TIRANE- Falen detyrimet e papaguara nga rillogaritja e pensioneve për ish-ushtarakët. Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave. Vendim përveç që ju fal atyre që si kanë paguar, do iu kthejë mbrapsht detyrimet për shtatë muaj gjithë atyre që i kanë paguar, ndërsa ato përllogariten në shumën 369 milionë lekë. Kështu, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.46/2016, “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e sigurimeve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave vendosi ndryshimin për disa kategori.

VENDIMI:
1. Në zbatim të nenit 1, të ligjit nr.46/2016, detyrimet e papaguara, që kanë rrjedhur nga rillogaritja e pensioneve, sipas neneve 14, 21 dhe 29, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr.5, datë 10.11.2010”, të papaguara nga përfituesit deri në datën 1.6.2016, falen. Shuma e detyrimeve të falura, sipas gjendjes deri më 31.5.2016, të evidentohet veç për çdo person debitor, sipas numrit dhe kodit informatik të përfitimit, të nënshkruhet nga nëpunësi autorizues dhe nëpunësi zbatues i njësisë shpenzuese dhe të jepet evidentim dhe evadim i debitorit në dokumentet kontabile, si dhe në sistemin informatik të përfitimeve të sistemit të sigurimeve shoqërore.

2. Brenda pesë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ISSH-ja të evidentojë në kartela të veçanta financiare shumat e detyrimeve të paguara nga personat përfitues, në harkun kohor dhjetor 2010 deri më 30.4.2016, duke bërë shpalljen e kreditorëve, në zbatim të paragrafit të dytë, të nenit 1, të ligjit të sipërpërmendur, dhe të njoftojë personat e interesuar. Shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e përfitimeve suplementare, të paguara, i kthehen çdo kreditori të shpallur, në këste të barabarta, në periudhën nëntor 2016 – maj 2017.

3. Evidentimi i detyrimeve të paguara të bëhet në mënyrë analitike, duke shënuar në “Kartelën financiare për kthimin e detyrimeve të falura me ligjin nr.46/2016”, këstet e detyrimeve të mbajtura, sipas muajve, këstet dhe periudhat e kthimit të shumave kreditore të shpallura, si dhe pagesat faktike, sipas datës së kryerjes së tyre. “Kartela financiare” përcaktohet si dokument financiar i veçantë, me afat ruajtjeje të përhershme dhe nënshkruhet nga hartuesit, punonjësi zbatues dhe punonjësi autorizues i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, të cilët janë përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e saj. Rregullshmëria e shpalljes së shumave kreditore dhe e likuidimit të tyre në favor të përfituesve janë objekt i veçantë auditimi nga auditi i brendshëm i ISSH-së.

4. Brenda muajit tetor 2016, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dërgon pranë strukturave përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme listat emërore të përditësuara të personave, të cilëve duhet t’iu plotësohet dokumentacioni, si dhe, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, sh.a., bën njoftimet individuale.

5. Strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda muajit tetor 2016, njoftojnë Institutin e Sigurimeve Shoqërore për rastet e personave për të cilët nuk disponojnë dokumente, duke përcaktuar edhe shkakun e mungesës së tyre.

6. Personat e interesuar, që janë përfitues nga sistemi i sigurimeve suplementare dhe strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në datën 31.10.2016, paraqesin në Institutin e Sigurimeve Shoqërore modelarin 03: “Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese”. Pas kësaj date, bazuar në nenin 4, të ligjit nr.46/2016, detyrimet e llogaritura me efekt financiar nga data 1.7.2009 e në vazhdim, nuk falen, ndërkohë që deri në plotësimin e dokumentacionit, përfitimi mujor përllogaritet në nivelin e pensionit minimal në shkallë vendi, sipas përcaktimeve të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.

7. Për personat e përcaktuar në nenin 4, të ligjit nr.46/2016, përfitimi individual në zbatim të dispozitave të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr.5, datë 10.11.2010”, rillogaritet me datë fillimi nga data 1.6.2016, duke mos përllogaritur diferencat që rrjedhin nga rillogaritja sipas dispozitave të sipërshënuara, të cilat i përkasin periudhës 1.7.2009 deri më 1.6.2016.

8. Efektet financiare për kthimin e shumave të detyrimeve të paguara nga përfituesit, të cilat përllogariten në shumën 369 milionë lekë, ndahen për pagesë: 180 milionë lekë në vitin 2016 dhe 189 milionë lekë në vitin 2017. Shuma e fondeve të përcaktuara për vitin 2016 përballohet nga fondi i miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqerore, ndërsa shuma e fondeve të vitit 2017 të parashikohet në buxhetin e sigurimeve shoqërore të vitit 2017.

9. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: