NGA: ANISA YMERI*
Pas gati një dekade, Ismail Kadare është sërish në qytet! Shkrimtari është rikthyer në shtëpinë ku u lind, e cila trashme është muze! Me të folur të ngadaltë, sikur do të kuptohet mirë prej të gjithëve, nga odaja e madhe e shtëpisë…Kadareja thotë: Unë jam mysafir këtu. Ai rikthehet në këtë shtëpi, jo si Zot i saj! I bindur se shtëpia e tij tanimë nuk i përket vetem atij, nuk ngurroi t’ja dhurojë qytetit ndërsa qeveria nxitoi ta shndërronte atë në Shtëpinë Muze KADARE. Megjithatë ai mund të rikthehet aty çdoherë dhe një çelës ia dhuruan simbolikisht shokët e fëmijërisë.

Ndërsa shkel në shtëpi, trazimi, prekja dhe emocionet çojnë edhe në përlotje. Pusi është aty, sterna është… po aq ndjellës për ta vizituar, na shfaqet edhe burgu i familjes. Gjithashtu…shkallët, parmakët, çdo gur i saj! Të gjitha këto janë fëmijëria e shkrimtarit, por edhe lexuesit duket se i kanë parë e prekur, secili e ka krijuar një përfytyrim të tijin, krejt vetjak, pasi gjithçka gjendet këtu është shndërruar në personazh dhe muzë të shkrimtarit në një pjesë të mirë të veprës ku është përjetësuar kjo shtëpi. Odaja e madhe…këtu drita vjen nga çdo anë! Familja Kadare rrallë ndodh të mblidhet kështu dhe shtëpia e rindërtuar, është mesaduket një rast, siç edhe zakoni e do. Elena, Shahin dhe Kadrije Kadareja, janë aty.

Prej odasë, i rrethuar prej njerëzish të afërt të tij, Kadareja nis të flasë…
‘Shtëpia u bë dhe kjo është kryesorja. Kam kënqësi që shtëpia ime tani është rindërtuar. Do të kisha sinqerisht kënaqësi për shumë shtëpi në Gjirokastër të ishin rindërtuar ndaj edhe prej vitesh pyes vazhdimisht me shumë kuriozitet se çfarë ndodh me shtëpitë në Gjirokastër, sa janë rindërtuar, çfarë bëhet me to. Por për fat të keq janë të rralla shumë ato që janë ribërë, bërë…ka moskuptim mes shtetit dhe pronarëve, shtetit dhe shoqërisë, shoqërisë dhe historisë së saj. Ka diçka që na pengon që të marrim vesh, të kuptojmë vetveten. Gjirokastra, që të jem i sinqertë nuk ka treguar ndonjë zell për ta bërë; zelli ka qenë më tepër i kulturës shqiptare.

Këtu s’ka vetëm kujtime të zakonta fëmijërie, por kujtime të një kohe kur një fëmijë po shfaqte shenjat e shkrimtarit…“Vendi i parë që shkruaja unë ka qenë ky vendi këtu (tregon me gisht nga dritarja). Këtu kam kopjuar me dorë edhe Hamletin…më tmerronin këto veprat optimiste. Isha i uritur të gjeja fjalët e tmerrshme, jo ra nata etj etj. Një herë në rrugë gjeta një libër për 6 vjetorin e themelimit të Ushtrisë Jugosllave dhe aty gjeta ‘në vitin e tmerrshëm 1942’…e thash e ka një vlerë ky libër, këtë frazë sepse tek ne ishin të gjitha ‘në vitin e ndritur’, heroizimi partisan… pastaj rash tek Hamleti e Makbethi dhe s’desha të lexoj gjë tjetër më!’- vijon shkrimtari.

Në veprën tij Kadare na e prezanton shtëpinë mbushur plot mister. Brenda mureve të saj, si të ishte një kështjellë e lashtë dhe e stërmadhe, vërtiten fantazma, prodhohen intriga e makthe dhe në çdo skutë luhen tragjedi Hamletiane. Por duket se kjo nuk ka qenë vetëm fantazia e një fëmije. Edhe sot, pasi i ka kapërcyer të tetëdhjetat, ai kujton diçka tjetër që e përforcon edhe më tej tragjizmin dhe misterin që gjen për këtë shtëpi në veprën e tij.

Sikur s’mbaj mend festa familjare…njëherë dasmë nuk është bërë kurrë në shtëpinë tonë – kështu e përshkruan një tjetër aspekt të shtëpisë së tij shkrimtari. Por kjo nuk është vetëm shtëpia ku fëmija Kadare fantazone gjeninë e tij. Ndërsa biseda mes familjareve vazhdon, kujtesa është gërvishtur tek të gjithë. Ecejake nëpër vite…herë kujtohet qyteti e herë familja e kësaj shtëpie.

“Gjirokastrën, që i vogël, e kuptoja që ishte shumë e vështirë për të jetuar. Ne gjimnaniztët, një pjesë ishim kundër Gjirokastrës. Nuk kishte lokale për të rinjtë siç dëgjonim se kishte në vende të tjera. Dhe një nga gjërat e para që bëra unë, çlirimi i parë ishte që vinim në kafene dhe pinim konjak me shokët. Mbetën pa mend të gjithë dhe vajtën i thanë babait që ka ardhur Ismaili me shokët e pijnë konjak. Babai ishte i rreptë por edhe jashtëzakonisht tolerant që nuk e kuptoje se si mund të shkonte me rreptësinë tolerance, e kishte të pakufi. Ndiqte me kureshtje rrugën time letrare edhe pse bëntë sikur s’ndiqte. Vetëm një herë më bëri një vërejtje, mos e përdor më emrin tim kur shkrua më tha. Një herë tjetër, më erdhën honoraret e më pyeti: Ç’janë këto para që kanë ardhur. I thash: Nuk e di! Kanë ardhur nga Tirana më tha. Mirëpo paratë kur ishe 13 vjeç nuk mund t’i merrje vetë dhe më çoi për dore për t’i marrë. Ishin para nga Komiteti Qendror i Rinisë që kishte gazetën Zëri i Rinisë ku unë botoja. E paratë që vinin ishin sa gjysma e rrogës së babait tim dhe unë qameti 13 vjeç e kjo më dha një autoritet të madh. 45 vjet më parë, ndërsa shkruante në Tiranë romanin “Kronikë në Gur”, rikthimin në qytetin e tij, Kadare e përshkruante si çmallës.

MEMORIALE
Erdha prapë pas një kohe të gjatë në qytetin gri të pavdekshëm. Këmbët e mija prekën me druajtje shpinën e udhëve të tij të gurta. Më mbajti. Gurë e pllaka që më njohët. Nëpër qytete të huaja, duke ecur nëpër bulevarde të gjera dhe plot drita, më ka qëlluar shpesh të më pengohen këmbët atje ku s’pengohet askush. Kalimtarët kthenin kokën të habitur; por unë e dija, ishit ju. Ju dilnit papritur nga asfalti dhe pastaj fundoseshit prapë në thellësitë e tij.Rruga. Sterna. Shtëpia e vjetër. Trarët, dërrasat, shkallinat e saj kërcisnin lehtë, fare lehtë, me një kërcitje të vazhdueshme, monotone. Ç’ke, ç’të dhemb? Dukej sikur ajo ankohej që i dhembnin kockat dhe gjymtyrët shekullore.Gjyshe Selfixhe, Xhexho, hallë Xhemo, nënëmadhe, kako Pino…Ato s’janë më. Por udhëkryqeve nëpër kënde muresh kam parë ca vija të njohura, ca si tipare, hije mollëzash e sysh.Ato janë atje, të përjetshme, të ngrira në gur, bashkë me shenjat që kanë lënë sipër tyre tërmetet, dimrat apo rrebeshet njerëzore.

Tiranë, 1970
Por sot ai duket i ftohtë. Kur e pyesin për trazimin që mund të sjellë një rikthim, shkrimtari zhvishet prej emocionit, dhe ashtu i prerë siç ai di të jetë, thotë…Njëherë kam thënë që nostalgjia bën pjesë në dëshirën për të shkruar për diçka. Quhet nostalgji ndoshta gabimisht, por është thjesht dëshira për ta kujtuar. Ndaj nuk kam ndonjë ndjesi kushedi çfarë. Ka kaluar ajo koha kur ka ndjesi njeriu, vjen një kohë që s’ka më!

Mes emocionesh që ja lë vetëm mimikës e vështrimit t’i përçojnë; mes buzëqëshjesh që zgjasin pak sekonda, fare pak! Aq pak sa po të mos jesh e vëmendshme, mund edhe të mendosh se Kadareja s’di të qeshë! Biseda zbret në rrugë dhe aty ka sërish kujtime që ngacmojnë.

Flitet për Sokakun. Nuk është thjeshtë një rrugë me kalldrëm! Është Sokaku i të marrëve. Një rrugë, që Kadarenë e etur për mistere, e tërhoqi prej emrit, dhe ai e bëri një monument, duke e përjetësuar në veprën tij, edhe pse ende nuk e ka zbuluar misterin se përsë ajo quhet rruga e të marrëve. Kadareja nis të re flektojë… ‘Rrallë qytete në botë kanë një rrugë të vjetër që quhet ‘rruga e të marrëve’. Vetë fakti që ekziston kjo gjë, vetë koncepti i brendshëm i një qyteti që pjell një rrugë të tillë, nuk e ndryshon megjithëse ka një regjim që kontrollonte çdo gjë – e kapërceu Sokaku i të marrëve edhe diktaturën komuniste. Unë prisja çdo vit që të ndalohej me ligj përdorimi i emrit dhe pyesja me marifet që të mos dëgjoja ligësitë e zyrtarëve e thosha shyqyr shpëtoi. Pastaj nisa ta përdor përherë e më shumë në ato shkrimet e mija dhe prisja diçka nga redaktorët, një heshtje nga redaktorët. Nuk bëhej vërejtja që të mos përdorët…sepse çudia ishte që binte në kundërshti me apologji të tjera ‘rruga e së ardhmes’, ‘rruga e nderit’, ‘rruga e dritës’…emri rrugë ishte nga më të këqinjtë për t’u përdorur për propagandën. Por rruga e të marrëve, aq më tepër që ishte edhe shefi i vendit në një anë të rrugës, dhe në anën tjetër ishte një shkrimtar i njohur, për çudi, për çudi nuk preket. Mbase nuk preket tamam për këtë gjë’.

Kadare tregon se nuk i ka shpëtuar dot vëmendjes se ai kishte lindur në Sokakun e të Marrëveve, at ku kish lindur edhe Enver Hoxha. ‘Më kanë vënë në një pozitë shumë të vështirë dikur jashtë, kur më kanë pyetur gazetarët e huaj të cilët e kishin marrë vesh këtë gjë – e pyesnin: Ju jeni në të njëjtën rrugë me kreun e vendit dhe të dy jeni në një rrugicë që quhet ‘rruga e të marrëve’. Jam përpjekur me humor që ta kapërceja…’ – tregon prej odasë shkrimtari.

Dhe historitë me Sokakun, sërish nuk ndalen!
‘Është një etnografi kaq e bukur që do ta kishte zili çdo qytet, të jetë aty ngahera është diçka e jashtëzakonshme sepse s’di njeri nga e ka origjinën. Është një sokak i vëgël, i njohur në të gjithë qytetin. Madje njëherë më ka ndodhur një episod, xhirohej një film pas komunizmit. Dikur doli një i marrë tamam në këtë rrugë dhe nisi të më bërtiste mua dhe regjisorit të filmit’. Ore ju të dy, dy të marrë ka pasur ky Sokak , por që të dy ja mbathën – Edhe Enver Hoxha edhe Ismail Kadareja. I marri i vërtetë jam unë që kam qëndruar këtu…Duket si e pakuptimtë por është e mrekullueshme – I marri i vërtetë jam unë, gati – gati një koncept krenarie.

Në një kohë kur restaurimi i monumenteve është emergjencë, Sokaku i të Marreve duket se ka një status të veçantë. Dhe këtu Kadare hyn në hullinë e fantazisë së tij, kur thotë se Sokaku duhet të resaturohet, por duke i ruajtur marrëzinë si vlerë. ‘Të restaurosh Sokakun është një gjë e madhe, është një koncept i tërë, i bukur me sens autoironik, autokritik, nuk është destruktive aspak por është një diçka që tallet me groteskun e vet. Pse quhet i marrë, pse s’dihet akoma. Në atë rrugë vetëm një i marrë mund të kalojë, një i marrë mund të jetojë. Po marrëzia nuk është turp….! Duhet doemos të ruhet marrëzia e tij nëse do restaurohet! Po u ruajt ajo, ke ruajtur çdo gjë. Ajo është e rrallë. Ka në botë 1 mijë tipe rrugësh në botë, doemos më të bukura…por kjo është e veçantë për qytetërimin Evropian dhe është pasuri. Do thonë që është vlerësim i lartë për një copë Sokak në Gjirokastër, po ja që këto hyjnë, këto janë dukuri shumë të rralla. Po mezi kapen këto, mezi kapen sepse botë Lindore ka shumë pak kujtesë, dhe ne për fat të keq kemi qenë pjesë e kësaj bote pa kujtesë. Dhe po të shkosh në shumë vende Lindore, rrugët kanë emra pa interes, të mërzitshme, kot… Vetëm Evropa i ka ato rrugë që vijnë nga Mesjeta, që mbajnë erë tamam kolorit lokal, historik, psikologjik’ – thekson shkrimtari Ismail Kadare.
Ja, Shtëpia Kadare u rindërtua dhe i ka dyet e çelura për këdo vizitor…dhe vizitorët nuk i mungojnë. Mirëpo, Gjirokastra e vjetër po rrënohet. E mes atyre që duan të ndërhyjnë është edhe TIKA, Agjencia Turke për Zhvillim, dhe kjo s’mund të lërë indiferent Kadarenë.

‘Pash që ishte një turk që drejtonte diçka lidhur me Gjirokastrën… Ah me thoni që është Agjencia për Zhvillimin, TIKA – e Turqisë. Që drejtonte studimin arkitektoniko – historiko – psikik të Gjirokstrës. Nuk ju duket që është pak si e pashpjegueshme prania e saj këtu, një agjenci që merret me kulturën Perëndimore e një me Turken. Nëse është e shtetit turke, është më heq atëhere…’ – reflekton shkrimari.
Ishte një plan por s’dihet ç’u bë me të i thonë… ‘Shyqyr që s’ka filluar ende punë në Gjirokastër, po ju pse e prisni me padurim që të fillojë…këtë se kuptoj unë’- thotë prerazi Kadareja.

Kadare bëhet edhe më serioz…i lë pas kujtimet sepse pasi hyn në një çështje që është aq e pranishme në mendimin, esenë dhe polemikat e tij publicistike, kultura otomane, ku ai nuk lëshon asnjëherë pe! ‘Grekët që duhet ta luftonin, ata rrinë mënjanë. Disave u intereson që të cilësohet si e tillë, që të jetë sa më e huaj për Gadishullin, sa më mish i huaj. Në një kuadër, në një plan që Shqipëria të dalë një ditë nga Evropa, siç ka hyrë që u bë një mrekulli, të bëhet antimrekullia dhe të dalë sërish’.
Prej çdo këndi të odasë’, cilido prej atyre që mundën të ishin këtu bashkë me Kadarenë, e ka një fjalë për të thënë. Botuesi i tij Bujar Hudhri, s’ka kujtime në këtë shtëpi për t’u trazuar prej tyre dhe do të sjellë në vëmendje Kadarenë e paanshëm, as e majta dhe as e djathta nuk e do. Vetë shkrimtari ka gati një fjalë për këtë, të shpikur mesaduket për vetën e tij.

‘Unë jam i AS-ASTË, nëse do të përdorja një fjalë të tillë në gjuhën shqipe. Çdo shkrimtar do ta donte një pozicion të tillë. Është e natyrshme ta duash. Nuk është etje për t’u dalluar, është etje për normalitet. Sa më shumë ndërhyrje të tilla të ketë në jetën tonë, aq më bukur do të jetë. Kemi hyrë në një situatë që çdo njeri kur flet, në fjalën e tretë do të tregojë prirjen e tij, në ç’klan, në ç’fis…u lodhëm me këtë gjë. Ndonjëherë s’i njoh personazhet kush janë dhe dua të di i kujt ane është, kur pas 7 sekondash del se kujt i takon, ndonjëherë durojnë edhe 12 sekonda. Tek – tuk ndodh edhe që nuk del kjo gjë as pas gjysmë ore. Unë s’po bëj apologji të asnjanësisë por ja edhe tani që po rrimë këtu, kështu shkoi muhabeti, e djathtë – e majtë. Në fakt kudo është kështu me anësinë por anësia tek neve është e padurueshme’- ndalet të thotë Kadareja prej shtëpisë së lindjes, prej odasë këtë herë të tejmbushur nga familja dhe miqtë e afërt të shkrimtarit.

Kadare largohet prej shtëpisë, sokakëve dhe qytetit që i dhanë atij frymëzimin që herët në fëmijëri. Ndërsa shkrimtari ai i dha qytetit dhe rrugicave të tij të gurta shumë më tepër, i dha përjetësinë pasi i shndërroi në personazhe që sot njihen prej lexuesit të tij në të gjithë botën!
*Reportazhi në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare u transmetu në emisionin ‘Në Tempull’ në News24 – 20 Maj 2016.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: