TIRANË

Vetëm pak orë pasi iu vunë prangat, me dyshimet si një prej bashkëpunëtorëve të grupit të dhunshëm kriminal që realizoi megagrabitjen ne pistën e Rinasit, Alkond Bengasi vendosi të thyejë heshtjen dhe tregojë shokët.

Në këtë mënyrë, 34-vjecari nga Elbasani, kushëri i të shumëkërkuarit Klement Cala, fitoi statusin e dëshmitarit të drejtësisë, duke ndihmuar grupin e hetimit për identifikimin e autorëve të grabitjes spektakolare të 9 prillit.

Burime të besuara thanë për ‘News24’ e ‘BalkanWeb’, se ai u rrëfeu hetuesve se kushëriri i tij Klement Cala dhe Admir Murataj, kishin shkuar në servisin ku ai punonte dhe i kishin kërkuar të modifikonte furgonin me mbishkrimin “hetimi tatimor”, që u përdor nga banda për të realizuar grabitjen spektakolare.

I veshur tashmë me statusin e të mbrojturit, Bengasi mësohet të ketë rrëfyer edhe për rolet që personat e tjerë, kishin brenda grupit kriminal.

Dëshmia e tij konsiderohet një provë e fortë për hetuesit, krahas gjurmëve të shumta që u gjendën në furgonin që u përdor në ngjarje, pranë të cilit mbeti i vrarë me një plumb në kokë, Admir Murataj.

Të njëjtin qëndrim, i dyshuari për grabitje me armë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbajti edhe në gjykatën për Krime të Rënda, ku në një seancë me dyer të mbyllura, u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ai refuzoi të mbrohej me avokatin e zgjedhur nga të afërmit, me argumentin  se nuk kishte para për ta paguar, ndaj gjykata i caktoi një mbrojtës kryesisht.

Të mërkurën para gjykatës do të dalë Oltion Veseli nga Fushë Kruja, kushëri me Dash Kupën i arrestuar më herët si pjesë e grupit të Admir Murataj, që realizoi grabitjen e 9 shkurtit 2017, i cili dyshohet të jetë një prej personave të armatosur që hyri brenda pistës së aeroportit. Veseli ishte nën vëzhgimin e sektorit trë antiterrorit, për shkak se ishte deportuar vite më parë nga vendet e botës arabe, ku ishte përfshirë në konflikt të armatosur. Por pavarësisht kësaj, asgjë nuk e pengoi të përfshihej në grabitjen e Rinasit.

Bashkë me të, me masën e sigurisë do të njihen edhe dy miqtë e të shumëkërkuarit Cala, Renaldo Sula dhe Saimir Cela.

Policia vijon të jetë në kërkim të Klement Calës, person me rekorde të theksuara kriminale në fushën e grabitrjes në Shqipëri e Greqi, si dhe vëllait të tij, Eldi Cala, i cili mori me qira servisin ku dhe filloi realizimi i planit të grabitjes.

KUSH JANË KATËR TË ARRESTUARIT
I arrestuari Oltion Veseli nga Fushë Kruja, është kushëri me Ernest e Dash Kupën, të dënuar nga drejtësia për grabitjen e blindave në rrugën e Rinasit në 2017. I arrestuari tjetër Alkond Bengasi, është kushëri me Klement Calën, ndërsa dy të tjerët Saimir Çela, Renaldo Sula njihen si njerëzit e tij të besuar.

Klement Çala, që njihet si personazh tejet i rrezikshëm jeton në arrati qëprej 2013, krahas krimeve të kryera më herët, në Shqipëri e Greqi, është i dyshuar tashmë edhe për grabitjen e 9 prillit dhe mendohet të ketë patur rol kryesor. Çala njihej për lidhjen e fortë me Admir Muratajn, që mbeti i vrarë pas grabitjes së dhunshme në aeroportin pasi janë arratisur sëbashku nga burgu i Trikallasë në Greqi.

Klement Cala, nuk është i vetmi nga familja në telashe të mëdha. Në kërkim është shpallur edhe vëllai i tij, Eldi Cala. Listës së të kërkuarve i shtohen edhe dy persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen publik.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb