Në vitin 2013 presidenti historik i klubit të Inter, Massimo Moratti, i shiti 70% të aksioneve manjatit indonezian Eric Tohir duke hequr dorë nga posti kyç i klubit. Më pas pjesa tjetër e aksioneve do të kalonte në dorë të “Suning” që sot zotëron klubin zikaltër.

“Padyshim që më ka marrë malli të jem president,” pranon Moratti gjatë një interviste për ‘SportItalia’. “Ke një tjetër adrenalinë kur ke një rol kyç si ai. Gjithsesi, nuk kam ndërmend të blej pjesën e Tohir siç kanë thënë disa.”

Moratti mbetet një tifoz i çmendur i Inter, dhe është pyetur për ecurinë sezonin deri më tani.

“Mendoj se Inter ka filluar mirë falë trajnerit Spalletti dhe lojtarëve të mirë që ka. Tani duhet ta ruajnë formën e mirë përgjatë gjithë sezonit, që është gjëja më e vështirë.”

Ish-presidenti i Inter ka folur edhe për sistemin e ri VAR që është prezantuar në “Serie A” këtë sezon.

“Fillimi ka qenë pozitiv, duke parë që në 90% të rasteve merr vendimin e duhur.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb