Pas suksesit në 2018-n, në vitin e parë të organizimit të tij, nesër në mbrëmje rikthehet në Dhërmi, Kala Festival. Këtë vit, për herë të parë, në dy faza, në datat 12-19 qershor dhe 20-25 qershor. I dyti festival ndërkombëtar muzikor, pas UNUM, i cili u organizua në veri të Shqipërisë, Kala Festival nuk e “tradhëton” as këtë vit jugun e vendit, me ujërat e kristalta dhe peisazhet e mrekullueshme të natyrës përreth.

“Jemi së bashku me miqtë e festivalit Kala, për të organizuar për herë të dytë në shqipëri, në dhërmi, një nga festivalet më të njohura në rajon për sa I takon muzikës rinore. Ajo çfarë ne shohim me shumë interes janë përshtypjet fantastike që kanë pasur pushuesit e një viti më parë dhe kjo ka bërë të mundur që këtë vit ne të kemi 5 mijë të huaj, që kanë prerë tashmë biletat për të qenë dy javë në dhërmi dhe qindra vizitorë të vendit, duke e çuar në 7 mijë numrin pjesëmarrësve në festivalin e këtij viti”, tha ministri Klosi.

Përtej promovimit të Shqipërisë turistike, një nga qëllimet e këtij festivali të njohur në të gjithë botën, ajo që duhet vlerësuar, sipas ministrit, është sidomos kontributi financiar që ky festival sjell për komunitetin e zonës. “Ajo që është më interesante është që me dhjetëra të rinj do të punësohen gjatë këtyre dy javëve, po bëhen planet që vitin që vjen të arrijmë të organizojmë 4 festivale në Dhërmi, gjatë sezonit 2020. Kjo tregon trendin e turizmit shqiptar, i cili po disafishohet në të gjitha aspektet. Shpresojmë shumë që vitin e ardhshëm shqipëria të shikohet si destinacion për turizmin rinor dhe të muzikës”, tha ministri Klosi.

Ai vlerësoi edhe punën e institucioneve lokale. “Bashkia e Himarës dhe prefektura e Vlorës kanë bërë një punë të shkëlqyer për të organizuar intenerarin e aktiviteve, por padyshim kemi shumë nevojë që biznesi lokal të kuptojë se ky aktivitet sjell shumë të ardhura, që duhet të mirëadministrohen pasi do të duhet që ky festival të përsëritet”, tha ministri Klosi.

Alan Crofton, menaxheri i Kala Festival vlerësoi organizimin dhe pritjen e një viti më parë në Shqipëri, duke theksuar se është i lumtur që rikthehet dhe që këtë vit pjesëmarrja do të jetë disa herë më e madhe se vjet. “Reagimi i pjesëmarrësve gjatë Kala festival të organizuar një vit më parë ishte i mrekullueshëm. Ishin mbi 1 mijë qytetarë në vitin e parë. Kështu që këtë vit na rritet përgjegjësia për t’ju përgjigjur reagimit të shumë më shumë njerëzve, nga 1 mijë që ishin vjet, këtë vit do të jenë 5 mijë, jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga Zelanda e Re, Australia, Amerika. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur që jemi përsëri në Shqipëri”, tha menaxheri i Kala Festival.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: