TIRANE – Emisioni “Chic” i Fjordora Fjorës në “News 24” është ndalur tek një ngjarje kulturore, e cila ka sjellë në Tiranë trupa teatrore nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, por edhe nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Pra bëhet fjalë për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove.

E ftuar në “Chic”, një ndër regjisoret pjesëmarrëse në këtë konkurrim, Armela Demaj, vjen në Teatrin e Metropolit me shfaqjen “Qielli i heshtur’. Një shfaqje kjo që prej 3 vjetësh po shfaqet me sukses në Teatrin e Metropolit.

Armela Demaj ka folur për rëndësinë e një festivali të tillë, duke u shprehur se në këtë mënyrë mësohet më shumë rreth festivaleve të tjera në vendin tonë.

“Është mirë që bëhet një festival i tillë, sepse është vërtet e nevojshme që të njohim njëri-tjetrin në aspektin profesional. Ne jemi në një vend shumë të vogël dhe lëmi artistik në Shqipëri është shumë i vogël, por disfata më e madhe është që ne nuk njohim njëri-tjetrin. Ne psh nuk e dimë çfarë është duke bërë teatri i Gjirokastrës, apo ky i fundit nuk e di cfarë është duke bërë Metropoli, e kështu me radhë. Prandaj është një iniciativë vërtet për t’u përgëzuar, sepse në qoftë se punohet me dashamirësi dhe me një qëllim të mirë do të ketë shkëmbime dhe do të ketë rritje. Fati i shfaqjes “Qielli i heshtur” ka një shtrirje gati 3-vjecare, ka pasur disa ndryshime kasti, por kjo shfaqje është mbajtur gjallë edhe nga dëshira që publiku pas pasur për ta ri parë. Ne e rikthyem sepse publiku kur vinte në teatër na pyesin kur do ta vinim sërish dhe ne duke parë dëshirën e tyre e rikthyem vetëm më disa ndryshime të vogla”, ka thënë Armela Demaj.

Regjisorja ka treguar se kjo shfaqje nuk është feministe, por flet për të drejtat e njeriut për babarazinë që ekziston në shoqërinë tonë.

“’Qielli i heshtur’ është një shfaqje që i flet të drejtave të njeriut, pabarazisë. Është një shfaqje historike me tre figura femrash reale që kanë jetuar dhe janë gratë e para astronome në Universitetin e Harvardit. Duam apo nuk duam ne cdo grua në këtë planet e ndien pabarazinë që kalon cdo ditë. Nuk është një shfaqje feministe por është një shfaqje që evidenton pabarazinë që ekziston në shoqëri por që nuk duhet të ekzistojë”, ka vazhduar më tej regjisorja.

Armela Demaj ka treguar për të veçantën e kësaj shfaqje, e cila qëndron te personazhet e saj që janë sjkencëtarët.

“E veçanta e kësaj shfaqje është se personazhet e kësaj shfaqje janë shkencëtarë, që rrallëherë i shohim në skenën e teatrit. Në këtë shfaqje përdoret dhe gjuha shkencore por janë njerëz. Pra ndërthurja e elementëve shkencorë me ata emocional vallëzojnë bashkë në këtë shfaqje”.

Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove ndahen edhe çmime, por regjisorja ka treguar se “Qielli i heshtur” ka marrë çmimin e publikut dhe se është indiferente ndaj çmimeve që jepen nga disa njerëz.

“Unë jam indiferente ndaj kësaj sepse nuk besoj të çmimet, çmimi është publiku,e jo çmimet që ndajnë njerëzit. Çmimi që kjo vepër ka marrë është që publiku ka 3 vjet që e kërkon”, u shpreh ajo.

Në fund të intervistës regjisorja ka treguar edhe për projektet e reja, siç është një prej tyre “Ditari i Ana Frank”, një tjetër shfaqje tjetër historike, premiera e së cilës parashikohet të jetë në fillim të nëntorit.

“Shfaqja ime e re do të jetë ‘Ditari i Ana Frank’ një shfaqje historike, por jemi ende në hapat e para dhe premiera parashikohet në fillim të nëntorit”, ka përfunduar regjisorja e njohur.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb