Tatimpaguesit e profesioneve të lira që nuk kanë deklaruar ende llogaritë bankare kanë afat deri në 27 Dhjetor për deklarimin e tyre me qëllim përfitimin e kompensimit për tatimin e parapaguar.
Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit si rimbursimi nuk do të kryhet brenda datës 30 Dhjetor 2024, nëse nuk deklarohet të dhënat për llogarinë bankare në sistemin e-Filing brenda këtij afati.
“Si ofrues i shërbimeve profesionale, brenda datës 30.12.2024, ju do të rimbursoheni në llogaritë tuaja bankare për shumat e paguara për këstet paraprake të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin apo Tatimit mbi Fitimin!
Nga verifikimet e Administratës Tatimore, rezulton se ju nuk i keni deklaruar ende të dhënat e llogarisë tuaj bankare, ne sistemin e-Filing.
Kujdes!
Rimbursimi i menjëhershëm i shumave të parapaguara nuk do të mund të kryhet brenda datës 30.12.2024, nëse informacionin mbi të dhënat e llogarisë bankare nuk do e deklaroni brenda datës 27.12.2024”, thuhet në njoftim.
Administrata tatimore sqaron se në të kundërt, tatimpaguesit, që do të deklarojnë të dhënat e llogarive bankare pas 27 dhjetorit 2024 duhet të bëjnë kërkesë me shkrim pranë Drejtorive Tatimore përkatëse për kthimin e pagesave të kryera, procedurë që kërkon më shumë kohë.
Njoftimi për afatin e deklarimit të llogarive brenda datës 27 Dhjetor me qëllimin përfitimin e rimbursimit brenda vitit apo procedurat që do të ndjekin subjektet nëse i deklarojnë të dhënat pas këtij afati, iu dërguar dërguar bizneseve në e-Filing nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Nga verifikimi i të dhënave rezultoi se ofrues të shërbimeve profesionale ishin në total 27,605 tatimpagues.
Deri më 18 Dhjetor 2024 sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë janë rimbursuar 7,157 biznese të profesioneve të lira për këstet e parapagimit të tatimit apo 88% të tyre.
Pa u rimbursuar kanë mbetur edhe 980 biznese, pasi ende nuk kanë deklaruar llogaritë bankare në e-Filing. Ndërsa fshirja e detyrimeve të gjeneruara si këste paraprake është bërë për 19,468 tatimpagues./Monitor