TIRANE

Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë që ndodhi dje në Laprakë, ku pas një atentati me armë mbeti e vrarë 17-vjeçarja Briselda Gjikola dhe u plagos 23-vjeçari Erion Bengo.

Gazetarja Dorjana Bezat në një lidhje direkte për ‘News24’ raportoi sot nga vendi i ngjarjes, se dy të rinjtë pak para krimit kishin konsumuar një kafe. Sapo kishin dalë nga lokali në këtë zonë, ishin drejtuar për tek makina, që e kishin parkuar diku mes pallateve. Bezat pohoi se ende pa ndezur makinën, pranë dy të rinjve shkuan dy persona, të maskuar, ndërsa nisën të qëllonin me pistoletë në pjesën anësore të mjetit dhe më pas në pjesën e pasme.

Siç u raportua edhe dje, 17-vjeçarja ka marrë dy plumba në kokë. Dy të rinjtë njiheshin prej një viti, por të lidhur kishin vetëm pak javë. Ndërkohë, vetëm para një jave dyshohet se 23-vjeçari ka pasur një konflikt me një 19-vjeçar, që është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i ngjarjes. Po ashtu mësohet se mollë sherri është bërë 17-vjeçarja.

NGJARJA
Krimi i rëndë ku mbeti e vrarë 17-vjeçarja Briselda Gjikola, dhe u plagos Erion Bengo ndodhi dje rreth orës 18:17 në Laprakë. Çifti, që ishte në një lidhje prej pak javësh, ishin në mjetin tip ‘Benz C Class’ më targë AA 226 MS, ngjyrë gri, kur dy persona të maskuar hapën zjarr ndaj tyre. Për pasojë të rinjtë u plagosën, ndërsa vajza ndërroi jetë në spital. Aktualisht Bengo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ka marrë plumba në qafë dhe shpatull.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb