NGA ELIONA KODRA* SHKODËR- Aksionet e fundit të ndërmarra nga OSHEE për lidhjet e parregullta të energjisë elektrike, nuk pyesin as për jetë njerëzore. Nëse nuk ke një kontratë të rregullt energjie, energjia do ndërpritet, qoftë kjo e nevojshme edhe për mbajtjen në jetë të një fëmije 7-vjeçar.

Një histori që trondit është ajo e familjes Dyli në fshatin Gur i Zi në Shkodër. Kryefamiljari Naim Dyli, është arrestuar mbrëmjen e kësaj të enjte, pasi rilidhi energjinë e shkëputur, vetëm për pak minuta, për të mbajtur në jetë të birin vetëm 7 vjeç. Ai është i sëmurë nga mushkëritë dhe në rast krizash i nevojitet të kryejë mjekimin me oksigjen përndryshe, në pak minuta fëmija mund të vdesë. Bashkëshortja e 39-vjeçarit, Eduarda Dyli, tregon në detaje se si u arrestua bashkëshorti i saj.

“OSHEE na tha lidhni kontratën. Kur shkoi të lidhë kontratën i thanë duhet kryefamiljari mirëpo vjehrri që është kryefamiljari ka kohë që ka vdekur dhe nëna, vjehrra ndodhet në Belgjikë. OSHEE na tha që nuk mund ta lidhte kontratën burri, pasi kontrata e vjetër ishte në emër të vjehrrit, ndaj duhej vjehrra. Naimi e rilidhi energjinë pasi rrezikohej jeta e djalit. Punonjësit e OSHEE-së e kishin stakuar tek matësi dhe burri shkoi e takoi vetëm për pak minuta. Djali ynë 7 vjeç, merr oksigjen për të mbijetuar, pasi vuan nga një formë e rëndë e astmës. Nëse nuk merr oksigjen, djali humb jetën ndaj Naimi u detyrua të rilidhë energjinë. Ai u tha edhe punonjësve të OSHEE-së se i duhej energjia dhe ata i thanë rilidhe dhe mbaje aq sa të duhet. I thashë burrit atë natë ndizi dritat se e kishim djalin sëmurë, duhet ti vija aerosolin patjetër. Sa i ka ndezur burri dritat, ka ardhur policia menjëherë”, tregon Eduarda.

Vëllai i të arrestuarit, Agron Dyli, thotë se askush nuk i ka treguar se kur do të dale nga burgu vëllai i tij, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të familjarëve të tij. Ndërsa babai ndodhet në burg, nëna detyrohet të kërkojë ndihmë tek komshinjtë për të kryer mjekimin e nevojshëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: