TIRANË- Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ka rishikuar rregulloren e të gjithë procedurës së rimbursimit të barnave, duke vendosur elementë të rinj transparence për të gjitha hallkat e procesit.

Rregullat e reja janë reflektuar edhe në kontratat me depot dhe farmacitë për vitin 2015. Shtojcat e kontratës u miratuan në mbledhjen e sotme të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së dhe do të hyjnë në fuqi duke filluar nga data 1 gusht 2015.

Masat e reja të parashikuara në kontratë janë një hap cilësor drejt rritjes së shkallës së transparencës dhe parandalimit të mundësive për abuzime me barnat e rimbursueshme.

Ndryshimet e miratuara reflektojnë konstatimet e Njësisë Anti-Korrupsion pranë Këshillit të Ministrave, që synojnë shmangien e çdo mundësie për rimbursimin e recetave që nuk janë të plotësuara në mënyrë të saktë, si nga pikëpamja formale, ashtu edhe përsa i përket përmbajtjes së tyre.

Në ndryshim nga kontrata e mëparshme, e cila parashikonte një afat 48-orësh, brenda të cilit, farmacia mund t’i merrte recetat, t’i korrigjonte dhe t’i kthente përsëri në Drejtorinë Rajonale përkatëse të Fondit, me qëllim shmangien e abuzimeve të mundshme, kjo pikë e kontratës është hequr. Pra, me kontratat e reja, nuk parashikohet mundësia e kthimit të recetave për korigjime. Në rast se receta do të ketë parregullsi, ajo nuk do të rimbursohet.

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm lidhet me fenomenin e zgjidhjes dhe rilidhjes së kontratave, pasi u konstatua se shumë subjekte bënin zgjidhje kontrate dhe rilidhje të tyre pas disa ditësh, një praktikë abuzive kjo, për të humbur gjurmën e kontrolleve me inventarizim. Me rregullat e reja, hiqet koncepti i zgjidhjes së kontratës me marrëveshje të palëve. Në rast se subjekti zgjidh kontratën, ai nuk do të ketë më të drejtë ta rilidhë atë për një periudhë 1-vjeçare.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe futja e konceptit të fatures tatimore. Deri më sot, nuk është kërkuar prerja e një fature tatimore nga subjektet, ndonëse ka edhe raste që farmaci të konsoliduara e depozitojnë një dokument të tillë. Me kontratat e reja, fatura tatimore është, tashmë, një detyrim ligjor.

Për të rritur shkallën e transparencës së verifikimit të recetave me rimbursim, në drejtoritë Rajonale të Fondit do të gjurmohet lëvizja e dosjes së çdo subjekti farmaceutik nga njëri kontrollor, tek tjetri.
Kontratat e përmirësuara synojnë rritjen e transparencës në çdo hallkë të procesit të rimbursimit, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm me listën e barnave të rimbursueshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb