TIRANË- Një ditë pas ekzekutimit të ish-kryepolicit Artan Cuku në hyrje të pallatit ku banonte në rrugën e “Kosovarëve” në Tiranë, gazetari investigativ Artan Hoxha rindërton të gjithë skemën e krimit dhe pohon se vrasësi është një dhe ka vepruar i vetëm për të finalizuar aktin makabër që kishte marrë përsipër.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, gazetari Hoxha thotë se një person i dyshimtë është parë nga bashkëshortja e Cukut në hyrje të pallatit, madje ajo ka folur më të.

“Duke u kthyer në banesë ajo ka parë një person në sheshpushimin e pallatit. Ka qenë një person me kapele, i ka folur dhe i ka thënë se çfarë bënte aty”,- thotë Hoxha.

Po sipas tij, ky person me kapele është edhe ekzekutori i vetëm, personi që ka qëlluar mbi Cukun në momentin që ka hapur derën prej xhami të hollit të pallatit, ka shtypur ashensorin, ka hyrë në ashensor dhe sapo ka hyrë është qëlluar me armë.

“Sapo Cuku ka hyrë në ashensor është qëlluar me armë, është dëgjuar një e bërtitur dhe ka pasur 8 të shtëna. Janë sekuestruar 8 gëzhoja në vendngjarje. 6 i përkasin një arme të kalibrit 7,65 mm të tipit Tokarev (TT) ose Zastava. Kjo nuk hyn tek armët e luksit por është e fuqishme, vjen pas kallashnikovit. 4 plumba i ka marrë në gjoks, një në kokë që dyshohet se është fatali dhe një tjetër ka qënë bosh. Të shtënat janë nga hyrja, nga sheshpushimi në drejtim të ashensorit. Në vendngjarje janë gjetur edhe dy gëzhoja të një kalibri tjetër 9 mm”, theksoi gazetari.

Gazetari i “News 24” shton se dy gëzhojat e tjera të gjetura në vendin e ngjarjes dhe jo në trupin e viktimës, janë të kalibrit 9 mm dhe mund t’i përkasin një arme të tipit “Beretta”.

“Dyshimi është kush e ka përdorur këtë pistoletë? Nga filmimet dhe kontrollet e zonës rezulton të kemi të bëjmë vetëm me një ekzekutor që ka ikur në këmbë, jo me motor e biçikletë. Ka ikur në këmbë në drejtim të sheshit “Willson”, një zonë shumë e populluar. Këto dëshmojnë që kemi të bëjmë me një vrasës profesionist, jo me një vrasës që e ka për herë të parë këtë punë. E ka goditur në fund në kokë, për tu siguruar që viktima nuk shpëton i gjallë. Edhe pse mund të duket si një vrasje e pakujdesshme, për shkak se nuk është përdorur silenciator, është një ngjarje e menduar mirë”,- shprehet gazetari Hoxha.

Ai shton se veshja e autorit nuk të lë mundësinë e identifikimit, për shkak të mbajtjes së kapeles. Sa i takon gëzhojave të pistoletës tjetër, drejtimi i qitjes është në krahun e kundërt të armës së parë.

“Fakti që predhat e kalibrit 9 mm nuk janë në skenën e krimit lënë vend që të dyshohet se veç autorit në vendin e ngjarjes ka qenë dhe një armë tjetër. Ekzekutori është një i vetëm. Të tilla vrasje bëhen
me pagesë apo janë vrasës që e bëjnë për shkak të një detyrimi që i ka pala tjetër. Policia dhe prokuroria kanë disa pista. Edhe pse ai nuk ishte në detyrë, vrasja ngelet për shkak të detyrës”,- tha
ndër të tjera Hoxha.

KU PUNONTE ARTAN CUKU PAS LARGIMIT NGA POLICIA
Hoxha tregoi se Cuku ka shërbyer nga Tropoja në Vlorë, por pas largimit nga polica në 2014-ën ka qenë aksioner në një kompani sigurie ku ka pasur për detyrë mbrojtjen e disa bizneseve në zonën D në Bulqizë. “Ka disa vite që e mbikëqyr, po asdhtu merrej edhe me mbikëqyrjen e Spitalit Ushtarak, ruante edhe objekte si dhe zonat ku janë vendosur antenat e TVSH. Pra, ka punuar privatisht por në një fushë që ka të bëjë me sigurinë”.

Gazetari shtoi se Cuku 42-vjeçar ishte baba i dy fëmijëve të mitur, pasi ishte martuar vetëm 7 vite më parë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb