DURRES-Policia e Durrësit arrestoi dje pesë persona, Herton Hakën, Admir Hakën, Aleksandër Hakën, Hekuran Bocin dhe Olti Metukun, të dyshuar si autorë të vrasjes së Fatmir Pulajt. Ekzekutorët dhe viktima, fqinjë me njëri-tjetrin; i zunë pritë dhe e qëlluan me katër plumba për t’i marrë paratë e xhiros ditore të fituara nga një bar-kafe në Kamëz. Vetëm pesë mijë lekë ka ‘kushtuar jeta e viktimës’. Ndërkohë në skenë rikthehen edhe njëherë Hakajt.

Zona e Niklës në Fushë-Krujë është e njohur për krime të rënda, ku kanë ndodhur shumë vrasje mes fiseve të ndryshme në këtë zonë dhe në disa raste ka pasur edhe përplasje me armë me punonjësit e policisë.

Madje për një kohë të gjatë, kjo trevë ishte një “Lazarat i dytë”, pasi njihet shumë për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Kjo ngjarje shënon rikthimin në skenë të Hakajve të Niklës.
Të arrestuarit janë nga fisi i shumëdëgjuar i Hakave në Zezë të Krujës, të përfolur ndër vite për implikim në botën e krimit. Disa janë vrarë në përplasje bandash dhe hasmërish. Disa të tjerë janë në burg.

Vrasja me armë e 44-vjeçarit mbrëmjen e 19 janarit 2016 në fshatin Zezë të Niklës në Fushë-Krujës, kishte për qëllim grabitjen e parave.

Policia arrestoi pesë persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim si autor i kësaj ngjarjeje të rëndë.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të ndihmuara edhe nga grupi i operacioneve speciale në Policinë e Durrësit, arrestuan në orët e para të mëngjesit të djeshëm dy vëllezër, fqinjë të viktimës, një kushëri i tyre, dhe 2 kunetërit.

Admir Haka 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, Herton Haka 18 vjeç, Aleksandër Haka 28 vjeç, Hekuran Boci, 23 vjeç, dhe Olti (Agron) Metuku, u arrestuan në flagrancë si autorë dhe bashkëpunëtorë në vrasjen e Fatmir Pulajt.

Ndërkohë është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit Elton Ceka, banues në Tiranë.

“Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin vendosur grabitjen e shtetasit Fatmir Pula dhe në tentativë për t’i marrë paratë, e qëlluan me katër plumba automatiku, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme”, shprehet policia.

Babai i dy fëmijëve kishte marrë një lokal me qira në Kamëz dhe autorët menduan që ta grabisnin me dhunë paratë e xhiros ditore, që nuk i kalonin më shumë se 5000 lekë të reja. Vetëm kaq ka kushtuar jeta e 44-vjeçarit, i cili u vra pabesisht pak metra larg banesës së tij, ku e prisnin bashkëshortja dhe dy fëmijët.

“Shtetasi, Olti Metuku e ka mbajtur nën vëzhgim viktimën në momentin që ai ka dalë nga lokali dhe ka lajmëruar autorët e tjerë. Shtetasi, Herton Haka, vëllai i Admir Hakës, ka qenë i fshehur në kthesën që të çonte në banesën e viktimës, nga fshati Nikel për në Zezë dhe ka njoftuar dy autorët e tjerë që makina në të cilën ndodhej viktima, po vinte në drejtim të tyre. Shtetasit Elton Ceka dhe Admir Haka, të dy të armatosur, Elton Ceka me një armë zjarri automatik dhe Admir Haka me pushkë, i kanë zënë rrugën viktimës me thasë me shkarpa dhe shtetasi Elton Ceka ka qëlluar me 4 plumba me armë zjarri automatik në drejtim të shtetasit Fatmir Pula, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme”, shprehet zyrtarisht Policia e Durrësit.

Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar edhe një automatik model ‘56’ dhe një pushkë model ‘63’, që u përdorën nga autorët mbrëmjen e 19 janarit.

Sipas policisë, Admir dhe Herton Haka janë njëkohësisht komshinj me viktimën.

Tashmë që të gjashtë personat e identifikuar dhe pesë prej tyre të arrestuar do të përgjigjen për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen kryer në bashkëpunim, si dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.

Që në fillim kjo ngjarje u konsiderua si tepër e rëndë, pasi 44-vjeçari nuk ishte person me probleme apo precedent penal dhe njihej si njeri mjaft i qetë.

Gjithsesi, kësaj radhe policia mundi që në kohë të shpejtë të identifikonte dhe arrestonte autorët e përfshirë në ngjarjen e rëndë.

Ndërkohë gjendja psikologjike e të afërmve të viktimës është mjaft e rëndë, kjo edhe për faktin se krimi u krye nga fqinjët dhe arsyeja lidhej vetëm me grabitjen e atyre pak parave që fitonte nga xhiroja ditore e një bar-kafeje që ndodhej në Kamëz dhe prej disa muajsh ishte marrë me qira nga viktima.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: