kulturës, sezoni i dytë në Teatrin e Operës dhe Baletit nis me Kuvajtin. 52 artistë do të japin shfaqjen e parë për këtë vit, por këtë herë jashtë kufijve të Shqipërisë. Ndër zërave më të mirë që do të këndojnë në shtëpinë e operës së Kuvajtit, Eva Golemit, Vikena Kamenicës dhe Armando Likës do t’i bashkohet edhe sopranoja e njohur Inva Mula. Ndryshimi i dytë që do të sjellë në vazhdim sezoni është përmbajtja e kalendarit. Ai është ndërtuar në funksion të rikonstruksionit të pritshëm. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, është shprehur para Komisionit të Medias se për vitin 2017 me buxhetin e saj, MK ka parashikuar edhe ndërhyrjen dhe rikonstruksionin e plotë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e Ansamblit Popullor (që shtrihet në vitet 2017-2020), Kumbaro ka bërë me dije se ka përfunduar projekti, janë mbyllur procedurat e tenderimit dhe jemi në fazën e lidhjes së kontratës me firmën zbatuese. “Ky investim shkon në 1.2 miliardë lekë, nga të cilat 350 milionë lekë do të përdoren nga granti grek dhe 861 milionë lekë nga buxheti i shtetit (ndarë në 3-vite, 2017-17 milionë, 2018-394 milionë dhe 2019- 450 milionë lekë)”. Sipas saj, ndërkaq vijojnë ndërhyrjet dhe rikualifikimi urban i Qafës së Pazarit dhe By Pass-it në Gjirokastër në partneritet me operatorët strategjikë privatë (AADF). Një tjetër projekt ku do ketë financim Ministria e Kulturës është ai në Apoloni në bashkëpunim me delegacion e BE-së, në vlerën 98 milionë lekë, nga të cilat 87 milionë fond i BE-së dhe 10 milionë nga Ministria e Kulturës.

ISH-KINOSTUDIO
Ish-Kinostudio shtrihej dikur në një territor rreth 80.000 m2, prej të cilave ka vetëm 5000 m2. 1050 artikuj nga kostumet dhe disa makina krahas atyre që janë katandisur në llamarina, nën drejtimin e një shoqërie, që në status cilësohet “servis” i filmit artistik dokumentar dhe të animuar shqiptar. Me gjithë disa “gjurmë” të aktorëve më në zë shqiptarë e makinat prodhim italian, rus e kinez, ish-Kinostudio u ngjan tashmë rrënojave të një perandorie të rënë. ‘Qyteza’ që pat prodhuar për disa dekada filmat shqiptarë, e ka humbur shkëlqimin e magjinë, vit pas viti prej 1991-it. Gjithë ç’mund ta kujtojë tani atë janë magazinat e makinave të përdorura në filma dhe ato të kostumeve, që presin kujdesin e duhur që të mos kthehen në një grusht hekurishtesh e një grusht leckash, sikundër ka ndodhur me ato që janë katandisur në llamarina që do shiten për skrap. Tek parku i makinave disa hekurishte ku lexon “Fije që priten”, “Dimri i madh”, “Shtigje Lufte”, “Operacioni Zjarri”, “Kapedani”, “Zonja nga qyteti” të zënë rrugën, ku përballë sheh makinat e “Kolonel Bunker”, furgonë apo kabrioletë si edhe makina të tjera brenda të cilave ka mbirë bar ose që janë “palosur” njëra mbi tjetrën dhimbshëm. Ka edhe “hekurishte”, ku shquan susta krevatesh apo karrige druri e hekuri, rafte e komodina. Të gjitha, jashtë ‘parkimeve’ të mbyllura, ku janë të futura makinat e mirëmbajtura, që kanë nevojë për goma dhe rregullime të vogla.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: