BERLIN-Nuk ka paqe për ekipet shqiptare. Pas akuzave të ngritura nga mediat holandeze për trukim të ndeshjes Skënderbeu – Den Hag, këtë herë protagoniste bëhet skuadra e Laçit.  Ndeshja miqësore e luajtur në Portugali, Shtutgart-Laci është në dyshim të madh se është manipuluar. Kështu shkruan e gazeta gjermane “Bild” për ndeshjen që përfundoi me fitoren 5-0 të Shtutgarit skuadër kjo e njohur në Bundesligën gjermane. Mediat gjermane ngrenë dyshimin se kjo miqësore mund të ketë qënë nën ndikimin e mafies së basteve.  Janë vëzhguar kompanitë e basteve dhe fitorja e pastër dhe me goleadë e Shtutgartit kuotohej shumë. Në këtë mënyrë dyshohet se Shtutgart – Laci është manipuluar. Pas kësaj ndeshje trajneri i gjermanëve ka deklaruar: “Ne mund të shënonim më shumë gola, shpresojmë që kundërshtari i ardhshëm të bëjë më shumë rezistencë.” Ndërkohë që pas akuzave, reagon zëdhënësi i klubit të Shtutgartit i cili thotë se klubi gjerman nuk ka asnjë lidhje me këto akuza.

“Sistemi i kontrollit të kompanisë së nënkontraktuar nga ne, “Sportradar”, ka vënë re për këtë ndeshje një sjellje jo normale në kompanitë e basteve dhe ndryshime të habitshme kuotash. Vfb Stuttgart, federata gjermane dhe prokuroria u njoftuan për një mundësi manipulimi të një ndeshjeje ndërkombëtare miqësore gjatë fazës përgatitore të Stuttgart në Portugali. Nuk ka asnjë dyshim mbi Stuttgart. Përkundrazi, nëse dyshimet për manipulim janë të vërteta, Stuttgart do të ishte viktima, pasi mori pjesë në një miqësore nën kushte të parregullta” ishte deklarata e gjermanëve. Megjithatë, “Bild” tregohet e kujdesshme në ato që shkruan dhe kërkon të sqarojë diçka të rëndësishme duke theksuar se lojtarët gjermanë nuk kanë të bëjnë fare me trukimin por vetëm ata shqiptarë. Mediat analizojnë se skuadra e Laçit luajti mirë në mbrojtje por më pas në 30 minutat e fundit papritmas lojtarët braktisën detyrat mbrojtëse dhe kundërshtarët shënonin lehtësisht.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: