Drama “Njollat e Murrme” e Minush Jeros, e ndaluar gjatë komunizmit, rikthehet si Forum- Teatër. Me një kast të përbërë prej aktorëve Sonila Kapidani, Klodjana Keco, Shkëlzen Berisha, Armela Demaj, Roerd Toçe dhe Arben Bruci, ajo vjen sonte në orën 18:00. “Njollat e Murrme”, drama e njohur e Minush Jeros erdhi në skenën e Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol) pas 48 vjetësh në formën e Forum-Teatrit. Janë përzgjedhur disa episode kryesore të veprës së ndaluar në vitin 1973, të cilat u inskenuan në sallën “Çehov” të teatrit dje në orën 18:00 nga aktorët Shkëlzen Berisha, Armela Demaj, Klodjana Keco, Roerd Toce e Arben Bruci, nën drejtimin e Sonila Kapidanit. Sipas saj është zgjedhur forma e Forum-Teatrit, me qëllim përfshirjen e drejtpërdrejtë të publikut.

“Realizojmë një prezantim të dobishëm dhe nxitës për shoqërinë, që nuk mëton të japë zgjidhje absolute, por të hulumtojë shtigje dhe mundësi, që respektojnë të drejtën njerëzore. Realizimi i këtij forumi, synon eksplorimin e çështjeve si liria e njeriut, të drejtat themelore qytetare si edhe ato që prekin bërthamën e shoqërisë, familjen dhe rolit të gjithsecilit pjesëtar në harmoninë e saj”, – tha Kapidani.

Drama “Njollat e Murrme” është një vepër e vënë në skenë në vitin 1968 dhe pasi mori vlerësimet më të mëdha si vepër mjaft e arrirë estetikisht, ajo u dënua nga diktatura si manifestim i liberalizmit dhe paskëtaj ndërroi kahun e jetës të shumë artistëve, që e realizuan dhe kritikëve që e vlerësuan.

“Një shfaqje artistike e konsideruar si mjaft e suksesshme, me një të rënë të lapsit, u kthye në makth të shumë artistëve, e quajtur si antisocialiste. Sot, në këtë aktualitet që po përpiqet të zbardhë errësirën e asaj kohe të padrejtë, ky prezantim erdhi edhe si njohje, edhe si kujtesë, edhe si mundësi për të artikuluar dëmet dhe çlirimin nga pesha e tyre”, – tha Kapidani. Aktiviteti u mbajt dje, në sallën “Çehov” të Teatrit Metropol.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: