Pas dy javëve pushim, Bajerni i Mynihut priti në shtëpi miqtë nga Hofenhaimi. Gjatë konferencës për shtyp, strategu spanjoll konfirmoi zyrtarisht rikthimin e Shvajnshtaigerit si dhe u adresoi një sinjal kërcënues të pakënaqurve si Shaqiri apo Hojbjerg.

Z. Guardiola, si është gjendja e lojtarëve?
Nojer dhe Boateng janë stërvitur mirë. Kanë shumë pak probleme. Ndërsa Myleri u stërvit të premten.
Jeni shokuar nga dëmtimi i Lahmit?
Operacioni kaloi me sukses. Shpresoj të rikthehet pas 3 muajsh. Natyrisht që është e vështirë për ne. Ai është lojtari më i rëndësishëm për mua. Lahm më ka ndihmuar shumë që në fillim.
Po avancon me stërvitjen Shvajnshtaiger?
Bastiani do jetë në ekip. Ai është gati. Ky është lajmi më i mirë. Do rikthehet patjetër, por nuk e kam vendosur ende nëse do jetë titullar. Kemi shumë të dëmtuar, sidomos në mesfushë. Na kanë mbetur vetëm Alonso, Rode, Hojbjerg, Gaudino dhe tani Shvajnshtaiger.
Cilat janë alternativat për të zëvendësuar Lahmin?
Rode më pëlqen shumë. Ai stërvitet intensivisht. Sebastiani ka qenë edhe kapiten te Frankfurti. E kuptoj që duan të luajnë të gjithë 90 minuta edhe Hojbjerg, por këtu vendos unë.
Shaqiri dhe Hojbjerg janë shprehur të pakënaqur nga aktivizimi. U lejohet atyre të largohen në janar?
Deri në përfundim të fazës së parë kemi edhe 8 ndeshje, 6 prej të cilave në Bundesligë. Se çfarë do ndodhë më pas, do flasim. Këshilla ime është: Nëse një lojtar nuk do të qëndrojë në Mynih, atëherë të shkojë në një klub tjetër. Nëse një lojtar i ri kërkon më shumë minuta, duhet të flasin me klubin. Unë dua të kem në dispozicion lojtarët që duan të jenë pjesë e Bajernit. Edhe transferime nuk do ketë. Vitin e ardhshëm kam kontingjent të mjaftueshëm, sepse rikthehen Lahm, Tiago, Martinez, Alaba.

(m.k/PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb