Fillimi i shkollës do t’i gjejë nxënësit e 9-vjeçares “Dhora Leka” me mjedise krejtësisht të rregulluara. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e godinës dhe falenderoi të gjithë ata që punuan gjatë verës për ta bërë gati shkollën për fillimin e vitit të ri shkollor.

 “Ndjehem shumë krenar për skuadrën që ka punuar gjatë pranverës dhe verës për të kopsitur një xhevahir si kjo shkollë pranë ish-Fushës së Aviacionit. Është një zonë që po rritet si nga ana e Rr. “Dritan Hoxha”, si nga ana e Rr. “Teodor Keko”, sidomos tani me rregullimin e Lanës dhe me rifillimin e punëve në Unazën e Re që kalon te Astiri. Jam shumë i lumtur që kemi akomoduar në një godinë parashkollorin dhe një infrastrukturë moderne”, theksoi Veliaj. 

Shkollës i janë shtuar edhe terrenet sportive, ndërkohë që i është dhënë fund problemit me të ftohtin në dimër, përmes instalimit të ngrohjes qëndrore. “Më në fund, çdo rikonstruksion përfshin edhe ngrohjen qendrore, që të mos kemi asnjë problematikë, qoftë edhe për ato pak ditë që bën realisht dimër. Por, qershia mbi tortë në këtë projekt ka të bëjë me palestrën. Një palestër e mbyllur, nga një zgëqe që kemi pasur në pjesën e pasme të shkollës, e kemi kthyer në një palestër moderne”, tha kryebashkiaku. 

Palestra e re e ndërtuar në anën jugore të oborrit ka ambientet ndihmëse, dhomat e zhveshjes për djem e vajza dhe mjediset sanitare. Veliaj ftoi banorët që të kujdesen për investimin dhe të shfrytëzojnë ambientet e reja për aktivitete komunitare, pas orarit mësimor.

 “Dua t’i ftoj jo vetëm nxënësit që të jenë aktivë në sport, por të gjithë komunitetin; është një hapësirë e ruajtur, e kondicionuar, me të gjitha kushtet higjienike, me dushe, ndaj nuk ka asnjë arsye pse të mos e përdorim 24 orë. Pasditeve, në mbrëmje, kjo godinë mund të shfrytëzohet nga komuniteti, qoftë për organizimin e një takimi, me kurse sportive, sepse fëmijët, sa të rrinë në rrugë, më mirë mësojnë një sport dhe të luajnë në skuadër”, deklaroi ai. 

Bashkia e Tiranës ka realizuar një sërë investimesh të rëndësishme, duke sjellë transformimin e gjithë zonës së ish-Fushës së Aviacionit në Njësinë 7. Veliaj garantoi se puna do të vijojë edhe me pjesën tjetër. “Kemi bërë një seri investimesh, duke filluar nga çerdhja dhe kopshti ngjitur, kemi bërë gjysmën e ish-Fushës së Aviacionit e rehabilituar me kënd lojërash, me shatërvan, me fusha sportive. Këtë vit kemi gjysmën tjetër dhe besoj e kthejmë në një zonë të sigurt për fëmijët”, u shpreh Veliaj.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb