TIRANE
Basi Hektor Leka rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, pas disa dekadash në teatrot italianë, për një rol, të veçantë.
Më 25 nëntor, në skenë ngjitet opera shqiptare “Goca e Kaçanikut” ku Leka interpreton kryeplakun e fshatit duke evokuar luftën me osmanët.
“Për mua është një emocion i madh se është herë e parë që kthehem dhe këndoj aty ku jam rritur, jo vetëm si qytet por edhe si teatër, sepse falë nënës sime isha gjithnjë në teatër dhe më thërrisnin, ‘çuni I teatrit’. Personazhi im është i tillë që imponohet gjatë gjithë operës dhe oponenca e këtij personazhi në anën karakterialie të bën të jesh shumë i fortë”, tha Leka.
Ai është djali i Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare. Për të rikthimi me një pjesë shqiptare, është shumë domethënëse, ndërsa karriera e tij numëron disa role në opera të huaja. Me regjinë e Nikolin Gurakuqit, pjesa do të jetë në skenë vetëm një natë.
“Ka qenë në 1979, premiera absolute. Goca e Kaçanikut është një nga veprat më të bukura të repertorit shqiptar. E bazuar tërësisht në muzikën shqiptare, flet për rezistencën e popullit të Kaçanikut muzika flet shqip. Them edhe nga ana orkestrale të kujton motive epike të historisë së popullit tonë”’- tha Leka.
Roli tij, ndahet në dy skena të ndryshme, ku ai interpreton babain si fillim dhe më tej kryeplakun mburojë të traditave vendase dhe një patriot që nuk pranon pushtimin.