Nga: VALBONA MEZINI*
Në vitin 2013 Shqipëria kishte bërë hapa cilësorë drejt ëndrrës shekullore europiane dhe vrullshëm po shkonte pa kthim mbrapa drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Reformat e nisura nga qeveria Berisha ishin një revolucion i tejskajshëm i vendit. Më shumë se kurrë, lehtësisht sot mund ta besh krahasimin se çfarë u bë në 8 vite qeverisje të djathtë, kjo jo për tu mburrur apo lëvduar, por për të mësuar sa shume jemi gënjyer për votën që lypi Rilindja, që siç u pa në këto dy vjet premtimet në këmbim të saj, rezultuan utopike duke e nxjerrë qeverinë e rilindjes lakuriq në mashtrimin e saj. Në fakt qëllimi i çdo qeverie të përgjegjshme është një dhe vetëm një, mirëqenia e popullit që i ka besuar votën. Gjasat në dy vite të qeverisë nuk janë gjëkundi për mirëqeverisje apo mirëqenie të votuesve. Madje askush nuk e zë në gojë popullin. Në çdo fjalim të “mbretit kryeministër”, fjala mirëqenie, taksa të ulëta, ndihmë sociale, nuk ekziston fare. Një fakt të tillë, e dëshmon edhe dëshira e çmendur e shqiptarëve në këto dy vjet për t’ia mbathur në Gjermani. Ky fakt, për një qeveri të përgjegjshme rëndon si çekan në kokë, por mesa duket, për rilindjen është ndër karamelet me të cilat ëmbëlsohet, në pamundësi t’i mbajë me ndihmë sociale siç do të bënte çdo qeveri e përgjegjshme që u votua për mirëqenie. Reformat që pretendon Rilindja vërtiten sesi tu bëjnë të zezën shqiptarëve sepse janë pasuruar kaq shumë(sipas rilindjes), saqë kanë varfëruar buxhetin e shtetit, edhe pse ky i fundit po zbrazet gjithmonë e më shumë, nga paaftësia e taksidarëve rilindës, aspak nga shpenzimet për interes publik. Pak kush arrin të besojë dhe mbaj mend, gjithçka që u realizua në 8 vjet të qeverisë së djathte të Berishës. Nuk do të ndalem në shifra sepse vështirë t’i fiksosh edhe kur i lexon, por disa fakte kokëforta do t’i përmend, sepse ato flasin më mirë se shifrat dhe po të krahasohen me dy vite të Rilindjes në qeverisje, godasin si çekan, ata mediokër lipizharë që bukën e gojës e nxjerrin me togfjalëshin ‘Fajin e ka Saliu’, në hapësirat mediatike, duke i bërë shërbimin më të keq vendit të tyre. Kur qeveria Berisha mori pushtetin në qershor të vitit 2005, gjendja e buxhetit të shtetit ishte për të qarë hallin. Vendi ishte zhytur në korrupsionin më të pamëshirshëm ku askush nuk guxonte të ngrinte një biznes sepse burokracitë ishin të pakapërcyeshme. Të duhej një thes me lekë, qindra miq dhe 45 ditë që të hapje një biznes në një treg të izoluar ku investitorët e huaj e cilësonin risk dështimi të nivelit të më të lartë krahasuar me çdo vend tjetër të rajonit. Infrastruktura rrugore nuk ekzistonte. Shqipëria e mjerimit, pa ujë dhe drita, ku refreni i përnatshëm ishin zhurmat e gjeneratorëve që të tmerronin, ishte tabloja më e plotë e një vendi që sapo kishte dalë nga lufta. Pensionet e ulëta 7 mije lekëshe dhe rrogat 20 mije lekëshe nuk u dilnin shqiptarëve as për ushqim mujor, jo më për të paguar detyrimet ndaj shtetit. Vendi në zgrip të mbijetesës nuk kishte kurrfarë të ardhmeje pasi shteti nuk ofronte asnjë lloj infrastrukture për jetesë, as atë shëndetësore, atë arsimore, atë rrugore, energjetike, apo të konsumit. Kjo gjendje mjerane e një Shqipërie të braktisur ku lulëzonte veç korrupsioni në dogana dhe tatime ishte rrjeta e merimangës që mbante mbërthyer shpresën dhe të ardhmen e shqiptarëve. Shqiptarët të etur për ndryshim rrënjësor votëbesuan Sali Berishën, i cili iu përkushtua tërësisht reformave me në fokus revolucionarizimin e jetës së shqiptarëve. Reformat e nisura në sistemin fiskal, kishin në fokus pagesën për taksat dhe tatimet online duke shmangur tërësisht lekët nën dorë që paguanin bizneset tek taksidarët. Bizneset u vunë në pozita të favorshme për t’u zhvilluar. Ulja e barrës fiskale ishte një bekim për çdo biznes. Taksat u ulën me të vetmin qëllim që lekët të mbeteshin në xhepin e investitorëve si mënyra më e mirë, për të hapur më shumë vende pune. QKR dhe QKL u shndërruan në infrastrukturë mbështetëse për çdo biznes të vogël e të madh. Tërësisht në funksion të sipërmarrësve dhe punësimit. E vështirë për tu besuar, por bujqësia kishte dhënë shpirt. Sali Berisha gjeti bujqësi me vetëm 24 ferma në të gjithë vendin. Subvencionoheshin tek tuk miqtë e qeverise së majtë. Prodhimi bujqësor dhe blegtoral importohej. Nuk bëhej fjalë për prodhim vendas edhe pse tokat dergjeshin djerrë e jo më për konkurrencë çmimesh sezonale. Vendi nuk plotësonte asnjë nevojë nga prodhimi i brendshëm. Kur u largua nga pushteti qeveria Berisha, la të ngritura 42 mijë ferma bujqësore dhe blegtorale dhe miliona euro subvencione në pemëtari, drurë harrorë, vreshta dhe ullishte. Toka bujqësore rilindi. Në 8 vite të qeverisë “Fajin e ka Saliu”, u ndërtuan të gjitha akset rrugore nga veriu në jug, e nga lindja në perëndim. Shqipëria u lidh cep më cep me asfalt duke shndërruar gropat në rrugë që automobilat rrëshqisnin shpejt, duke kursyer kohën dhe leket shqiptarëve të etur për rrugë dhe makina. 10 mijë km rrugë porte dhe aeroporte shndërruan faqen e Shqipërisë duke i hapur mundësitë vendit për tu lidhur më shpejt me rajonin. Kryevepra me të cilën krenohen shqiptarët sot në rajon është Rruga e Kombit si arteria që synon të ripërtërijë ekonomi të qëndrueshme ndër rajonale. Arsimi u vu në vëmendje të qeverisë “Fajin e ka Saliu”. Shkolla me laboratorë, sistemi i Bolonjës, dhe liberalizimi i universiteteve ishin disa nga risitë, për t’ia lënë tregut të punës sfidën e selektimit të më të zotëve dhe konkurruesve. Politikat arsimore patën për qëllim arsimimin e më të zotëve, me kosto më të lirë. Qëllimi i qeverisë në çdo reformë të ndërmarrë dukej qartë. Sali Berisha ishte i vendosur të revolucionarizonte jetën e çdo shqiptari, duke i ofruar në Shqipëri të gjitha mundësitë e punësimit, shkollimit, hapjes së një biznesi, taksave të ulëta etj. Rrogat u rriten çdo vit nga 10 % në fshat dhe qytet. Po kështu edhe pensionet dhe ndihmesat sociale. Për të gjithë ata që nuk e mbajnë mend, kujtoj se qeveria Berisha e gjeti pagën mesatare 22 mijë lekë dhe e la kur u largua nga qeverisja 57 mijë lek. Shqipëria filloi të njihej ndërkombëtarisht duke u përmirësuar në shumë raporte ndërkombëtare si për luftën ndaj korrupsionit, drogërave, rendit dhe sigurisë. 101 mijë të rikthyer në Shqipëri u regjistruan në 3 vitet e fundit të qeverisjes së Sali Berishës. Kulmoi revolucioni i reformave me liberalizimin e vizave. Ëndrra e shqiptarëve për të lëvizur në Evropë pa viza u bë realitet. NATO dhe anëtarësimi në këtë organizatë evidentuan Shqipërinë si vendin që eksportonte siguri në rajonin e Ballkanit dhe shpalosi vlerat turistike e zbuloi resurset natyrore të kësaj perle që shumë webside ndërkombëtare, me të drejtë do ta quanin sekreti i fundit i turizmit europian, ndërsa për kryeministrin që udhëhoqi reformat Sali Berishën, Shqipëria do të quhej ‘E bukura e dheut’. Sot në dy vjet të largimit të qeverisë Berisha, numërohen rreth 100 mijë të larguar jashtë vendit, duke kërkuar azil ekonomik në Gjermani, e duke i dëshmuar Europës se Shqipëria po kthehet në një “Greqi”, që zbrazet dita ditës si rezultat i keqqeverisjes. Ne dy vjet qeverisje të Rilindjes, askush nuk pa hajër. Asnjë rritje në paga dhe pensione, duke rënduar çmimet e mallrave të shportës, si spiranca vdekjeprurëse, në të përditshmen e shqiptarëve që punojnë të palodhur. Të djathtë e të majtë sot më shumë se kurrë mbetën të papunë. Taksat e larta e progresive frenuan ardhjen e investitorëve të huaj. Një pjesë e fasonërisë që punësonte krahun e lirë të punës, u shpërngul nga Shqipëria për shkak të taksave të larta të papërballueshme. Në fakt qeveria Rilindase në qershor të 2013, u votua masivisht për shkak se premtoi legalizime falas për të cilat gënjeu. U shpërndanë ato dosje që qeveria Berisha i kishte bërë gati. Qeveria Rilindase u votua për premtimet e rreme për shëndetësi falas. Jo vetëm që nuk e bëri falas, por sot në dyert e spitalit vdes nga neglizhenca e mjekëve që të shohin nga duart, dhe ma besoni sepse e kam nga eksperienca pasi as alkool nuk ka në pavijonin e kardiologjisë në QSUT. Rilindja shëndetësore dështoi. Edi Rama gënjeu kur premtoi arsim dhe treg pune për çdo të ri. Sot miratoi Ligjin e Arsimit të Lartë, që pengon familjet që nuk kanë të ardhura të shkollojnë fëmijët. Kosto e një viti shkollor sipas Ligjit të ri për Arsimin e Lartë bëhet 1500 euro. Ky ligj dukshëm favorizon universitet private të cilat janë kthyer në organizma klienteliste për çdo qeveri, duke dëmtuar rëndë pavarësinë universitare dhe dëmtuar kërkimin shkencor. Strategjia komuniste po i lë pa shkollë edhe sot shqiptarët. Dikur për arsye politike, sot për arsye klienteliste të rilindjes. Rilindja në arsim dështoi. Në dy vjet nuk u rriten as rroga, as pensione, duke dëshmuar se qeveria Rama nuk ka në fokus mirëqenien e popullit që i besoi votën me premtime false në 2013. Rilindja e mirëqenies dështoi! Në fakt e gjithë puna e qeverise Rama është fokusuar tek rilindja e simboleve komuniste me fotot e Enver Hoxhës dhe Nexhmies. Ngritja e bunkerëve dhe ngjyrosja e tyre për t’i sjellë funksionalë sërish. Kjo është një mënyrë e mirë për të ricikluar si vepra artistike, simbolet komuniste që nënshtruan shqiptarët për 46 vjet. Duket sikur e vetmja gjë që ka rilindur është strategjia komuniste kontemporane, që fyen rëndë mijëra familje që kërkojnë varrin e të afërmve pushkatuar nga diktatura komuniste për të cilën sot qeveritarët thonë se janë krenarë. Në emër të të bërit shtet, Rilindja në dy vjet s’ka bërë gjë tjetër veç ka varfëruar shqiptarët, siç edhe bëri në 46 vjet partia e paraardhësve. Sot Rilindësit burgosin në emër të të bërit shtet siç edhe bënin paraardhësit komunistë. Janë me dhjetëra shqiptarë që u vetëvranë nga pamundësia për të siguruar ushqim për familjen në këto dy vjet të qeverisjes së rilindjes komuniste në Shqipëri. Kurrkund qeveria që u votua me premtime false nuk foli dhe nuk mbajti qëndrim social ndaj këtyre rasteve fatkeqe. Rilindja sociale dështoi! Ashtu si për 46 vjet me radhë, Rilindja po i detyron shqiptarët të arratisen nga sytë këmbët, ku në dy vjet “rilindje” janë larguar nga Shqipëria për azil ekonomik rreth 100 mijë shqiptarë. Pyetjet ekzistenciale sot për shqiptarët që besuan tek Rilindja janë: A jemi më mirë apo më keq në këto dy vite? A ishte kjo Rilindja që besuam? Cila është e ardhmja jonë e përbashkët në Shqipërinë që vuan? A jemi ne marinarët e fatit tonë apo Rilindja vendos për ne? Ora e mirëqenies së shqiptarëve nuk fal më as kohën dhe as mashtrimet me thes. Rilindja socialiste dështoi në dy vjet. Ajo vdiq nga mungesa e dëshirës për të qeverisur me ndershmëri buxhetin, të cilit këtë vit i mungojnë 17 miliardë lek, të zhdukura në drejtim të paditur, që do të thotë aspak rritje rrogash a pensionesh. Shkolla dhe rrugë të munguara. Shërbime publike të asgjësuara. Rilindja vdiq! Është ora e shqiptarëve të përgjegjshëm dhe të ndershëm ta varrosin së bashku me simbolet komuniste.
* Autorja është sekretare e PD për organizatat partnere.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: