MALËSI E MADHE- Për herë të parë pas 26 viteve, vihet në funksionim kanali vaditës Grishaj, Koplik, 14 kilometra i gjatë, i cili është vazhdim i kanalit të Shtodrit, në zonën e Malësisë së Madhe.


Për 26 vjet, ky kanal ka qenë inekzistent, duke sjellë vështirësi të mëdha për banorët e zonës, e duke kthyer në djerrë tokat bujqësore. Investimi për rehabilitimin tërësor të kanalit vaditës, i cili u realizua në kuadër të programit të qeverisë për vaditjen dhe kullimin, ka sjellë përmirësimin e ujitjes në rreth 3300 ha tokë bujqësore të zonës së Mbishkodrës.


Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe përfaqësues të pushtetit lokal të zonës ishin sot në Malësinë e Madhe, për të parë nga afër punimet e realizuara në këtë projekt madhor.


Drejtues të pushtetit lokal të zonës e informuan Kryeministrin mbi ecurinë e punimeve për pjesën e mbetur të investimit, i cili përfshin rehabilitimin e kanaleve dytësore, të cilët do të rrisin sipërfaqen e ujitur të tokës.

“Ky është kanali i Shtodrit i cili është investuar nga qeveria shqiptare, rreth 14 km që përfshin Bashkinë e Malësisë e Madhe. Krijon mundësinë e futjes nën ujë të rreth 3300 hektarë të zonës së Bashkisë së Malësisë së Madhe, të 4 njësive administrative, Njësisë Administrative Gruemirë, Koplik, Njësisë Administrative Qendër dhe asaj Kastrat. Është i vetmi financim që ka dhënë qeveria shqiptare përgjatë 25 viteve për bujqësinë. Pra, e para herë që qeveria shqiptare investon drejtpërdrejtë për bujqësinë në Malësinë e Madhe, ” – u shpreh nënkryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe Sytki Nrecaj.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se projekti për ujitjen, i ndërmarrë nga qeveria shqiptare, është më i madhi i ndërmarrë ndonjëherë për vaditjen dhe kullimin.

“Është projekti më i madh që është bërë ndonjëherë për ujin, qoftë për vaditjen, qoftë për kullimin. I ndarë në dy pjesë, një pjesë e ka qeveria nëpërmjet bordeve të ristrukturuara të kullimit.- Tani kemi vetëm 4 borde të ndarë në 4 rajone të Shqipërisë- dhe pjesën tjetër me Bashkitë. Po bëjmë gati edhe një flotë të re komplet për ujitjen dhe kullimin, flasim për mjete të motorizuara. Do bëjmë faktikisht të mundur që këtë vit të kemi një zgjidhje thuajse përfundimtare të këtij problemi, sidomos në zonat ku ka më shumë zhvillim intensiv bujqësia.”- tha kryeministri.

Investimet që qeveria po realizon në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së digave dhe rezervuarëve, si dhe sistemimin e kanalizimeve synojnë një rehabilitim tërësor dhe të qëndrueshëm, që do të përmirësojë ujitjen dhe kullimin e tokave bujqësore në mbarë vendin.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Gruemirë, të Malësisë së Madhe, një strukturë e munguar për gjithë këto vite, ka nisur nga puna në shërbim të furnizimit me ujë të mbi 50 mijë banorëve të zonës. Godina moderne është ngritur rishtas, mbi një vend ku mungonte gjithçka nga infrastruktura bazë, zyrat dhe mjetet logjistike.

Investimi i ri me teknologji të re dhe pajisjet moderne, janë pjesë e një financimi të qeverisë shqiptare dhe donatorëve të huaj. Ky investim zgjidh përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për gjithë zonën e Malësisë së Madhe dhe Komunës Qendër.

Kryeministri Edi Rama u takua dhe bisedoi me punonjës të ndërmarrjes si dhe me drejtuesin e saj Flauers Shoshi, i cili e informoi kryeministrin mbi kapacitetin e këtij investimi, si dhe risitë që ofrojnë aparaturat e teknologjisë së lartë. “Kjo është depoja 4000 metër kub. Në qoftë se qyteti i Shkodrës ka 120 mijë banorë dhe ka 4000 metër kub, ne kemi bërë për rreth 25 mijë banorë 4000 metër kub dhe furnizojmë tej hartës tonë, deri në afërsi të qytetit të Shkodrës, pra furnizojmë rreth 50 mijë banorë. Kjo ka perspektivë 50 vjeçare. Kemi marrë edhe një sistem nga Anglia që inspekton lidhjet e paligjshme. Futet kamera dhe sheh se cila shtëpi e ka bërë lidhjen e paligjshme, thellësinë, diametrin sa e kanë bërë lidhjen, pasi çdo gjë është dixhitale,” u shpreh drejtuesi Shoshi.

Ndërhyrja e qeverisë ka bërë që Ndërmarrja e Ujësjellësit të jetë një model në vend, pasi përveç godinës moderne edhe ka dhe makineri e pajisje të reja bashkëkohore. Përfitimi kryesor i këtij investimi për banorët është jo vetëm rritja e cilësisë së ujit, por edhe e volumit, pasi nga një kapacitet 50 metër kub tashmë kapaciteti i furnizimit është 4000 metër kub. Ndërkohë, një tjetër risi është informatizimi i sistemit të faturimit për abonentët.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb