TIRANE
Të rinjtë shqiptarë janë peng i një tranzicioni të stërgjatë dhe përballen me pakënaqësinë ndaj arsimimit, vlerës së diplomës, mundësive të punësimit e mosbesimit te politika çka i bën të ikin nga vendi. Ka qenë ky rezultati i një studimi të bazuar në një pyetësor drejtuar 680 të rinjve, të grupmoshës 14 -28 vjeç që është kryer për 3 muaj në pranverën e këtij viti, duke u mbështetur në parimin e shpërndarjes gjeografike, në zona rurale e urbane e duke përfshirë, struktura të ndryshme sociale e nivele të ndryshme shkollimi. Një nga autoret e studimit, ndalet te arsimimi e emigracioni.
“Ka një numër të madh që janë të pakënaqur me cilësinë e arsimit në vend madje është një nga arsyet kryesore pse të rinjtë zgjedhin të largohen nga Shqipëria. Duan një diplomë që t’u japë më shumë shanse punësimi. Duke ardhur natyrshëm te dëshira për të emigruar, është tepër e lartë te të rinjtë. Rreth 40% e të rinjve shqiptarë që e kanë këtë dëshirë tepër të fortë. Ky është trekëndëshi i të ardhmes për Shqipërinë, edukim, punësim, migracion në mënyrë që të ruajmë ekuilibrat sepse emigracioni nuk është shaka, prek të gjitha balancat e të ardhmes, për financat publike, potencialin demokratik të vendit- ndaj ne duhet të kemi një debat shumë serioz për sa i përket të rinjve ”, tha Alba Çela, autore e studimit.
Sipas studimit që përfshiu 12 shtete me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”, të rinjtë që shkollohen jashtë nuk duan të kthehen më. Ndërkaq, të dhënat e tij, tregojnë se ata i rrijnë larg politikës, duke sjellë pasoja të tjera.
“Ne kemi vënë re se 53% e të anketuarve nuk janë të interesuar për politikën. Kjo krijon një problem sepse e mban elitën politike të pandryshuar, duke mos ndjerë edhe presionin konkurrues, sepse politika është një sistem karriere”, tha Geron Kamberi, një tjetër autor i studimit.
Mosbesimi i të rinjve te efekti i votës së tyre i lë ata lartg kutive, duke prodhuar efekt zinxhir, duke prodhuar statusquo zgjedhore.