PRISHTINË- Dialogu mes Prishtinës e Beogradit do të vijojë sërish pas një ndërprerjeje 1-vjeçare. Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Frederika Mogherini ka ftuar kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiç. Takimi i nivelit më të lartë politik do të zhvillohet ditën e hënë teksa në tavolinën e negociatave do të ulen dy kryeministrat Mustafa dhe Daçiç si dhe ndërmjetësuesja e këtij dialogu Frederika Mogherini.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederika Mogherini ka ftuar formalisht kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë Aleksander Vuçiç që të takohen në Bruksel dhe vazhdojnë procesin e dialogut. Këtë process e kishte nisur paraardhësja e Mogherinit Catherine Ashton ndërsa bashkëbisedues ishin dy ish kryeministra, Hashim Thacin dhe Ivica Daçiçin.

Sipas Maja Koçijançiç zëdhënëses së Mogherinit, shefja e Politikës së jashtme evropiane u ka dërguar ftesë vetëm kryeministrave. “I përket liderëve nga Prishtina dhe Beogradi që më pas të vendosin përbërjen e delegacioneve nga kryeqytetet respektive”, ka deklaruar Koçijançiç.

Në komunikatën për shtyp të lëshuar nga kabineti Mogherini, thuhet se dy kryeministrat do rishikojnë progresin e arritur deri më tani në dialog dhe të vendosin si të shkohet tutje me proces të normalizimit të raporteve.
(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb