Qendra e emigrantëve në Gjadër do të mirëpresë ditën e nesërme grupin me 40 emigrantë , të përzgjedhur nga qendra të ndryshme paraburgimi në Itali, sipas një liste të përgatitur nga Departamenti i Emigracionit në Ministrinë e Brendshme.

Në rastin e transferimeve nga një qendër paraburgimi në tjetrën, nuk ka asnjë detyrim ligjor për të informuar avokatët ose anëtarët e familjes së individëve të përfshirë.

Qendrat e financuara nga Italia në Shqipëri u krijuan fillimisht për të kryer procedura të përshpejtuara të identifikimit dhe riatdhesimit për emigrantët meshkuj të rritur nga të ashtuquajturat “vende të sigurta” të shpëtuar në det.

Megjithatë, vendimet e gjykatave deri më tani kanë bllokuar zbatimin e plotë të këtij modeli, duke penguar funksionimin e objekteve.

Kampi i Gjadrit, që aktualisht ka një kapacitet total prej 48 vendesh, por që do të zgjerohet në 144 në muajt në vijim – do të presë emigrantët që janë subjekt i urdhrave të ndalimit të vlefshëm ose të zgjatur për riatdhesim, sipas ligjit italian.

Megjithëse nuk ndodhet në tokën italiane, qendra do të funksionojë në mënyrë të ngjashme me qendrat e paraburgimit të riatdhesimit (CPR) në Itali – ku emigrantët e parregullt mund të mbahen deri në 18 muaj në pritje të identifikimit dhe riatdhesimit.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian tha se ishte në dijeni të zhvillimeve të fundit në lidhje me dekretin për qendrat në Shqipëri. Sipas Komisionit, legjislacioni kombëtar italian do të zbatohet për këto objekte, “siç ka ndodhur deri më tani për azilin”.

“Në parim, kjo është në përputhje me ligjin e BE. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zbatimin e protokollit të rishikuar dhe të mbajmë kontakte me autoritetet italiane,” tha një zëdhënës.

Qendra e dytë, ajo e Shëngjinit, me një kapacitet prej më shumë se 800 vendesh, për momentin do të qëndrojë e mbyllur.

E ardhmja e saj tani do të varet nga një vendim i ardhshëm i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, i cili pritet në maj ose qershor, i cili do të përcaktojë nëse procedurat e përshpejtuara mund të zbatohen ligjërisht për migrantët e shpëtuar në det.

Në pritje të kësaj, opinioni i Avokatit të Përgjithshëm të Gjykatës pritet të publikohet të enjten, i cili do të japë një tregues domethënës se si Gjykata synon të procedojë, megjithëse nuk do të jetë detyrues.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb