Nga: FATMIRA NIKOLLI*
Sopranoja Ermonela Jaho dhe baritoni Gëzim Myshketa do jenë sërish këtë vit të ftuar të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (në 14 dhjetor ata mbajtën një koncert për bamirësi në TKOBAP). Në muajin shkurt do të vendosen në skenë dy opera të Triptikut të Puçinit, “Suor Angelica” dhe “Giani Schiçi”, ku interpreton dyshja e njohur. Ndërkaq, të ftuar të tjerë nga radha e shqiptarëve të njohur janë sopranoja Oriana Kurteshi e violinisti Jonian Kadeshi, e para për operën “Le nozze di Figaro” të Mozartit dhe i dyti, në fund të janarit do të interpretojë bashkë me orkestrën e TKOB, Simfoninë e 5-të të Çajkovskit e pjesë nga Jean Sibelius.
Vitin që shkoi, ardhja e Ermonela Jahos, Tedi Papavramit, apo balerinët që punojnë në Itali, Kledi Kadiu, Anbeta Toromani etj., apo e Angjelin Preljocajt, rriti në mënyrë të ndjeshme numrin e publikut që ndjek shfaqjet e këtij institucioni, ndonëse ky është publik i ‘marrë borxh’, nëse e krahasojmë me shfaqjet e tjera, ku salla është (gjysmë) bosh, për fat të keq, edhe në natën e premierës. E para se për Jahon, Preljocajn, Kadiun, Toromanin, Myshketën, Inva Mulën, apo Saimir Pirgun ka një numër të madh ftesash të shpërndara sidomos nëpër institucionet e larta shtetërore, ku nuk mungojnë krerë të lartë të shtetit, ministra e drejtorët e tyre bashkë me selfie-t, postimet përgëzuese e krenare për gjithë këtë arritje (që na ka ikur) që në fakt janë arritjet e artistëve, jo të qeverisë që i fton dhe që i bie gjoksit (çka s’e kam kuptuar kurrë), a thua se është meritë e saj, që këta artistë janë të suksesshëm, pra artistë të nivelit botëror, dhe e dyta sepse me emrin që kanë krijuar jashtë, zgjojnë interesin e atyre më pak të interesuarve për këtë art.
Por, a do mbahet në këmbë opera duke ftuar çdo sezon Jahon, Pirgun, Papavramin, Myshketën (me gjithë dëshirën e mirë për t’i parë sa më shumë në skenën tonë)? Apo do mendohet një strategji tjetër?!
Se po të qe kështu, do ftojmë edhe Belushët, Eliza Dushkun, Stan Dragotin, e De Niron, t’i çojmë në teatro e t’i shfaqim në kinema, Anri Salën, Sislej Xhafën e Adrian Pacin në Galerinë Kombëtare të Arteve, Rita Orën, Ana Oksën në Festivalin e TVSH-së, et voilà, u bë kultura jonë.
Përkundër faktit që këta u bënë të njohur se ishin të talentuar dhe se guxuan të shkojnë të tregojnë talentin në kontinentin e vjetër, institucioni ku ata vijnë ‘iu pret këmbët’ atyre që guxojnë të ndjekin këtë rrugë: artistëve të punësuar në TKOB që ikin të interpretojnë jashtë, iu pritet rroga, ndërsa një përplasje me natyrë të tillë bëri që një ndër tenorët e talentuar të mbetur në TKOB, Armaldo Kllogjri, të ikte përgjithnjë nga skena jonë.
Mbase, vite më vonë, kur emri i tij të shihet me gërma të mëdha në kartelonet e përtejdetit do guxojnë ta ftojnë e të rrahin gjoksin se e sollën, se u mbush salla, se qe sukses i jashtëzakonshëm dhe se e gjithë kjo është meritë e tyre, e tyre si europianë. Dhe mund ta bëjnë, pa guxuar t’ia pohojnë as vetes se një ditë, dikur, i treguan derën.
E, ministria duhet përgëzuar që këtë vit ka premtuar të kthejë sytë nga opera, për të investuar diç për kushtet e saj.
TKOBAP ka bërë publik dje kalendarin janar-mars 2015, ku për hir të së vërtetës, shfaqjet janë të shumta, ndonëse mes syresh, ka rivënie siç janë ato që tashmë i përkasin repertorit: baletet ‘Coppelia’, ‘Ballo e Diplomës’, ‘La Stravaganza’, dhe baleti më i fundit, që cili mbylli edhe vitin 2014, ‘Risveglio Dell’Umanita’.
Por, në fund të fundit, buxheti është i vogël, si për çdo ngrehinë kulture, sepse për një popull që mezi ushqehet, kultura duket të jetë luks.
Sipas njoftimit të TKOBAP, një risi që do të dëshmohet shpesh këtë sezon është largimi nga koncepti i “orkestrantit mbrapa kuintave” dhe sjelljen e tij solist koncertist për të qenë protagonist unik. Për dashamirësit e muzikës klasike vjen një cikël shfaqjesh të titulluar “Klasikët në Opera”, i cili do të sjellë kompozitorët më të njohur të rrymës klasike si Hyden, Bach, Mozart, Alessandro Rolla (i cili do të jetë një premierë absolute) etj., në disa koncerte që do të nisin në muajin janar dhe do të vazhdojnë përgjatë gjithë vitit, të cilët do të interpretohen nga solistët e orkestrantët e TKOB). Nuk do të mungojnë as premierat e baletit; në muajin mars do të vendoset në skenë baleti “La Sylphide” me koreografi të Ilir Kernit (drejtori i TKOB). Ndërkaq, Ansambli Popullor do të ketë një seri shfaqjesh, të cilat do të sjellin në skenë vallet dhe këngët e bukura popullore të të gjithë krahinave shqiptare, të interpretuara nga trupa e Ansamblit tonë Popullor. Muaji mars i cili sjell edhe ditën e verës do të sjellë për publikun dy koncerte, një me rastin e ditës së verës, që do të jepet edhe në Elbasan dhe i dyti me titull “Pranverë 2015”.
Sezonin e kaluar është hapur projekti Koreolabus, i cili fton të gjithë koreografët e balerinët shqiptarë të performojnë kreativitetin e tyre. Ky vizion do të përhapet këtë vit në të gjitha zhanret e artit të TKOB. “Të rinjtë në Opera” do të kenë galanë e tyre në 15 janar 2015 dhe janë hapur tashmë audicionet që ata të marrin pjesë edhe në operat që do të vendosen në skenë përgjatë vitit. Edhe kompozitorët e rinj do të kenë hapësirën e tyre në këtë sezon në një koncert që do të sjellë në fund të shkurtit “Muzikën shqiptare në Opera”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: